Ka nisur shumë shpejt lëvizja në merkato te Vora për sezonin e ardhshëm, me një seri ndryshimesh që po prekin skuadrën në mënyrë të vazhdueshme. Drejtuesit kanë filluar si me rinovimet e kontratave, ashtu edhe me largimet e futbollistëve që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit për edicionin e ri. Një tjetër emër i rëndësishëm i ka dhënë fund bashkëpunimit me ekipin është Xhuljo Tabaku, duke u bërë largimi i tretë brenda pak kohësh, pas dy futbollistëve të tjerë që u ndanë më herët me skuadrën.
Bëhet fjalë për një lojtar me peshë të madhe në grup, i cili në sezonet e kaluara ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ai ka qenë pjesë kyçe e rrugëtimit të ekipit, duke kontribuar si në Kategorinë e Parë ashtu edhe në ngjitjen historike në Superiore, ku skuadra siguroi edhe mbijetesën në sezonin e parë në elitë.Në njoftimin zyrtar, Vora vlerëson kontributin e tij, duke theksuar përkushtimin, sakrificën dhe profesionalizmin, si dhe rolin e rëndësishëm në grup. Ai përshkruhet si një nga figurat që ka mbrojtur fanellën me karakter dhe përgjegjësi të lartë.
Me këtë largim, skuadra vijon riorganizimin e saj për sezonin e ri, ku priten edhe zhvillime të tjera në ditët në vijim.