Edi Martini gjithnjë e më pranë largimit nga Vllaznia. Në Shkodër prej disa ditësh po diskutohet seriozisht për të ardhmen e trajnerit, ndërsa drejtuesit kuqeblu duket se po shqyrtojnë mundësinë e një ndryshimi në stol.
Starti i sezonit nuk ka qenë ai që pritej për Vllazninë. Pas pesë javëve të para të kampionatit, skuadra shkodrane ende nuk ka arritur të marrë një fitore, ndërsa rezultatet dhe paraqitjet e ekipit kanë shtuar presionin mbi stafin teknik.
Pauza e kampionatit, e krijuar nga ndërprerja e garave, po shfrytëzohet nga drejtuesit për të analizuar situatën dhe për të marrë një vendim mbi të ardhmen e skuadrës. Në këtë kuadër, largimi i Martinit duket një skenar gjithnjë e më i mundshëm, edhe pse deri në një njoftim zyrtar gjithçka mbetet në nivel diskutimesh.
Nëse ndarja konfirmohet, Vllaznia do të rikthehet në kampionat me një trajner të ri. Ndryshimi në stol do të synonte t’i jepte skuadrës një impuls të ri, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë psikologjik.
Ndërkohë, në tavolinën e presidentit Alban Xhaferi janë duke u shqyrtuar disa alternativa për drejtimin e ekipit. Një prej emrave që ka tërhequr vëmendjen është Zekirija Ramadani, trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili ka eksperiencë në futbollin rajonal dhe në kampionatin vendas.