Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Coronavirus

  • Coronavirusi sërish në Wuhan/ Autoritetet testojnë 11 milionë banorë

    Coronavirusi sërish në Wuhan/ Autoritetet testojnë 11 milionë banorë

    Autoritetet e qytetit kinez Wuhan do të testojë të gjithë banorët (11 milionë) me testet kundër COVID-19, ka bërë të ditur zyrtari lokal Li Tao gjatë një konference për media.

    Ky vendim është marrë pasi në këtë qytet, ku për herë të parë u shfaq virusi në fund të vitit 2019, janë konfirmuar mbrëmë tri raste të reja.

    Siç raporton Reuters, fjala është për punonjës që kanë shkuar në Wuhan nga provincat tjera kineze.

    Autoritetet mbrëmë kanë njoftuar se në mesin e punonjësve që kanë shkuar në Wuhan nga provincat tjera, janë konfirmuar raste pozitive, ku me këtë është ndërprerë “suksesi” njëvjeçar i këtij vendi që nuk kishte regjistruar asnjë rast me coronavirus.

    Në anën tjetër, varianti Delta i coronavirusit është shfaqur në pjesën lindore të Kinës, duke rritur edhe më shumë frikën se mund të vie deri te një eskalim i situatës.

    Kujtojmë që më dhjetor të vitit 2019, Wuhani ishte bërë kryelajm i mediave botërore, për faktin se aty ishin shfaqur raste e para me COVID-19.

    Sipas ekspertëve gjithçka ndodhi në tregun e kafshëve, ku pa kurrfarë kriteri bëhej therja e tyre dhe në mungesë të higjienës është bartur nga kafshët në njerëz.

    E për të shuar dilemat se mund të ketë qenë produkt i faktorit njeri, Organizata Botërore e Shëndetësisë, pati dërguar një grup të ekspertëve, të cilët konstatuan se ai është shfaqur në natyrë dhe besohet se gjenezën e ka nga lakuriqët e natës.

    Prej asaj kohe, autoritetet kineze patën urdhëruar mbylljen e këtyre tregjeve në të cilat shitej pothuajse çdo lloj kafshe, madje disa që për shumë shtetet të Evropës janë të paimagjinueshme që të servohen si ushqim për njerëzit.

  • Delta nuk po kursen as të vaksinuarit

    Delta nuk po kursen as të vaksinuarit

    Shumë shtete në mbarë botën, po raportojnë për raste të infektimeve me coronavirus te personat që janë vaksinuar kundër tij. Infektimet e të vaksinuarve, kryesisht po i atribuohen variantit Delta të coronavirusit, që po përhapet me shpejtësi.

    The New England Journal of Medicine më 28 korrik ka publikuar një studim, ku janë analizuar të dhënat e pothuajse 11.500 punonjësve shëndetësorë, të vaksinuar plotësisht me vaksinën Pfizer, të cilët punojnë në Qendrën Mjekësore Sheba, në afërsi të Tel Avivit në Izrael.

    Studimi ka gjetur se personat e vaksinuar, që kanë nivele më të larta të antitrupave, kanë më pak gjasa që të infektohen me coronavirus.

    Pas testimeve të vazhdueshme prej fundit të janarit deri në fund të prillit, janë identifikuar 39 punonjës të infektuar, pavarësisht se ishin plotësisht të vaksinuar. Studimi gjeti se të gjithë kanë pasur simptoma të buta ose nuk kanë pasur fare simptoma, por 19 për qind e tyre kishin përjetuar simptoma edhe gjashtë javë pas diagonistikimit.

    Nga 39 punëtorët e infektuar, në 22 prej tyre, autorët e studimit kanë gjetur se kanë pasur antitrupa në ditën e infektimit ose një javë më pas. Më pas studiuesit kanë analizuar nivelin e antitrupave të personave të infektuar, ku është parë se niveli i antitrupave ka qenë më i ulët.

    Ndërkaq, sipas një studimi të kryer nga Qendrat e Kontrollit për Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) të publikuar në fund të korrikut, janë analizuar infektimet që kanë ndodhur në Barnstable. Rreth 74 për qind – apo 346 raste – e të infektuarve kanë qenë të vaksinuar plotësisht. Nga këto raste, 79 për qind kanë e pacientëve kanë pasur simptoma. Sipas analizave të kryera, varianti Delta ka qenë përgjegjësi kryesor i këtyre infektimeve.

    Përhapja e variantit Delta, që është variant më ngjitës se varianti origjinal i coronavirusit, ka bërë që shumë shtete të përballen me rritjen e rasteve dhe disa prej tyre kanë rikthyer edhe mbajtjen e maskave, siç është edhe rasti i SHBA-së.

    Sipas ekspertëve amerikanë, vaksinimi kundër COVID-19 ul gjasat që personat e vaksinuar të infektohen me coronavirus, por ata që infektohen me Delta pas vaksinimit, kanë tendencë ta shpërndajnë virusin sikurse personat e pavaksinuar.

    “Niveli i lartë i ngarkesave virale sugjeron për rrezik të transmetimit dhe rrit shqetësimet se, për dallim nga variantet tjera, njerëzit e vaksinuar, që infektohen me variantin Delta, mund ta transmetojnë virusin”, tha më 30 korrik, drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky, raportoi CNN.

    Para shfaqjes së variantit Delta të coronavirusit, që fillimisht u identifikua në Indi në tetor të vitit të kaluar, vaksinimi u tha si parandalues i përhapjes së transmetimit të virusit. Jo vetëm që njerëzit e vaksinuar kishin më pak ngarkesa virale, por gjithashtu personat e vaksinuar, që infektoheshin me virus, kishin simptoma më të buta të sëmundjes dhe e kalonin më shpejt atë.

    Por, hulumtimet tregojnë se Delta përhapet në mënyrë më agresive. Në korrik, shembull, shkencëtarët kinezë thanë se varianti Delta kishte pothuajse ngarkesë virale 1.000 herë më shumë se variantet e mëhershme.

    Sipas raportit të CDC-së, varianti Delta është më i transmetueshëm se variantet e tjera, të cilat thuhet se e kanë fuqinë e transmetimit po aq sa edhe gripi sezonal. Kjo nënkupton se në kushte të caktuara, një person i infektuar me variantin fillestar të COVID-19 mesatarisht mund të infektojë dy deri në tre persona të tjerë. Por, një person i infektur me variantin Delta mund të infektojë deri në nëntë persona të tjerë.

    “Ky është një prej viruseve më të transmetueshme që ne njohim”, ka thënë për CNN Walensky.

    Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), ka thënë se personat e moshuar janë më të rrezikuarit që të infektohen me coronavirus edhe pas vaksinimit.

    “Infektimet në mesin e personave të vaksinuar plotësisht priten, veçanërisht në mesin e të moshuarve ose personave që kanë sëmundje. Vaksinat parandalojnë në masë të madhe sëmundjen e rëndë, megjithatë ne ende shohim se raste që përfundojnë në spital apo edhe në vdekje në mesin e këtyre popullatave”, ka thënë ECDC-ja.

  • Koronavirusi në Shqipëri, 15 të vdekur në 24 orët e fundit, më i riu 34 vjeç

    Koronavirusi në Shqipëri, 15 të vdekur në 24 orët e fundit, më i riu 34 vjeç

    15 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Shqipëri në 24 orët e fundit.

    Nga 3001 testime të kryera, janë konfirmuar 543 raste të reja, ndërsa raportohet se janë shëruar 578 persona.

    Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 485 pacientë, 32 në terapi intensive, nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

  • Koronavirusi në Shqipëri, 21 viktima në 24 orët e fundit

    Koronavirusi në Shqipëri, 21 viktima në 24 orët e fundit

    21 viktima janë regjistruar nga koronavirusi në 24 orët e fundit në vendin tonë. Ndërkohë, 851 janë rastet e reja me Covid-19.

    Të shëruarit janë 903.

    Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

    Ministria e Shëndetësisë: 766 të vaksinuar, 3149 testime, 903 të shëruar, 851 raste të reja dhe 21 humbje jetë në 24 orët e fundit

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel të gjithë qytetarëve të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga Covid19.

    Gjatë ditës së sotme janë kryer 766 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 15,793 vaksinime.

    Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon: Janë kryer 3149 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 851 qytetarë.
    Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:
    377 raste në Tiranë, 48 në Pogradec, nga 30 raste në Elbasan, Kavajë, 29 në Durrës, 28 në Vlorë, 27 në Shkodër, 26 në Fier, 25 në Berat, 23 në Lezhë, 21 në Sarandë, 19 në Krujë, 18 në Peqin, 17 në Korçë, 14 në Kamëz, nga 12 raste në Lushnje, Mirditë, 9 në Gjirokastër, 7 në Kuçovë, 6 në Kukës, nga 5 raste në Kurbin, Has, Librazhd, nga 4 raste në Pukë, Tropojë, Tepelenë, Vorë, nga 3 raste në Devoll, Përmet, Bulqizë, Kolonjë, Gramsh, nga 2 raste Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Fushë Arrëz, Belsh, Dibër, Shijak, Maliq, Poliçan, nga 1 rast në Rrogozhinë, Mallakastër, Selenicë, Malësi e Madhe, Prrenjas, Skrapar, Patos, Cerrik, Dropull, Këlcyrë, Libohovë.
    Në 24 orët e fundit janë shëruar 903 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 72,076 që nga fillimi i epidemisë.

    Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 606 pacientë, 42 në terapi intensive, nga të cilët 10 pacientë janë të intubuar.
    Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 21 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 6 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetar nga Berati, 2 qytetar nga Kuçova, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Kukësi, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Puka, 1 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Kolonja, 1 qytetar nga Kurbini, të moshave 42-94 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve.

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.

  • Itali, shifra më e lartë nga 1 janari, ekspertët: Sapo ulim masat, infeksioni merr vrull, po ulet mosha mesatare

    Itali, shifra më e lartë nga 1 janari, ekspertët: Sapo ulim masat, infeksioni merr vrull, po ulet mosha mesatare

    Vijon rritja e rasteve në Itali, që kanë kaluar sërish pragun e 20 mijë infeksioneve ditore. Autoritetet shëndetësore kanë deklaruar 20499 raste, shifra më e lartë e vitit 2021, në qoftë se përjashtohet 1 janari, ku ishin 22111.  Niveli i pozitivitetit është rritur në 6.3%, shifër kjo alarmante për ekspertët.

    Ndërkohë viktimat e deklaruara janë 253, në ulje të dukshme nga dita e djeshme, ku ishin 308.  Lombardia është sërish vatër e përhapjes së infeksionit, me bilancin më të madh me distancë, 4557 raste, e ndjekur nga Emilja Romanja me 2575 dhe Kampanja me 2519.

    Tre rajone do të shndërrohen në portokalli, pikërisht Lombardia, Piemonte dhe Marke, ndërkohë që Basilikata mund të shndërrohet në të kuqe, edhe nga mungesa e shtretërve spitalorë në atë rajon.

    Në momentin që ulim masat, epidemia fillon të përhapet menjëherë. Kjo do të thotë që popullsia që rrezikon infeksionin është ende shumë e madhe. Ndërkohë po bie mosha e të infektuarve, që pasqyrohet edhe në rritjen e rasteve në shkolla”, deklaroi drejtori i Parandalimit të Sëmundjeve në Ministrinë e Shëndetësisë, Gianni Rezza.

  • Ishte prekur nga coronavirusi dy herë/ Adoleshenti britanik zgjohet nga koma pas 11 muajsh, pa njohuri për pandeminë

    Ishte prekur nga coronavirusi dy herë/ Adoleshenti britanik zgjohet nga koma pas 11 muajsh, pa njohuri për pandeminë

    Një adoleshent i cili ka qenë në koma për gati një vit është zgjuar pa kujtesë për pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, pavarësisht se ai madje kishte qenë i prekur nga virusi dy herë.

    Sipas medieve të huaja, Joseph Flavill, 19 vjeç, u përplas nga një makinë ndërsa ecte pranë shtëpisë së tij në Tutbury, Staffordshire, më 1 mars – tre javë para se të fillonte bllokimi i parë kombëtar i Britanisë së Madhe.

    Që atëherë ai ka kaluar gati 11 muaj në koma, por është në rrugën e rimëkëmbjes pasi është zgjuar, pasi arrin të përgjigjet duke mbyllur sytë dhe duke buzëqeshur me të dashurit e tij.

    Adoleshenti, i njohur si Joe, po studionte në Akademinë de Ferrers në Burton, kur ai u përfshi në aksident vitin e kaluar.

    Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Leicester, ku kaloi gjashtë muaj në koma, para se të transferohej në Adderley Green një qendër rehabilitimi neurologjike në Stoke-on-Trent katër muaj më parë.

    Gjatë asaj kohe ai është prekur nga COVID-19 dy herë, një ndërsa ishte ende në koma dhe përsëri pasi u zgjua, por në të dy rastet ai ishte shëruar.

    Siç bëhet e ditur, adoleshenti po përparon mirë pasi hapi sytë dhe në javët e fundit ai ka filluar të lëvizë gjymtyrët kur i thuhet ta bëjë këtë.

    Familjarja e tij Sally Flavill-Smith tha: “Në fillim ai hapte sytë e tij, por ai nuk përgjigjej në asgjë, por gjatë javëve të fundit ai ka bërë hapa të mahnitshëm”.

    Për shkak të kufizimeve të coronavirusit, familja e Joe nuk është në gjendje ta vizitojë atë por ata komunikojnë përmes Facetime dhe halla e tij tha që fytyra e tij “ndriçohet” kur sheh miqtë dhe familjen e tij në ekran.

    Burimi: Telegrafi

  • A mundet të përhapë koronavirusin në fetusin e saj një grua shtatzënë?

    A mundet të përhapë koronavirusin në fetusin e saj një grua shtatzënë?

    Është e mundur, por duket se është relativisht e rrallë dhe shkencëtarët mendojnë se e dinë pse është kështu.

    Shumë viruse mund të kapërcejnë placentën dhe të infektojnë një fetus në bark, dhe provat janë rritur që koronavirusi ndonjëherë mundet gjithashtu.

    Studiuesit në Itali studiuan 31 gra me COVID-19 të cilat lindën foshnje gjatë muajve mars dhe prill dhe gjetën shenja të virusit në disa mostra të gjakut të kordonit të kërthizës, placentës dhe në një rast, qumështit të gjirit. Por ky lloj testimi thjesht mund të zbulojë copa gjenetike, nuk do të thotë se ka virus të aftë të shkaktojë infeksion në ato vende.

    Në një rast, kishte prova të forta që sugjeronin se i porsalinduri kishte virusin në lindje, sepse shenjat e tij u gjetën në gjakun e kërthizës dhe në placentë. Në një tjetër, një i porsalindur kishte disa antitrupa të koronavirusit që nuk janë në gjendje të kalojnë placentën, kështu që ata nuk mund të vijnë nga nëna.

    Një raport nga Franca dha prova edhe më të forta të infeksionit në mitër, dhe se i porsalinduri ishte shumë i sëmurë që në lindje.

    Ndërkohë, kërkimi i drejtuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit jep një arsye të mundshme pse fetuset nuk infektohen më shpesh: qelizat në placentë rrallë bëjnë dy mjetet që koronavirusi përdor zakonisht për të fituar hyrjen.

    Shumica e hulumtimeve deri më tani kanë qenë mbi gratë që ishin në fazat e vona të shtatzënisë kur morën virusin; nevojiten më shumë hulumtime se çfarë ndodh nëse infeksioni ndodh më herët gjatë shtatëzënisë.

    Këshilla për gratë shtatzëna mbetet e njëjtë: vishni një maskë në publik, lani duart shpesh dhe qëndroni të paktën 6 metra larg të tjerëve për të shmangur infeksionin.

  • Varianti i ri Britanik i Coronës edhe më vdekjeprurës?

    Varianti i ri Britanik i Coronës edhe më vdekjeprurës?

    Nga Anglia vijnë lajme shqetësuese: Me gjasë varianti i zbuluar për herë të parë në Britaninë e Madhe, B.1.1.7 është më vdekjeprurës se sa mendohej deri tani.

    Kryeministri britanik, Boris Johnson para gazetarëve në selinë qeveritare Downing Street në Londër, është shprehur, se ndërkohë ka “të dhëna” që varianti i ri i virusit Corona nuk është vetëm më infektues, por mund të lidhet edhe me një vdekshmëri më të lartë. Mbingarkesa e madhe e spitaleve në një masë të madhe është e lidhur me variantin e ri të virusit, tha politikani konservator.

    Këshilltari shkencor i qeverisë britanike, Patrick Vallance, deklaroi se mes meshkujve të moshës 60-69 vjeç deri më tani ka pasur 10 raste vdekjesh ndër 1000 persona. Me variantin e ri të virusit kjo shifër tani është 13-14 raste. Por kemi ende pak të dhëna të sigurta, për të bërë deklarata me saktësi, tha Vallance. Ekspertët, sipas tij, nuk mendojnë se humbet efekti i imunitetit përmes vaksinës tek variante i ri i virusit.

    Për dy mutacione të reja, ato në Brazil dhe Afrikën e Jugut kjo nuk është e qartë. Sipas qeverisë në Britaninë e Madhe ndërkohë 5,4 milionë vetë e kanë marrë dozën e parë të virusit. Mutacioni B.1.1.7 u shfaq në fund të vitit në juglindje të Anglisë, Kent dhe që atëherë është përhapur me shpejtësi në Londër dhe pjesë të tjera të vendit. Britania e Madhe është prekur rëndë nga pandemia, me dhjetëra mijëra infeksione në ditë. Më shumë se 96.000 vetë kanë humbur jetën nga virusi. Prej javësh vendi është në lockdown.

    Mutanti i ri në më shumë se 60 vende

    Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërkohë varianti i ri i virusit i zbuluar në Britaninë e Madhe është përhapur në 60 vende, mes tyre edhe në Gjermani. Sipas ekspertëve ky vírus është 30-70% më infektues, se varianti i parë i Coronës. Varianti i ri është shkaku, pse Gjermania dhe vende të tjera kanë zgjeruar e zgjatur kufizimet e Coronës këto ditë.

    Burimi: DW

  • Kina po përballet me shpërthim të ri të koronavirusit, një vit pas pandemisë

    Kina po përballet me shpërthim të ri të koronavirusit, një vit pas pandemisë

    Kina po përballet me një prej shpërthimeve më të rrezikshme të koronavirusit, meqë autoritetet shëndetësore kanë thënë se dhjetëra persona kanë rezultuar pozitiv në provincën Hebei, afër kryeqytetit Pekin.

    Ministria kineze e Shëndetësisë ka thënë se në Hebei janë raportuar 82 raste të reja lokale më 10 janar.

    Shqetësimet për shpërthime të reja kanë ardhur teksa Kina ka injoruar 11 janarin, përvjetorin e parë të vdekjes së parë në Vuhan, të shkaktuar nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

    Një vit më parë, mediat kineze kanë raportuar për vdekjen e një 61-vjeçari nga një virus i panjohur.

    Burri është thënë se ka vizituar një treg të kafshëve në Vuhan, ku ka shpërthyer fillimisht virusi, ndonëse kushtet ende janë të paqarta.

    Vuhani i është kthyer normalitetit pas disa javëve të izolimit të plotë në fillim të vitit të kaluar.

    Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, me koronavirus deri më tani janë infektuar mbi 90 milionë persona dhe 1.9 milion pacientë kanë vdekur.

    Numri i vërtetë i të infektuarve në nivel global besohet se është shumë më i madh.

    Kina është kritikuar për mënyrën sesi ka menaxhuar koronavirusin, duke përfshirë tentimet për të heshtur dëshmitarët si dhe për dështim të raportimit të rasteve të infektimit në janar të vitit të kaluar.

    Megjithatë, ky vend konsiderohet se ka arritur të mposhtë virusin, ndërkohë që shumë shtete përballen me shifra të pakontrollueshme.

    Burimi: Panorama.al

  • Një nënë vdiq pranë vajzës së saj në një spital në Britani/ Kërkoi t’ia hiqnin oksigjenin “për t’ia thënë fjalët e fundit asaj”

    Një nënë vdiq pranë vajzës së saj në një spital në Britani/ Kërkoi t’ia hiqnin oksigjenin “për t’ia thënë fjalët e fundit asaj”

    Një grua që shikoi nënën e saj duke vdekur pranë saj në spital pasi ato u prekën të dyja nga COVID-19 u është lutur njerëzve të ndjekin masat parandaluese.

    Sipas BBC, Maria Rico, 76, nga Leicestershire, hoqi maskën e saj të oksigjenit për t’u folur dy vajzave të saj një herë të fundit – pavarësisht se e dinte që kjo do të përshpejtojë vdekjen e saj.

    Anabel Sharma e përshkroi momentin si “zemërthyer” por tha se ishte e lumtur që nëna e saj nuk vdiq, duke qenë e vetmuar.

    Dhe ajo ka publikuar një fotografi të tyre të fundit, për të rritur ndërgjegjësimin për virusin.

    Zonja Sharma, nga Whitwick, tha se nëna e saj kishte vdekur rreth gjysmë ore pasi iu hoq maska.

    “Nëna ime u kërkoi atyre t’ia hiqnin maskën e saj dhe ata thanë ‘sapo ta heqim këtë, ju nuk do të keni shumë kohë”.

    “Ajo tha, ‘Po, unë e di atë, por unë kam pasur mjaft kohë”, tha zonja Sharma, 49 vjeç.

    “Kishim rreth pesë minuta me të kur ajo ishte në gjendje të fliste, atëherë ajo humbi ndjenjat. Ajo na tha se nuk kishte frikë të vdiste, se ishte gati. Ajo më tha se duhej të luftoja shumë sepse kisha fëmijët në shtëpi”.

    Motra e zonjës Sharma, Susana, gjithashtu u lejua të ishte e pranishme ndërsa kishte veshur pajisjet mbrojtëse personale.

    “Ne e mbajtëm dorën e saj deri në frymën e saj të fundit”, shtoi ajo.

    Siç bëhet e ditur, zonja Rico jetonte në të njëjtën shtëpi me znj. Sharma dhe burrin e saj dhe tre djemtë, Noe, 10 vjeç, Isaac, 12 vjeç dhe Jacob, 22 vjeç.

    Zonja Sharma tha se besonte se një nga djemtë e saj u prek nga coronavirusi në shkollë dhe më pas “shkatërroi” familjen me një shpejtësi “të frikshme”.

    “Unë do t’u kërkoja njerëzve të ndiqnin të gjitha masat paraprake dhe të mendonin për të tjerët”, tha ajo.

    Znj. Sharma dhe nëna e saj u pranuan në Leicester Royal Infirmary në të njëjtën ditë në tetor, dhe znj. Rico vdiq më 1 nëntor.

    “Ajo ishte shumë e vetëdijshme për atë që do të ndodhte dhe e dinte që nuk do të shërohej”, tha zonja Sharma, e cila vazhdon të ketë trajtim oksigjeni në shtëpi, sepse mushkëritë e saj ishin dëmtuar nga virusi.

    Burimi: Telegrafi