Lajmet e fundit | Klikoje.al

Category: Receta

Kategoria Receta ka për qëllim të ndaj me ju receta, gatime nga me te ndryshmet. Tradicionale dhe europiane, të ëmbla dhe të kripura. Ne ju japim ide për vaktet tuaja!

  • Briosh rrumbullak i mbushur me krem! Receta e thjeshtë dhe e shijshme!

    Briosh rrumbullak i mbushur me krem! Receta e thjeshtë dhe e shijshme!

    Të njohura për shijen e tyre të thjeshtë dhe për butësinë e pambuktë të brumit brioshët janë një nga zgjedhjet e preferuara për një mëngjes të shijshëm!

    Mund t’i shijoni me gjithçfarë shijesh e mënyrash përgatitje, një prej të cilave do ta zbuloni edhe këtu.

    Më poshtë ju tregojmë mënyrën e lehtë të përgatitjes së brioshëve me krem.

    Përbërësit

    • 300 ml qumësht i ngrohtë
    • 18 g maja birre
    • 100 gr sheqer
    • 2 vezë
    • 100 ml vaj luledielli
    • 800 g miell
    • 6g kripë

    Për kremin:

    • 400 ml qumësht
    • 70 gr sheqer
    • 1 vezë
    • 8 gr vanilje
    • 20 g niseshte misri
    • 15 g miell
    • 15 gr gjalpë
    • 1 e verdhë veze

    Përgatitja

    Përzieni në një enë qumështin me majanë e freskët të birrës, sheqerin, vezët dhe vajin e lulediellit. Shtoni më pas edhe miellin, kripën dhe përziejini mirë.

    Lyejeni brumin me vaj, krijoni një prerje kryqi mbi brumë, mbulojeni me qese plastike dhe lëreni të fryhet për 3 orë, ose derisa të dyfishohet në madhësi.

    Pas kësaj ndani brumin në toptha, kalojini ato në tepsi, mbulojini me një copë dhe lërini të fryhen për 30 minuta.

    Ndërkohë në një tenxhere bashkoni qumështin, vezën, sheqerin, vaniljen, niseshtenë e misrit dhe miellin.

    Vendoseni tenxheren në zjarr dhe përziejini përbërësit derisa kremi të bëhet kompakt dhe më pas shtoni gjalpin.

    Vazhdoni duke shtypur lehtë topthat e brumit dhe duke shtuar mbi to kremin në formë spirale.

    Më pas lyeni topthat anash me të verdhën e vezës dhe piqini në furrë në 190° për 30 minuta.

    Në fund spërkasni sheqerin pluhur dhe shërbejini brioshët tuaj.

  • 5 ide për një darkë të shpejtë dhe të shëndetshme!

    5 ide për një darkë të shpejtë dhe të shëndetshme!

    Ju mund të mendoni se përgatitja e një darke të shëndetshme dhe të shijshme është një proces i ndërlikuar, por nuk ka pse të jetë i tillë!

    Ju mund të zgjidhni receta të lehta, që nuk përfshijnë teknika të komplikuara ose hapa të pafundme.

    Në këtë artikull ju vijmë në ndihmë me disa ide recetash të thjeshta dhe të shëndetshme, që mund t’i përgatisni për vaktin e fundit të ditës.

    Patate të ëmbla e të mbushura

    Patatet e ëmbla janë të mbushura me lëndë ushqyese të dobishme si beta karoten, vitamina C, kaliumi dhe fibrat.

    Ato janë të shijshme dhe kombinohen me pothuajse çdo gjë.

    Piqni një patate të ëmbël dhe pastaj mbusheni atë me perime të skuqura, fasule, pulë dhe djathë.

    Ju mund të zgjidhni të grumbulloni përbërësit tuaj të preferuar në një patate të ëmbël e të pjekur.

    Vezë me perime

    Vezët janë perfekte kur bëhet fjalë për yndyra dhe proteina të shëndetshme.

    Dhe për të përmbushur nevojat e trupit për fibra, ju mund të shtoni një shumëllojshmëri perimesh të tilla si: spinaqi, patatet e ëmbla, kunguj të njomë, qepë, brokoli, kërpudha dhe domate.

    Gjithashtu mund të shtoni edhe përbërës si djathi, lloje të ndryshme mishi etj.

    Sallatë

    Çelësi për të bërë një sallatë të shijshme, që do t’ju mbajë të ngopur është duke përfshirë shumë proteina, yndyrna të shëndetshme dhe fibra.

    Filloni me një bazë zarzavatesh të tilla si spinaqi, rukola ose sallata jeshile.

    Shtoni disa perime të tilla si specat, trangujt, karrotat, brokoli ose qepët e kuqe, për të rritur përmbajtjen e fibrave.

    Pastaj zgjidhni një burim proteinash si pulë e pjekur, karkaleca, ose vezë të ziera.

    Shtimi i një burimi fibrash të tilla si fasulet ose patatet e ëmbla, do ta plotësojnë më tej sallatën tuaj.

    Në fund mund të shtoni fara të llojeve të ndryshme si edhe vajin e ullirit dhe uthullën balsamike.

    Supë

    Pak vakte janë aq të kënaqshme sa një tas i ngrohtë me supë, sidomos gjatë ditëve të ftohta.

    Për fat të mirë, supa është një gatim i thjeshtë dhe është një zgjedhje e përsosur për përgatitjen e vaktit të darkës.

    Hamburger

    Një zgjedhje e shkëlqyer sepse është i shpejtë për t’u përgatitur dhe sigurisht që kënaq shijen dhe nepsin tuaj.

    Ju mund të bëni hamburgerë nga pothuajse çdo burim mishi, duke përfshirë mishin e viçit, të pulës, tonin etj.

    Shërbeni hamburgerët tuaj në një simite me drithëra integrale, të mbushur me zarzavate të ndryshme dhe shoqërojeni me një sallatë.

    Nëse nuk jeni të sigurt se çfarë të bëni për darkë, mos u frikësoni!

    Së pari, hidhini një sy frigoriferit për të parë se me çfarë përbërësish duhet të punoni.

    Më pas, krijoni një vakt të ekuilibruar duke zgjedhur një burim proteinash, një perime pa niseshte, një burim karbohidratesh dhe yndyrnash të shëndetshme.

  • Si të përgatisni lazanjën – Recetën e mrekullueshme dhe plot shije!

    Si të përgatisni lazanjën – Recetën e mrekullueshme dhe plot shije!

    Lazanja është një ushqim me origjinë italiane që është përvetsuar me mjeshtëri nga amvisat shqiptare.

    E ngrohtë, e sapo dalë nga furra, e plotë dhe e mrekullueshme në shijen që ofron, lazanja është receta që ka fituar zemrën e kujto në botë.

    Makaronat, mishi, djathi dhe salca e domates tek lazanja përmbajnë vitamina të kompleksit B dhe ushqyes që i vijnë në ndihmë metabolizmit.

    Mishi i viçit nëse përdorni të tillë është një burim hekuri që përmirëson qarkullimin e gjakut.

    Më poshtë do të gjeni një recetë klasike të lazanjës që mund t’a gatuani lehtë në shtëpi.

    Përbërësit e Lazanjës

    • 12 peta lazanje
    • Gjysmë kilogramë mish të grirë
    • 2 thelpinj hudhre të grirë
    • Gjysëm luge çaji me hudhër pluhur
    • 1 lugë çaji me rigon të thatë
    • Kripë dhe piper
    • 450 gramë gjizë
    • 2 vezë
    • Gjysëm filxhani me djathë parmixhano të grirë
    • 1 kavanoz e gjyzëm me salcë domateje me borzilok
    • 2 filxhanë me djathtë mocarela
    • Vaj ulliri

    Përgatitja

    Ndizeni furrën në një temperaturë prej 175 gradë.

    Ndërkohë, në një tenxhere me ujë hidhni ujë me pak kripë dhe lëreni të marr një valë.

    Shtoni petat e lazanjës dhe ziejini deri sa të zbuten për 10 minuta.

    Kullojini dhe lërini mënjanë

    Mishin skuqeni në një tigan bashkë me hudhrën, hudhrën pluhur, rigonin, kripën, piperin e zi.

    Skuqeni për 10 minuta deri sa të marrë ngjyrën karakteristike.

    Në një enë tjetër përzieni gjizën, vezët dhe djathin parmixhan.

    Vendosini petat e lazanjës në një tepsi dhe lyejini me salcën e domates.

    Më pas shtroni mishin.

    Shtresa e rradhës është masa e djathit.

    Përsëritini këto hapa deri sa tepsia të mbushet plot.

    Në shtresën e fundit, lyejeni petën me salcë dhe spërkateni me copat e vogla të mocarelës.

    Mbulojeni tepsinë me letër alumini.

    Futeni tepsinë në furrë dhe piqeni për 30 minuta deri sa djathi të ketë shkrirë dhe të ketë formuar bulëza.

    Hiqeni letrën e aluminit dhe lëreni zbuluar për 10 minuta të tjera deri sa djathi të marrë një ngjyrë kafe.

    Hiqeni tepsinë nga zjarri dhe lëreni lazanjën të ftohet për 10 minuta.

    Më pas servireni.

  • Lakrori i Çobanit – Ja si ta përgatisni thjeshtë në shtëpi

    Lakrori i Çobanit – Ja si ta përgatisni thjeshtë në shtëpi

    Lakrori i Çobanit është një recetë e vjetër e traditës shqiptare, e përgatitur brez pas brezi nga amvisat sidomos në stinën e dimrit.

    Një recetë tipike e ditëve të ftohta për t’i dhënë forcë organizmit falë vlerave ushqyese që kjo pjatë mbart nga përbërësit e saj.

    Shijeplotë dhe fantastike për t’u shtruar në raste të ndryshme drekash e darkash familjare.

    Sot, kjo recetë është është shndërruar në një gatim familjar, dhe jo vetëm kaq. Kjo pjatë speciale është edhe pjesë e menuve të ndryshme të restoranteve tradicionalë shqiptarë.

    Në fakt, receta e lakrorit të çobanit është një recetë e përgatitur edhe në vende të ndryshme të botës dhe daton shekuj e shekuj më parë.

    Kjo recetë shoqërohet mjaft mirë me sallata të freskëta të stinës, turshi të ndryshme e zahire të tjera të kuzhinës shqiptare.

    Ju përcjellim më poshtë recetën e vjetër të lakrorit të çobanit, një mënyrë fantastike për t’u servirur në familje apo në tryeza mes miqsh.

    Përgatitja e Lakrorit të Çobanit në Shtëpi

    Përbërësit

    Për 4-5 persona

    • 1 filxhan çaji mish i grirë (250gr)
    • 1 kokërr qepë mesatare
    • 2-3 lugë gjelle vaj ulliri për kimën
    • 1 lugë kafeje domate ose salcë domatesh
    • 1 kg patate
    • 1 gotë qumësht
    • 2 lugë gjelle me gjalpë
    • 1 kokërr vezë
    • 2 lugë gjelle kaçkavall i grirë
    • kripë, piper, majdanoz

    Përgatitja

    Mishi i grirë kaurdiset me qepë të grira hollë. Shtohen domatet ose salca, kripë, piper dhe ujë.

    Përzierja lihet të ziejë, sa të ngelet me pak lëng. Në fund hidhet majdanoz.

    Përgatitet pure patatesh e trashë me gjalpë, qumësht, vezë dhe ndahet në dy pjesë.

    Në një tavë të lyer dhe të pudrosur me galetë, vendoset gjysma e puresë.

    Sipër saj hidhet kima e përgatitur dhe sheshohet.

    Mbulohet me pjesën tjetër të puresë, spërkatet me gjalpë dhe me kaçkavall të grirë.

    Tava vendoset në furrë dhe lihet të piqet sa të marrë ngjyrë të artë në sipërfaqe.

  • Zupa shtëpie me arra dhe kanellë – Receta e lehtë dhe e ëmbël

    Zupa shtëpie me arra dhe kanellë – Receta e lehtë dhe e ëmbël

    Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me arra për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

    E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

    Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

    Një shije krejt tjetër, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, arrat e thërrmuara.

    Ju sugjerojmë më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së zupave.

    Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.

    Përgatitja e Zupave në Shtëpi

    Përbërësit 

    • 1.5 litra qumësht
    • 2 kokrra vezë
    • 9-10 lugë sheqer
    • 7 lugë niseshte
    • 1 lugë kafeje vanilje
    • 2 filxhanë çaji me arra të thërrmuara
    • Kanellë

    Përgatitja

    Si fillim, në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me pak arra të thërrmuara.

    Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy vezët e rrahura me sheqerin dhe niseshten.

    Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

    Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

    E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

    I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me arra të thërmuara.

    Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë arra por edhe pak biskota të thërrmuara nëse preferoni si dhe kanellë.

    Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta. Ato mund t’i kombinoni me fruta të ndryshme si dhe gjithashtu me përbërës të tjerë siç është reçeli i qershisë apo edhe lajthi e bajame.

  • Makarona me salcë spinaqi dhe domate – Shije dhe shëndet!

    Makarona me salcë spinaqi dhe domate – Shije dhe shëndet!

    Salcat janë mënyra më e mirë për të shoqëruar gatimet e sidomos makaronat.

    Shpesh konsiderohen të pashëndetëshme, por nëse i përgatisni si duhet ato në të vërtetë mund të kthehen në një vakt shumë natyral e plot vitamina.

    Për këtë arsye në recetën e sotëme ju këshillojmë të provoni makaronat me salcë të shijshme spinaqi e domatesh.

    Ju duhen vetëm disa përbërës të freskët dhe do t’i keni gati në tavolinë, ndaj ndiqni këshillat hap pas hapi.

    Përbërësit

    • 320 gr makarona
    • 200 gr spinaq
    • 250 gr domate të vogla
    • 40 gr djathë i grirë kaçkavall
    • 100 gr vaj ulliri
    • 30 gr arra ose lajthi
    • 1 thelbi hudhër
    • 20 gr sheqer
    • Kripë
    • Piper i zi
    • Trumzë

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete ju këshillojmë që të nisni me pjekjen e domateve në furrë.

    Ndajini ato në gjysmë dhe shtrojini në një tavë me letër pjekje.

    Spërkatini me pak vaj ulliri, kripë, pak sheqer, trumzë dhe piper të zi.

    Futini në furrë statike në temperaturë 160 gradë përreth 1 orë.

    Më pas vini të ziejë ujin për makaronat dhe hidhini ato si zakonisht kur uji të fillojë të ziejë.

    Mund të përdorni makarona të gjata spageti ose të shkrutra pene sipas preferencës tuaj.

    Ndërkohë që hidhni makaronat për tu zier përgatisni salcën e spinaqit.

    Në një mikser hidhni, spinaqin, arrat ose lajthitë, hudhrën, djathin dhe vajin e ullirit.

    Përziejini të gjithë përbërësit bashkë derisa të formohet një masë homoagjene dhe e ujshme.

    Hidhini pak kripë në fund hde vendoseni në një tigan me vaj ulliri, aty shtoni dhe makaronat të cilat duhet të jenë zier e në fund domatet e pjekura.

    Ndizni zjarrin e ngadaltë dhe hidhni edh epak nga uji i makaronave në mënyrë që ato të bashkohen më mirë me përbërësit e tjerë.

    Kur makaronat të jenë përzier mirë dhe të kenë marrë ngjyrën jeshile të salcës, mund t’i shërbeni sipas dëshirës.

  • Keku “magjik” vetëm me ujë – Ëmbëlsira me butësi dhe aromë të mrekullueshme!

    Keku “magjik” vetëm me ujë – Ëmbëlsira me butësi dhe aromë të mrekullueshme!

    Nëse do të kishim një listë të ëmbëlsirave më të njohura e të preferuara nga të gjithë, me siguri që keku do të ishte në majë të saj.

    Mund të përgatisni kek thuajse me gjithçka, kombinimet e kësaj ëmbëlsire i janë përshtatur çdo shije dhe pikërisht kjo e bën shumë popullore.

    Por nga të gjitha ato që mund të keni dëgjuar e provuar, klikoje.info ju tregon më të veçantën.

    Mos u shqetësoni edhe nëse nuk i keni të gjithë përbërësit tradicional të kekut në shtëpi, pasi ky kek magjik kërkon shumë pak prej tyre.

    Emërtimi magjik vjen sepse tek lista e përbërësve të tij nuk do të gjeni, as vezë as gjalpë e as qumësht.

    Prandaj nisni menjëherë me përgatitjen e tij për ta shijuar sa më parë.

    Përbërësit

    • 200 gr miell
    • 30 gr kakao pluhur
    • 120 gr sheqer
    • 40 ml vaj
    • 200 ml ujë
    • 5 ml uthull molle
    • 1 lugë çaji pluhur pjekje

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete ju këshillojmë që të ndizni furrën në temperaturën 180 gradë C dhe ta lini të ngrohet.

    Në një enë të thellë hidhni miellin, pluhurin e kakaos, sheqerin, pak kripë, pluhurin e pjekjes vajin dhe uthullën e mollës.

    Përzieni mirë dhe hidhni ujin e freskët pak nga pak, duke vazhduar përzierjen me duar ose me rrahës elektrik.

    Bëjeni këtë derisa të shikoni që është formuar një masë brumi e hollë dhe pa kokrriza.

    Më pas përgatisni një tavë pjekje rreth 20-22 cm të mbuluar me letër pjekje dhe në të hidhni me kujdes të gjithë brumin e kekut.

    Tundeni me kujdes, në mënyrë që të dalin bulëzat e ajrit që mund të kenë mbetur brenda dhe futeni në furrë.

    Lëreni të piqet në temperaturë 180 gradë për 17-20 minuta, derisa të shikoni që ka marrë ngjyrë të kafenjtë.

    Pasi ta nxirrni nga furra, lëreni të ftohet 10 minuta më pas mund ta hiqni nga tava e ta prisni.

    Sipas dëshirës sipër mund të shtoni sheqer pluhur, copëza çokollate të grirë apo pak çokokrem.

  • Tortë akulli me kafe – Receta plot aromë, shije dhe freski!

    Tortë akulli me kafe – Receta plot aromë, shije dhe freski!

    Një nga momentet më të preferuara për shumicën e njerëzve gjatë ngrënies është momenti i ëmbëlsirës.

    Kështu që një ëmbëlsirë e freskët do të ishte zgjidhja ideale, sidomos në këtë kohë ku temperaturat janë ende të larta.

    Për të gjithë adhuruesit e kafes receta që ju propozojmë sot do të jetë shumë e dashur.

    Torta e ftohtë dhe kremoze me shije kafeje është një mrekulli që mund t’a përgatisni shumë lehtë në shtëpitë tuaja.

    Ndaj ndiqni hap pas hapi udhëzimet si më poshtë.

    Përbërësit

    • 150 gr biskota
    • 70 gr gjalpë
    • 250 gr kos
    • 100 gr krem djathi
    • 100 ml pana për ëmbëlsira
    • 2 lugë sheqer
    • 1 filxhan kafe e përgatitur
    • 50 gr çokollatë e shkrirë për dekor

    Përbërësit

    Për realizimin e kësaj recete ju këshillojmë të filloni me përgatitjen e bazës së ëmbëlsirës.

    Shkrini gjalpin në një tigan për disa minuta dhe më pas fusni biskotat në një mikser.

    Kur biskotat të jenë të thërrmuar plotësisht, shtoni gjalpin e shkrirë duke i përzier derisa të krijohet një masë kompakte.

    Shtroni thërrimet e biskotave në një tave rrethore për pjekjen duke i ushtruar presion me anë të duarve.

    Do të formohet një shtresë e hollë dhe e ngjeshur me biskota.

    Më pas futeni këtë tavë në frigorifer deri në një moment të dytë kur ju duhet t’a përdorni.

    Ndërkohë në një enë të thellë, bashkoni kremin e djathit me kosin, kafenë e zier, panën e ëmbëlsirave dhe sheqerin.

    Trazojini me kujdes me rrahës elektrik ose me tel kuzhine, derisa kremi të ketë marrë ngjyrën e kafes dhe të jetë formuar një masë e trashë.

    Nxirrni tavën me biskotat nga frigoriferi dhe shtroni në të gjithë sipërfaqen edhe kremin e përgatitur.

    Shtrojeni kremin me kujdes në mënyrë që të jetë i barabartë nga të gjitha anët.

    Ju këshillojmë të shtoni sipër edhe disa copa çokollate të grira ose çokollatë të zezë të shkrirë.

    Pasi të keni mbaruar me dekorin futeni në frigorifer dhe lëreni për të paktën 3-4 orë.

    Nëse vendosni ta ruani në akull sigurohuni t’a nxirrni ëmbëlsirën në temperaturë ambienti 1 orë para servirjes.

  • Si të përgatisni fileto peshku të fërguar në tigan – Receta e shpejtë!

    Si të përgatisni fileto peshku të fërguar në tigan – Receta e shpejtë!

    Skuqja e peshkut është një nga bazat e gatimit, njësoj si zierja e vezës apo gatimi i pilafit.

    Peshku i skuqur në tigan është një alternativë shumë e shpejtë për të përgatitur një darkë të lehtë në vetëm 10 minuta.

    Por përpara se të lexoni një recetë të thjeshtë të skuqjes së peshkut, është e rëndësishme të mësojmë metodën më të lehtë për të pasur një skuqje sa më të thjeshtë dhe jo problematike.

    Për skuqje, është e rëndësishme që peshku të ketë në tigan hapësirën që i nevojitet.

    Pra, tigani nuk duhet të mbushet shumë ndaj peshku duhet të skuqet një e nga një.

    Në lidhje me tiganin, ekspertët këshillojnë përdorimin e një tigani që nuk ngjit sepse peshku ka tendencën të shpërbëhet gjatë skuqjes.

    Peshqit Më Të Mirë e Të Përshtatshëm Për Skuqje

    Ekspertët këshillojnë që nëse planifikoni të keni peshk të skuqur për drekë apo për darkë të zgjidhni të duhurin sepse jo çdo peshk është i përshtatshëm për këtë mënyrë gatimi.

    Peshqit më të mirë për skuqje janë:

    • Merluci,
    • Trofta
    • Barbuni
    • Sardelja
    • Frutat e detit

    Fileto Peshku e Fërguar Në Tigan

    Përberësit:

    • 250 gramë fileto peshku për person
    • Kripë
    • Piper
    • 2 lugë gjelle gjalpë ose vaj ulliri
    • Erëza dhe limon
    • Pas shpëlarjes me ujë të rrjedhshëm, thajeni fileton mirë nga të dyja anët

    Përgatitja:

    Spërkateni me kripë dhe piper.

    Vendosni tiganin në zjarr dhe hidhni yndyrën e përzgjedhur.

    Kur ajo të jetë e nxehur mjaftueshëm vendosni fileton dhe skuqeni për dy-tre minuta në secilën anë deri sa të marrë një ngjyrë të artë e lëkura të bëhet krokante.

    Servireni peshkun menjëherë dhe shtoni erëzat tuaja të preferencës bashkë me limonin.

    Peshkun mund ta servirni duke e shoqëruar me sallatë.

  • Akullore shtëpie me arra të pjekura – Shije fantastike!

    Akullore shtëpie me arra të pjekura – Shije fantastike!

    Krejt e lehtë, e shëndetshme dhe me shije të freskët.

    Akullorja e shtëpisë është padyshim një delikatesë fantastike, e cila shijon pa masë.

    Ju sugjerojmë më poshtë një recetë të mrekullueshme të përgatitjes së akullores me qumësht dhe arra të pjekura.

    Kërkon pak mundim dhe pak përbërës por të mrekullon me shijen e saj freskuese.

    Mund ta kombinoni me fruta të ndryshme sipas dëshirës e ta konsumoni në çdo kohë të ditës, ajo do t’ju freskojë dhe ëmbëlsojë menjëherë mendjen edhe shpirtin jo vetëm ju por edhe më të dashurve tuaj.

    Përgatitja e Akullores së Shtëpisë me Qumësht dhe Arra 

    Përbërësit 

    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    • 4 filxhanë çaji me qumësht
    • 4 kokrra vezë
    • 1 filxhan çaji sheqer
    • Një lugë çaji vanilje
    • 1 lugë gjelle niseshte
    • 1 filxhan me arra të pjekura

    Përgatitja 

    Si fillim, zjeni qumështin dhe lëreni të ftohet pak ndërkohë vendosni arrat të piqen në furrë të parangrohur për 10 minuta.

    Më pas, rrihni vezët bashkë me sheqerin dhe hidhini në tenxheren ku keni qumështin.

    Merrni pak nga masa e qumështit shkrini niseshtenë dhe hidheni masën në tenxheren e qumështit.

    Përziejeni mirë dhe vendosini në zjarr shumë të ngadaltë duke i përzjerë vazhdimisht në mënyrë që masa të mos nisë të zjejë pasi priten vezët.

    Kur masa të trashet, largojeni nga zjarri.

    Hidhini arrat e pjekura dhe vaniljen.

    Vendoset në kupa ose në një tas të madh dhe pasi ftohet në temperaturë ambjenti futet në zonën e ngrirjes së frigoriferit.

    Sapo të ftohet dhe të ngrijë sa duhet është gati për t’u servirur.

    Shoqërohet në mënyrë fantastike me reçel qershie apo luleshtrydhe, fruta të thata etj.

    Për një shije edhe më fantastike, këtë akullore mund ta përdorni edhe në shoqërimin e kekëve të ndryshëm apo edhe krepave të ëmbla.

    Nëse preferoni akulloren mund ta shoqëroni edhe me copëza çokollate apo biskotash të ndryshme.