Pandemia Corona godet rëndë ekonominë e Australisë. Në tremujorin e dytë ekonomia ra më fort se kurrë dhe vendi ra në recesion.
Si rezultat i krizës së Coronës, ekonomia e Australisë shënoi në tremujorin e dytë rënien më të lartë se kurrë. Siç njoftoi Agjencia Kombëtare e Statistikave në Canberra prodhimi i brendshëm bruto (PBB) ra në muajt prill deri në qershor me shtatë përqind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Kjo është rënia më e fortë që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave tremujore në vitin 1959. Rënia është madje edhe pak më e lartë se sa kishin parashikuar ekspertët. Meqenëse vendi kishte regjistruar një rënie me 0.3 përqind të PBB-së edhe në tremujorin e parë, Australia gjendet tani në recesion për herë të parë që nga viti 1991. Ekspertët flasim për recesion kur prodhimi ekonomik bie për dy tremujorë radhazi.
Kryeministri Scott Morrison: Kjo është një ditë ogurzezë për Australinë
Shifrat tregojnë për një ndikim “shkatërrues” të pandemisë së virusit Corona në ekonominë australiane, tha ministri i Financave, Josh Frydenberg. “Rekordi ynë prej 28 vjetësh rritjeje ekonomike me radhë zyrtarisht ka marrë fund.” Arsyeja për këtë është kjo “pandemi që ndodh një herë në një shekull”.
Rënie drastike e konsumit privat
Arsyeja kryesore e rënies së ndjeshme në tremujorin e dytë ishte rënia e konsumit privat. “Kjo është një ditë ogurzezë për Australinë,” tha kryeministri, Scott Morrison në Parlament. Më shumë se një milion vetë kanë humbur vendet e tyre të punës që nga marsi për shkak se masat e karantinës për të luftuar pandeminë kanë paralizuar degë të tëra të ekonomisë.
Megjithë paketat për stimulimin e ekonomisë dhe ndihmat e tjera ekonomike në vlerë rreth 185 miliardë euro, “rruga për të dalë nga recesioni i Coronës do të jetë e gjatë,” tha kryeekonomistja e institutit BIS Oxford Economics, Sarah Hunter. Sipas saj ekonomia e Australisë mund të kthehet në nivelet që ishte para epidemisë nga fillimi i vitit 2022.
Forcat e rendit kontrollojnë rivendosjen e karantinës në Melburn
Rivendosja e karantinës në provincën e rëndësishme të Victoria do ta pengojë rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë. Ministri i Financave Frydenberg tha se kjo do të sjellë një tendosje “të rëndë” të ekonomisë në tremujorin aktual. Rritja e infeksioneve të reja bëri që qeveria të rivendosë në Melburn një karantinë disajavore. DW