Partizani ka vendosur të vazhdojë të besojë te Kamer Qaka, duke i aktivizuar klauzolën e rinovimit të kontratës dhe duke e shpërblyer me një pagë më të lartë për sezonin e ri.
Mesfushori, i cili u penalizua nga dëmtimet gjatë edicionit të kaluar dhe nuk arriti të tregonte potencialin e tij të plotë, mbetet një nga futbollistët më të vlerësuar në skuadrën e kuqe. Drejtuesit e klubit kanë vendosur jo vetëm të zgjasin bashkëpunimin, por edhe t’i përmirësojnë ndjeshëm kushtet financiare.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se Qaka përfitonte rreth 5500 euro në muaj gjatë sezonit të kaluar, ndërsa me aktivizimin e klauzolës së re paga e tij është rritur në 6500 euro në muaj. Një sinjal i qartë se Partizani e konsideron mesfushorin një nga pikat kyçe të projektit për sezonin e ardhshëm.
