Lillestrøm ka mbërritur në Tiranë dhe është gati për përballjen me Egnatian, në ndeshjen e “play-off”-it të Europa League që do të zhvillohet ditën e enjte.Skuadra norvegjeze ka zhvilluar konferencën për shtyp në prag të sfidës, ku trajneri Hans Erik Ødegaard foli për kampionët e Shqipërisë dhe rrezikun që ata paraqesin.
Tekniku 54-vjeçar vlerësoi veçanërisht fazën sulmuese të Egnatias, duke u ndalur te kundërsulmet, loja në krahë dhe aftësia e rrogozhinasve për të çuar shumë lojtarë në zonë.
“Është një ekip i mirë, i rrezikshëm në fazën sulmuese dhe shumë të mirë në kundërsulme. Mendoj se janë të fortë edhe kur hapen në krahë dhe arrijnë të dërgojnë shumë lojtarë në zonë për krosime. Kanë gjithashtu disa lojtarë individualisht shumë cilësorë, të cilët mund të na krijojnë probleme, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj tyre.”
Trajneri i Lillestrøm ka studiuar paraqitjet e Egnatias në Europë dhe ka evidentuar edhe ndryshimet në mënyrën e lojës së skuadrës shqiptare, në varësi të faktit nëse luan në shtëpi apo në transfertë.
“Po i kam pare ndeshjet e tyre ne kupat e europes, luan ndryshe në shtëpi e ndryshe në transfertë, por ne e dimë se çfarë presim nga kundershtari”.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe kapiteni i Lillestrøm, Ruben Gabrielsen. Mbrojtësi norvegjez u shpreh me respekt për Egnatian, duke e cilësuar një skuadër të organizuar dhe me karakter. Gabrielsen solli në vëmendje edhe paraqitjen e rrogozhinasve ndaj Shamrock Rovers, si një tjetër tregues i forcës së ekipit të drejtuar nga Nevil Dede.
“Kanë lojtarë individualë shumë të mirë, dhe kanë treguar se jane një ekip kompakt, i organizuar dhe me zemër. E treguan në ndeshjen me Shamrock, mund të them që kanë karakter dhe janë të fortë, kështu që duhet të jemi gati dhe sigurisht tifozët e tyre janë besnike dhe nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të japim më të mirën per t’i sfiduar.”