Flamurtari është i destinuar që të bëjë revolucion në prag të sezonit të ri, që vjen pas dështimit spektakolar në Superiore.
Vlonjatët janë në bisedime me Oltijon Kërnajën për stolin e skuadrës. Kuqezinjtë po vijojnë punën për ndërtimin e ekipit të sezonit të ri, ndërsa një nga çështjet më të rëndësishme që pritet të marrë zgjidhje në ditët në vijim është emërimi i trajnerit të ri. Drejtuesit e klubit po shqyrtojnë disa alternativa për stolin kuqezi, me synimin për të gjetur profilin e duhur që do të udhëheqë ekipin drejt objektivit madhor, rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.
Kërnaja nuk është emri i vetëm që po diskutohet në ambientet e klubit. Në Vlorë ka mbërritur edhe një tjetër kandidaturë, ajo e trajnerit kosovar Naxhi Shensoj. Burimet bëjnë të ditur se tekniku kosovar është vetëofruar për të marrë drejtimin e Flamurtarit, duke shfaqur gatishmërinë për të nisur një aventurë të re në futbollin shqiptar. Shensoj nuk është një emër i panjohur për kampionatin tonë.
Një tjetër pistë që mbetet e hapur është ajo e Ernest Gjokës. Trajneri tiranas vazhdon të përmendet si një nga alternativat më të forta për stolin kuqezi dhe emri i tij po shqyrtohet seriozisht nga drejtuesit e klubit. Rikthimi i Gjokës në Vlorë do të kishte një simbolikë të veçantë, pasi ai do të ulej sërish në stolin e Flamurtarit pas 12 vitesh.