Lajmet e fundit | Klikoje.al

Category: Receta

Kategoria Receta ka për qëllim të ndaj me ju receta, gatime nga me te ndryshmet. Tradicionale dhe europiane, të ëmbla dhe të kripura. Ne ju japim ide për vaktet tuaja!

  • Liker me arra – Ja si ta përgatisni thjeshtë fare në shtëpi

    Liker me arra – Ja si ta përgatisni thjeshtë fare në shtëpi

    Fjala liker vjen nga latinishtja dhe do të thotë “të tresësh”, në këtë pije mund të tresni ujin, sheqerin, alkoolin e fortë, erëza, fruta dhe barishte të ndryshme.

    Është përgatitur për herë të parë rreth viteve 1200 -1300 të erës sonë në Itali dhe tradita e përgatijes së tij vazhdon e mbahet gjallë sot në të gjithë botën.

    Në mjekësinë popullore, likeri me arra është përdorur për qindra vite me rradhë si kurë natyrale për shumë probleme shëndetsore.

    Në ditët e sotme, kjo pije njihet si ndihma e parë për njerëzit që vuajnë nga problemet me stomakun dhe si kurë natyrale për aneminë dhe gjakun.

    Edhe pse recetat e transmetuara nga brezi në brez janë të shumta, disa nuk janë më të lexueshme. Por një gjë është e sigurt: për të përgatitur këtë liker ju duhen 24 arra, ende të gjelbërta, të mbledhura para se të mbulohen nga vesa e mëngjesit!

    Me shijen e saj të fortë dhe aromatike, do të jetë kënaqësi ta shijoni atë në mbrëmjet e ftohta të dimrit dhe pas darkave të bollshme, ku do të vëreni edhe fuqinë e saj tretëse!

    Përbërësit

    • 850 gr arra të njoma e të freskëta (ose 24 kokrra)
    • 1 l raki
    • 500 gr ujë
    • 500 gr sheqer
    • lëkurë limoni
    • 2 shkopinj kanelle
    • 3 karafila

    Përgatitja

    Për të përgatitur këtë pije, filloni duke larë mirë arrat dhe më pas t’i përgjysmoni ato. Këshillohet të vishni doreza, pasi ato mund të njollosin duart tuaja.

    Vendosini arrat në një kavanoz të madh qelqi dhe shtoni në të kanellë dhe karafil.

    Shtoni gjithashtu lëkurën e limonit, të cilën mund ta qëroni imët me anë të një qëruesi patatesh, në mënyrë që të mos hiqni pjesën e bardhë, e cila jep një shije të hidhur.

    Shtoni alkool derisa përbërësit në kavanoz të mbulohen tërësisht dhe më pas mbylleni kavanozin.

    Lëreni në diell për 40 ditë, duke u kujdesur që ta përzieni çdo ditë duke e tundur.

    Pas 40 ditësh, hapeni kavanozin, hiqni arrat dhe lini mënjanë vetëm alkoolin, që ndërkohë do të ketë thithur të gjitha aromat e nevojshme.

    Në një tenxhere shtoni ujë dhe sheqer, lëreni të ziejnë derisa sheqeri të tretet plotësisht.

    Më pas bashkojeni këtë përzierje me alkoolin e lënë mënjëanë dhe me ndihmën e një hinke hidheni atë në një shishe.

    Ruajeni këtë shishe në temperaturë dhome ose në frigorifer rreth 3-4 muaj, para se ta shijoni.

  • Omëletë me barbunja – E shijshme dhe gati në pak kohë!

    Omëletë me barbunja – E shijshme dhe gati në pak kohë!

    Omëleta është një ndër ushqimet më të shijshme dhe plot vlera që ju shoqëron çdo mëngjes,  e cila mund të përgatitet në dhjetra mënyra gatimi.

    Ju mund të përdorni një shumëllojshmëri përbërësish që mjafton t’i përziesh me vezën dhe t’i skuqësh.

    Më poshtë, ju sugjerojmë një recetë të shëndetshme dhe krejt unike, të përgatitjes së omëletës me barbunja a, për të nisur ditën mbarë bashkë me familjen tuaj.

    E lehtë dhe e shijshme, kjo omëletë është perfekte për një vakt shumë origjinal!

    Përbërësit

    • 150g bishtaja
    • 3 vezë
    • 1/2 qepë e vogël
    • 1 filxhan me koriandër
    • 2 speca jeshil djegës
    • 30 g miell
    • Kripë për shije

    Përgatitja

    Filloni duke larë dhe prerë bishtajat në copa rreth 1-2cm. Ziejini në ujë me kripë për 2 minuta.

    Më pas kalojini në një tas dhe shtoni aty vezët, kripë për shije, gjysmën e qepës së grirë, një filxhan koriandër të grirë, miellin, specat djegës nësë dëshironi.

    Në fund përziejini mirë përbërësit sa të bashkohen me njëri-tjetrin.

    Hidheni omëletën në një tigan me vaj të nxehur dhe gatuajeni për rreth 10 minuta nga secila anë.

  • Receta ​​e mrekullueshme e kremit të limonit – Gati për çdo ëmbëlsirë tjetër!

    Receta ​​e mrekullueshme e kremit të limonit – Gati për çdo ëmbëlsirë tjetër!

    Receta e sotme është me të vërtetë e mrekullueshme!

    Këtë përgatitje ju mund ta shijoni në formën e kremit të freskët dhe plot me aromë ose ta përdorni në receta të ndryshme.

    Një ëmbëlsirë e përsosur për të gjitha stinët, e cila përgatitet në më pak se gjysmë ore. Përbërësit e saj janë të paktë, prandaj zgjidhni ato me kujdes, veçanërisht limonët, të cilët duhet të jenë të freskët.

    Ndiqni më poshtë recetën që ju sjellim sot për ju dhe provoni edhe ju vetë ta përgatisni këtë krem.

    Përbërësit

    (për 4 persona)

    3 limonë

    3 të verdha vezësh

    130 g sheqer

    30 g niseshte misri

    100 ml ujë

    50 g gjalpë

    Përgatitja

    Grini lëkurën e limonëve në një tas të vogël dhe lëreni mënjanë.

    Më pas shtrydhni limonët dhe filtroni lëngun me ndihmën e një kullese.

    Vazhdoni duke ndarë të verdhat nga të bardhat e vezëve.

    Bashkoni sheqerin dhe niseshtën e misrit në një tas të vogël.

    Pas kësaj, bashkoni  lëngun dhe lëkurën e limonëve të grirë në një tigan, shtoni ujin dhe në fund përzierjen e sheqerit dhe niseshtesë.

    Ne përziejini mirë dhe vendoseni tiganin në nxehtësi të ulët për rreth 2 minuta derisa të përftoni një krem ​​homogjen.

    Flaka duhet mbajtur gjithmonë e ulët, përndryshe kremi do të trashet shumë dhe do të digjet.

    Në këtë moment shtoni të verdhat e vezëve duke i përzier dhe lërini në zjarr të ulët edhe për një minutë tjetër.

    Fikni zjarrin dhe shtoni gjalpin e prerë në copa të vogla. Përziejeni mirë derisa të shkrihet.

    Kremi duhet të lihet të ftohet në frigorifer për të paktën një orë para se të shërbehet.

  • Lëng kremoz me fruta dhe qumësht – Ja si ta përgatisni për dobësim!

    Lëng kremoz me fruta dhe qumësht – Ja si ta përgatisni për dobësim!

    Lëngjet me fruta dhe qumësht kanë marrë vëmendjen e duhur këto vitet e fundit.

    Duke qenë se janë shumë të thjeshtë për t’u përgatitur, këto pije kremoze mund të zëvendësojnë lehtësisht edhe vaktet e shpejta si mëngjesi apo darka e vonë.

    Të njohura ndryshe si smoothie, këto pije sidomos ato që kombinojnë bananen dhe qumështin, këshillohen për trajtimin e problemeve me peshën.

    Nëse dëshironi që të shtoni peshë mjafton që të shtoni disa banane tek lëngu juaj, dhe do t’i jepni trupit kaloritë e nevojitura.

    Nga ana tjetër kur doni që të hiqni disa kilogramë, kjo pije ju vjen përsëri në ndihmë pasi ka vetëm 100 kalori por ju mban të ngopur për orë të tëra.

    Një tjetër faktor pozitiv i kësaj recete është përfshirja e mjaltit që quhet ndryshe si antibakteriali më efektiv.

    Ndërkohë qumështi i sojës eliminon mundësinë e fryrjes së barkut, diçka që është thuaj e pashmangshme përmes qumështit të zakonshëm.

    Gjithashtu soja duke qenë bishtajë ka proteina bimore të cilat ndihmojnë organizmin të jetë i shëndetshëm.

    Klikoje.al ju tregon një recetë shumë të thjeshtë e cila mund të përgatitet në vetëm pesë minuta.

    Përbërësit

    • 250ml qumësht soje
    • 1 banane
    • 50g bajame  
    • 1lç mjaltë

    Përgatitja

    Mjafton që para se të përgatisni këtë recetë t’i lini përbërësit të paktën 30 minuta në frigorifer, e ndërsa bananen në ngrirje.

    Më pas bashkojini që të gjithë në mikser apo blender dhe punojini derisa të formoni një masë kremoze dhe të trashë.

    Këtë pije konsumojeni si vaksin kryesor të darkës nëse dëshironi të bini nga pesha. Mund ta pini në mëngjes për t’i dhënë trupit energjinë e duhur gjatë ditës. Por edhe nëse shkoni në palestër kjo pije është ajo që ju duhet, pasi ndihmon trupin të ketë fuqi por edhe të ndihmojë muskujt të mos kontraktohen. Përgatiteni sa herë që të keni nevojë dhe do të shihni ndryshime në trupin tuaj që në javët e para.

  • Krem vanilje e shtëpisë – Receta kremoze dhe me shije të ëmbël!

    Krem vanilje e shtëpisë – Receta kremoze dhe me shije të ëmbël!

    Kremi Qumështi me Vanilje apo e njohur më së shumti si Muhalebi është pa dyshim një ëmbëlsirë e dashur e shtëpisë.

    Receta origjinale i ka rezistuar kohës që nga lashtësia duke u bërë një ndër ëmbëlsirat më të përdorura në Europë.

    Kremoze e ëmbël dhe me shumë pak përbërës muhalebija do të kthehët në pudingun tuaj të preferuar.

    Është ushqimi ideal për fëmijët e vegjël, por njësoj i shijshëm edhe për të rriturit.

    Klikoje.al e ka pasuruar recetën e sotme duke i shtuar shijen e frutave të preferuara  dhe vaniljes.

    Recetën mund ta përgatisni hap pas hapi si më poshtë.

    Përbërësit

    • 250 gr miell
    • 35 gr niseshte
    • 1 flixhan ujë
    • 1 litër qumësht
    • 250 gr sheqer
    • 1 lugë çaji vanilje
    • Fruta dhe arrorë sipas dëshirës (arra, lajthi, bajame, kivi, portokall,  mollë, banane e vogël, boronica, shegë)

    Përgatitja

    Në një tigan të thellë hidhni qumështin me sheqerin dhe lërini të ngrohen në zjarr të ulët duke i përzier herë pas here.

    Përzieni niseshten dhe miellin me 1 flixhan ujë derisa të jenë tretur plotësisht.

    Më pas, masën e përfituar shtojani qumështit duke i lënë në zjarr për rreth 30-40 minuta të tjera.

    Duke shtuar vaniljen kujdesuni ta përzieni herë pas here në mënyrë që ëmbëlsira të mos digjet.

    Kur qumështi të jetë trashur në formën e një pudingu atëhere muhalebija është gati.

    Hiqeni nga soba dhe hidheni në kupat e ëmbëlsirave, nëse dëshironi mund të vendosni biskota në fund të kupave, më pas kremin e muhalebisë dhe fruta sipas dëshirës kivi, mollë, banane, boronica, potokall apo shegë.

    Kujdesuni t’i prisni frutat në kubikë të vegjël për t’i hedhur brenda kremit.

    Për ta dekoruar mund të përdorni sërisht frutat, pak arra ose stika.

    Lëreni të ftohet për disa minuta dhe mund ta shijoni mënjëherë.

  • Byrek special me spinaq – Traditë e vjetër dhe shije unike!

    Byrek special me spinaq – Traditë e vjetër dhe shije unike!

    Tradita shqiptare e gatimit është e pasur me shije e aroma të dashura, pas të cilave shumëkush që i ka provuar, ka mbetur i magjepsur.

    Mes mjeshtërisë së recetave në kuzhinën shqiptare padyshim tradita unike e byrekut dhe lakrorit është më tërheqësja e shijes jo vetëm për shqiptarët por më së shumti për turistët e huaj.

    Byrekët mund të përgatiten me një larmi produktesh, me djathtë e qumësht, me qepë e domate, apo me presh por një ndër më të shëndetshmit me plot shije është byreku me spinaq.

    Ai ka jo vetëm një shije unike, por dhe vlera të larta ushqyese që vijnë nga spinaqi me të cilat përgatitet.

    Ju sjellim më poshtë recetën e byrekut me spinaq.

    Përgatitja krejt lehtë në shtëpi 

    Përbërësit

    • 1 kg spinaq
    • 6-7 qepë të njoma
    • 500 gr Miell
    • 250 ml Ujë
    • Kripë
    • 200 gr Djathë i thërrmuar
    • 2 kokrra vezë
    • Vaj Ulliri
    • Sodë Buke
    • Nenexhik

    Përgatitja e Brumit 

    Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

    Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

    Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra.

    Përgatitja e Mbushjes me Spinaq

    Spinaqin e pastruar mirë me ujë të rrjedhshëm e lëmë të kullojë nga uji dhe e shtypim me duar, i shtojmë qepët e prera hollë, i shtypim të gjitha bashkë.

    Më pas hedhim pak kripë. Nëse preferoni, ju sugjerojmë të shtoni pak nenexhik të freskët, të prerë hollë.

    Në fund, rrihni vezët me pak qumësht në një tas bashkë me djathin e thërrmuar dhe shtojani spinaqit duke e përzjerë derisa masa të bëhet homogjene.

    Procesi i përgatitjes së byrekut

    Ju sugjerojmë të ndani brumin në 10 toptha të vegjël.

    Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt.

    Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me spinaq dhe vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri.

    Hedhim pjesën tjetër të spinaqit dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera.

    Në fund petëve u kthejmë pak anët.

    Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur.

    Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati.

  • Vetëm me 2 përbërës! Ja si të përgatisni bonbone me kakao vetë në shtëpi

    Vetëm me 2 përbërës! Ja si të përgatisni bonbone me kakao vetë në shtëpi

    Nëse ju pëlqen të përgatisni ëmbëlsira të veçanta e të shpejta, një të tillë sapo e keni gjetur.

    Në mes të bonboneve me cokollatë, biskotave me kakao dhe ëmbëlsirave kremoze, qëndron pikërisht edhe receta e sotme.

    Të pasura me pluhur kakao dhe qumësht, këto bonbone apo cokollata të vogla që do të përgatisim sot me siguri do të ju marrin mendjen dhe zemrën që në përgatitjen e parë.

    Ndiqni mëposhtë të gjithë procesin dhe shijojini edhe ju në shtëpitë tuaja.

    Përbërësit

    • 350 gr qumësht i kondesuar
    • 30 – 40  gr kakao pluhur

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete ju sugjerojmë të zgjidhni një tavë të thellë rreth 11 me 16 cm dhe ta shtoni me letër pjekje.

    Lëreni tavën mënjanë dhe vazhdoni me pjesën tjetër të përgatitjes.

    Në një enë shtoni qumështin e kondesuar dhe në një tjetër pluhurin e kakaos.

    Kini parasysh që qumështi i kondesuar duhet të jetë në tempëraturë ambienti dhe jo direkt nga frigoriferi në mënyrë që të jetë sa më i ujshëm.

    Më pas me anë të një site shtoni tek qumështi të gjithë pluhurin e kakaos dhe përzieni me spatul ose pirun.

    E gjithitë masa do të marrë formën e brumit të cilin më pas do ju duhet ta punoni me duar derisa të formoni një topth.

    Lyeni duart me shumë pak vaj dhe vazhdoni me punimin e brumit siç bëni zakonisht me brumin e byrekut.

    Nëse masa është shumë e ujshme dhe ju ngjith në duar, shtoni edhe pak pluhur kakao.

    Në rastet kur është shumë e thatë shtoni nga një lugë çaji qumësht të kondesuar derisa të arrini formën perfekte.

    Në fund duhet të jetë formuar topi i butë e i rrumbullaktë i brumit tuaj me dy përbërës.

    Për formën

    Tani merrni tavën që bëtë gati në fillim dhe shtypni në të me duar të gjithë brumin në mënyrë të barabartë derisa të keni formuar një petë të trrashë.

    Futeni të pushojnë për 1 orë në frigorifer dhe kur ta nxirrni petën hiqeni nga tava bashkë me letrën e pjekjes.

    Tregoni kujdes në mënyrë që të mos ta dëmtoni dhe spërkasni sërish me pluhur kakao nëpër të gjithë sipërfaqen.

    Me anë të një thike prisni në katrorë të vegjël e të barabartë të gjithë petën e më pas vendosini në një enë të veçantë për servirje.

    Sipas dëshirës mund t’i ruani edhe në frigorifer deri në 1 javë ose në ngrirje të mbylla për 3 muaj.

  • Zupë me kek dhe krem – Shija më e ëmbël e shtëpisë!

    Zupë me kek dhe krem – Shija më e ëmbël e shtëpisë!

    Zupa është ëmbëlsira klasike e cila nuk mund të ngatërrohet me asgjë tjetër dhe mund të shërbehet në çdo rast.

    Madje për shkak të shijes së mirë që kjo ëmbëlsirë ka, amvisat nuk rezervojnë ndonjë rast të veçantë për ta gatuar.

    Atë mund ta gjeni kurdoherë në tryezat e shumë shtëpive, pasi përgatitët lehtë dhe shijon shumë.

    Në recetën e sotme ju tregojmë recetën shumë të dashur të zupës me kek dhe krem pastiçerie.

    Mund ta përgatisni fare lehtë në shtëpi, ndaj bëni gati përbërësit dhe filloni me përgatitjen si më poshtë.

    Përbërësit

    Për kremin

    • 8 të verdha vezësh
    • 75 gr miell
    • 1 litër qumësht
    • lëkura e grirë e një limoni
    • 2-3 lugë gjelle me sheqer

    Për kekun

    • 5 kokrra vezë
    • 75g miell
    • 150g sheqer
    • 1 paketë me vanilje
    • shurup portokalli ose sherbet

    Përgatitja

    Si fillim, ju udhëzojmë të përgatisni kekun e pandispanjës, rrihni vezët në një tas të madh.

    Më pas, shtoni sheqerin dhe vijoni t’i rrihni përreth 20-25 minuta derisa vëllimi i vezëve të trefishohet.

    Mielli sitet dhe hidhet pak nga pak në masën e vezëve të rrahura duke e trazuar lehtë me telin e rrahjes së vezëve.

    I gjithë sekreti i kësaj ëmbëlsire qëndron në kujdesin që duhet treguar në ruajtjen e vëllimit të masës.

    Shtohen lëkurat e grira të portokallit. Lyhet tava me gjalpë, spërkatet me pak miell dhe më pas shtohet masa.

    Piqet në nxehtësi mesatare përreth 25-30 minuta dhe më pas lihet të ftohet.

    Kekun e pndispanjës mund ta gjeni edhe të gatshëm nëpër dyqane apo supermakrete.

    Për kremin

    Më pas vazhdoni me përgatitjen e kremit duke hedhur në një enë të thellë të verdhat e vezëve, sheqerin.

    Përziejini mirë me rrahës elektrik derisa sheqeri të shkrijë dhe të formohet një masë e njëtrajtshme.

    Shtoni edhe miellin pak nga pak tek vezët dhe vazhdoni me përzierjen derisa të keni masën kremoze të preferuar.

    Ndërkohë në një tenxhere ngrohni qumështin për disa minuta, derisa të shikoni bulëzat e para në sipërfaqen e tij.

    Hiqeni qumështin nga zjarrin dhe hidheni tek ena kur formuat kremin më parë, teksa e bëni këtë përzieni vazhdimisht.

    Më pas të gjithë këtë përzierje paksa të lëngshme hidheni në një tenxhere të thellë dhe vendoseni në zjarr të ulët.

    Përzieni me një lugë druri, derisa masa të trashet plotësisht e të marrë formën e kremit.

    Hiqeni nga zjarri dhe shtoni lëkuren e grirë të një limoni dhe lëreni të ftohet.

    Zgjidhni gotat apo enët që ju dëshironi të hidhni zupën tuaj.

    Pandispanjën lageni me pak sherbet apo shurup portokalli të përgatitur nga ju sipas dëshirës.

    Shtroni shtresën e parë të kremin tek fundi i enës duke u mbuluar pak atë më pas me një shtresë të hollë pandispanje rreth 1 cm.

    Hidhni sërish krem e më pas sërish kek.

    Bëjeni këtë derisa kremi dhe pandispanja të mbarojnë, hidhni shtresën e sipërme të kremit dhe më pas shtoni arra apo bajame sipër dëshirës.

    Vendoseni zupën tuaj në frigorifer për 2-3 orë derisa të ftohet plotësisht e më pas mund t’a konsumoni sipas dëshirës.

  • Akullore shtëpie pa vezë – Receta kremoze dhe plot freski!

    Akullore shtëpie pa vezë – Receta kremoze dhe plot freski!

    Kjo do të jetë receta më e shijshme e akullores kremoze që do të përgatisni në shtëpi.

    Për të gjithë ata që nuk e durojnë dot aromën e vezëve në ëmbëlsira, kjo akullore do të kthehet në të preferuarën e tyre.

    Përgatitja nuk do t’ju marrë aspak kohë pasi hapat janë shumë të thjeshtë për t’u ndjekur.

    Shija e veçantë e çokollatës është një tjetër pikë e fortë e kësaj recete të përkryer.

    Përgatiteni që sot dhe do të mrekulloheni me freskinë dhe delikatesën e saj.

    Përbërësit

    • 38 g kakao
    • Gjysmë luge çaji me kafe ekspres
    • 1 lugë gjelle me niseshte
    • 1 gotë me pana
    • 1 gotë me qumësht
    • 2 lugë çaji me vanilje
    • 250 g çokollatë e grirë
    • 400 g qumësht të kondensuar

    Përgatitja

    Ju këshillojmë që të nisni përgatitjen e recetës duke përzierë kakaon, kafen ekspres dhe niseshtenë në një tenxhere.

    Më pas shtoni panën dhe qumështin ngadalë dhe përzjejeni derisa masa të lidhet plotësisht.

    Vendoseni tenxheren në zjarr dhe duke e përzierë pa ndërprerje lëreni të vlojë për 5-10 minuta.

    Ndërkohë shtoni vaniljen dhe lëreni masën që të ziejë edhe për dy minuta dhe largojeni nga zjarri.

    Ju sugjerojmë që çokollatën ta grini me ndihmën e një thike dhe copëzat t’i shtoni tek masa e përgatitur.

    Përzjejeni derisa e gjithë çokollata të ketë shkrirë dhe masa të jetë e njëtrajtshme dhe kremoze.

    Tani është radha e qumështit të kondensuar.

    Duke qenë se ky produkt përdoret si ëmbëlsues, receta nuk ka nevojë për sheqer.

    Pasi ta keni përzierë mirë sasinë e qumështit të kondensuar kalojeni masën në një tas dhe futeni në frigorifer.

    Lëreni në frigorifer të paktën 3-4 orë, që të ftohet e më pas përzjejeni dhe njëherë me rrahësin elektrik.

    Tani kalojeni në ngrirje dhe lëreni të pushojë për 6-8 orë.

    Ju mbetet vetëm ta servirni për të dashurit tuaj e të shijoni akulloren delikate.

  • Ja si të gatuani rizoton perfekte në shtëpi krejt lehtë!

    Ja si të gatuani rizoton perfekte në shtëpi krejt lehtë!

    Rizoto është një specialitet italian me bazë orizi që gatuhet me lëngun e mishit, peshkut apo të perimeve.

    Receta e parë e këtij gatimi kremoz daton në vitin 1809 dhe përmbante: gjalpë, salçice, lëngun e kockave, qepë dhe shafran.

    Me kalimin e viteve, recetat e këtij gatimi u pasuruan dhe u përvetësuan nga amvisat anëembanë botës.

    Aftësia për të përgatitur një rizoto të mirë është asi  nën mëngë për çdo amvisë sepse një pjatë e tillë është shumë e shijshme dhe përgatitet lehtë, siç do ta mësoni në këtë artikull.

    Si Të Gatuani Rizoton Perfekte Në Shtëpi

    Rizoto është një pjatë, gatimi i së cilës kërkon shumë vëmendje dhe kujdes.

    Sipas shefave italianë të kuzhinëës, rizoto nuk kërkon më shumë se 20 minuta për tu përgatitur por sekreti qëndron tek teknika e përdorur. cilësia e orizit si dhe temperatura e lëngut të përzgjedhur.

    Ky i fundit duhet të jetë i ngrohtë sepse një lëng i ftohtë nxjerr një rizoto jo të mirë.

    Përbërësit:

    • 8 filxhanë me lëng pule ose perimesh,
    • 1 lugë gjelle me gjalpë pa kripë (dhe më shumë)
    • 1 qepë e njomë e prerë hollë
    • Kripë,
    • 2 filxhanë me oriz për rizoto
    • Gjysëm filxhani çaji me verë të bardhë të thatë,
    • 1 filxhan me djathë kaçkavall të grirë.

    Përgatitja

    Në fillim duhet të ngrohni lëngun e perimeve ose të pulës në një tenxhere.

    Lëngu i ngrohtë përshpejton gatimin e rizotos.

    Më pas merrni një tigan dhe shkrini gjalpin.

    Me të duhet të kavërdisni qepën me kripë për rreth 4 minuta deri sa të zbutet.

    Shtoni orizin dhe përziejeni deri sa çdo kokërr orizi të jetë yndyrosur.

    Nëse duhet mund të shtoni më shumë gjalpë.

    Përziejeni orizin deri sa majat e çdo kokrre të jenë bërë e tejdukshme, pra për rreth 2 minuta.

    Më pas shtoni verën dhe përziejeni herë pas here derisa ajo të jetë përthithur plotësisht dhe tenxherja të jetë thuajse e thatë.

    Në këtë pikë, duhet të shtoni gjysmë filxhani me lëngun e përzgjedhur, përziejeni dhe kur të jetë përthithur pak, shtoni dalëngadalë pjesën e mbetur.

    Hedhja graduale e lëngut është thelbësore për një rizoto të shijshme.

    Shtoni lëng deri sa orizi të mos jetë plotësisht i butë ndërkohë që e gjithë masa të jetë kremoze.

    Rizoto quhet i bërë kur orizi është pak i fortë ndërsa e gjithë masa është e trashë.

    Pjata përfundon duke shtuar edhe pak gjalpë dhe djathë kaçkavall për ta bërë rizoton sa më kremoze.

    Rizoto duhet servirur menjëherë sepse në të kundër do të humbasë kremozitetin.