Kategoria Superiore do të rikthehet pasditen e sotme me dy nga 5 ndeshjet e javës së 32-të, ku Laçi do të presë Flamurtarin e rënë tashmë në Kategorinë e Parë dhe Vllaznia do të udhëtojë drejt Gjirokastrës për t’u përballur me Luftëtarin, një tjetër skuadër që i ka dhënë lamtumirën ligës më të rëndësishme në vend.
Në Laç, kurbinasit e kanë detyrim fitoren përballë Flamurtarit, pasi duan një vend në Kupat e Europës dhe humbja një javë më parë në transfertë ndaj Partizanit, ua ka komplikuar disi pozitat, ndonëse vijojnë të jenë në vendin e katërt.
Nga ana tjetër vlonjatët kanë mbyllur të gjitha llogaritë dhe luajnë për të respektuar kampionatin, por në javën e kaluar dhanë shenja të mira, pasi mposhtën me rezultatin e thellë 6-1 Luftëtarin dhe sot do të provojnë t’ia bëjnë të vështirë edhe Laçit.
E njëjta tablo paraqitet edhe në Gjirokastër, ku Luftëtari përveçse ka rënë tashmë në Kategorinë e Parë, ka në organikë një numër shumë të madh lojtarësh të rinj e pa eksperiencë, ndaj jo më kot ka pësuar plot 26 gola në 5 ndeshjet e fundit.
Përballë tyre do të jetë Vllaznia, që gjithashtu nuk është në një situatë të mirë dhe pozicionohet në vendin e tetë, që përkthehet në Play Off për të siguruar mbijetesën në Kategorinë Superiore.
Pikërisht për këtë arsye shkodranët do të kërkojnë maksimumin në transfertën e sotme, për të provuar t’i largohen vendit të tetë.
Të dy takimet do të startojnë në orën 17:45.