Ish-trajneri kampion i Egnatias, Edlir Tetova, duket se e ka përjetuar në mënyrën e tij triumfin e rrogozhinasve ndaj Vllaznisë në “Final 4”. Menjëherë pas fitores 1-2 të Egnatias në “Air Albania”, tekniku që sezonin e ardhshëm do të marrë drejtimin e Teutës, nuk ka humbur rastin për të lëshuar një “thumbim” në distancë ndaj shkodranëve.
Përmes një postimi në “InstaStory”, Tetova publikoi një letër ku shkruhej “Provoje Përsëri”, ndërsa në postim kishte bërë “tag” edhe drejtorin sportiv të Egnatias, Klejdi Zenelaj. Një mesazh që në rrjet është interpretuar menjëherë si një ironi e koduar për Vllazninë dhe trajnerin Edi Martini, pas humbjes dramatike që largoi shkodranët nga kreu i renditjes në “Final Four”.
Postimi i Tetovës ka ndezur menjëherë reagime mes tifozëve në rrjetet sociale, me shumë prej tyre që e kanë parë si një “hakmarrje sportive” të ish-trajnerit të Egnatias ndaj kritikave dhe rivalitetit të krijuar gjatë sezonit. Kujtojmë se Tetova ishte një nga arkitektët kryesorë të suksesit historik të klubit rrogozhinas, duke fituar titullin kampion dhe duke ngritur nivelin e skuadrës në vitet e fundit.
Ndërkohë, humbja ndaj Egnatias ka shtuar presionin te Vllaznia, e cila tashmë numëron dy humbje radhazi në fazën finale dhe ka humbur vendin e parë në renditje. Në këtë klimë tensioni, postimi i Tetovës është parë si “kripë mbi plagë” për ambientin shkodran.
