Flamurtari nuk arriti dot të përmbushte misionin Superiore. Ekipi vlonjat do të duhet të luajë në play-off biletën e fundit për të arritur promocionin. Administratori i klubit Sinan Idrizi Sqaron situatën e Diego Longos në stol, por jep një koment edhe për pamjet virale të Lushnja-Dinamo. Numrit një i klubit vlonjat nuk i del inati me FSHF-në, ndërsa i paralajmëron që të mos vijë në Vlorë me 6 maj, ditë kur do të prezantohet projekti i stadiumit. E ka ndarë mendjen që t’i bëjë bllokadë, pas masakrës që i bënë skuadrën së tij.
“Unë nuk i komentoj kurrë ekipet e tjera. Por mendoj se është rasti i parë që ndodh ajo kur lojtari i një ekipi kundërshtar hidhërohet kur nuk pëson. Është klasike çudi shqiptare. Po ta bënte një lojtar i Flamurtarit këtë gjë, unë do t’i kërkoja shpjegime, por jam i sigurt që këtë gjë do ta kenë bërë kolegët e mi të Dinamos.”
Keni një mesazh për Federatën Shqiptare të Futbollit?
Kam diçka për ftesën që na ka ardhur për 6 majin ku në Teatrin e Vlorës do të prezantohet projekti i stadiumit të ri “Flamurtari”. Investimi është i qeverisë shqiptare, nuk e kuptoj pse do të marrin pjesë në atë prezantim përfaqësues të FSHF-së kur ata kanë kontribut zero në këtë projekt. Nuk e kuptoj si do të ndihen zyrtarët e FSHF-së kur të vijnë në Vlorë.