Flamurtari ka nisur menjëherë procesin e rindërtimit pas rënies nga Kategoria Superiore, me ndryshimet e para që kanë prekur stafin teknik të skuadrës. Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj nuk do të vazhdojnë më bashkëpunimin me klubin vlonjat, duke mbyllur aventurën e tyre në pankinën kuqezi.
Sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit kanë vendosur të hapin një kapitull të ri pas përfundimit të sezonit, duke mos rinovuar besimin ndaj dy trajnerëve që morën drejtimin e ekipit në fazën finale të kampionatit. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të shmangur rënien, Flamurtari nuk arriti të siguronte mbijetesën dhe tani fokusi është zhvendosur te ndërtimi i projektit për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, drejtuesit kanë nisur kërkimet për trajnerin e ri, i cili do të ketë misionin e qartë për ta rikthyer skuadrën sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar. Përzgjedhja e teknikut të ardhshëm konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme të kësaj vere në klubin vlonjat.
Por ndryshimet nuk pritet të kufizohen vetëm te pankina. Pas analizës së sezonit, drejtuesit po shqyrtojnë me kujdes edhe strukturat e tjera të klubit. Në fokus të diskutimeve është edhe sekretari Alfred Ferko, pozicioni i të cilit po vlerësohet nga drejtuesit në kuadër të riorganizimit të përgjithshëm.
Ditët e ardhshme pritet të sjellin zhvillime të tjera, teksa Flamurtari synon të ndërtojë një projekt të ri dhe konkurrues për sezonin në Kategorinë e Parë.