Partizani është gati të rikthehet në aksion. Të kuqtë do të zhvillojnë këtë fundjavë ndeshjen e parë miqësore të përgatitjeve verore, duke shënuar edhe debutimin e tyre në fushë për sezonin e ri.
Skuadra e drejtuar nga Florin Bratu do të përballet me Besën e Kavajës të shtunën, më 18 korrik, duke nisur nga ora 17:30. Takimi do të zhvillohet në Luz dhe do t’i shërbejë stafit teknik për të testuar gjendjen e ekipit dhe alternativat në dispozicion.
Partizani vjen pas një vere me ndryshime të shumta në organikë. Largimet kanë qenë të konsiderueshme, ndërsa klubi kryeqytetas mbetet ende i vetmi në Abissnet Superiore që nuk ka zyrtarizuar asnjë afrim në merkato. Megjithatë, me fillimin e kampionatit që afrohet, Bratu pritet të shfrytëzojë çdo miqësore për të ndërtuar formacionin ideal.
Nga ana tjetër, Besa po zhvillon një fazë përgatitore pozitive. Kavajasit, që garojnë në Kategorinë e Parë, e kanë bërë të qartë objektivin e tyre madhor për sezonin e ri: rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Përballja me Partizanin do të jetë një provë e rëndësishme për të dyja skuadrat.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Partizani ndez motorët, sfida e parë e verës ka tashmë datë dhe rival […]
Comments are closed