Edison Ndreca është gjithnjë e më pranë rikthimit në futbollin shqiptar. Mbrojtësi i majtë, emri i të cilit është lidhur javët e fundit me disa skuadra të Superiores, tashmë është zyrtarisht një lojtar i lirë dhe mund të negociojë pa pengesa me klubet e interesuara.
Klubi kazak Yelimay ka bërë të ditur ndërprerjen me mirëkuptim të kontratës me futbollistin shqiptar, duke i dhënë fund aventurës së tij në kampionatin kazak vetëm pak muaj pas transferimit gjatë merkatos së dimrit.
Në njoftimin zyrtar, Yelimay falënderoi Edison Ndreca-n për kontributin e dhënë me fanellën e ekipit, teksa mbrojtësi regjistroi 175 minuta në ndeshjet zyrtare të skuadrës.
Tashmë, me statusin e lojtarit të lirë, emri i Ndrecës pritet të jetë një nga më të përfolurit në merkaton shqiptare. Vllaznia, Teuta dhe një rikthim i mundshëm te Egnatia janë pistat që po ndiqen me më shumë interes, ndërsa zhvillimet e ardhshme mund të sjellin shpejt një vendim për të ardhmen e mbrojtësit.