Lajmet e fundit | Klikoje.al

Category: Receta

Kategoria Receta ka për qëllim të ndaj me ju receta, gatime nga me te ndryshmet. Tradicionale dhe europiane, të ëmbla dhe të kripura. Ne ju japim ide për vaktet tuaja!

  • Receta më e thjeshtë e kekut me banane!

    Receta më e thjeshtë e kekut me banane!

    Në këtë artikull, klikoje.info ju njeh me një recetë fare të thjeshtë, por shumë të shijshme dhe të shëndetshme, ajo është receta e kekut me banane.

    Shumica e recetave të kekut me banane, kërkojnë dyfishin e sasisë së gjalpit që është përdorur në këtë recetë.

    Por për ta mbajtur kekun të njomë dhe për të ruajtur shijen e frutave, duhet të reduktoni sasnë e gjalpit, të shtoni një banane dhe pak kos.

    Përbërësit

    • 4 banane shumë të pjekura, të qëruara dhe të shtypura (rreth 2 gota)
    • 1⁄2 filxhan kos
    • 4 lugë gjelle, gjalpë i shkrirë
    • 2 vezë
    • 1 lugë çaji vanilje
    • 2 gota miell
    • 3⁄4 filxhan sheqer
    • 1⁄2 filxhan arra të copëtuara
    • 1 lugë sodë buke
    • 1 tsp pluhur pjekës
    • 1⁄2 lugë kanellë të bluar
    • 1⁄2 lugë kripë

     Përgatitja

    Fillimisht, ngroheni furrën në 180° C.

    Në një enë të madhe shtoni bananet, kosin, gjalpin, vezët, vaniljen dhe përziejini së bashku.

    Në një enë tjetër, shtoni dhe përzieni miellin, sheqerin, arrat, sodën e bukës, pluhurin pjekës, kanellën dhe kripën.

    Më pas, shtoni përbërësit e thatë në enën ku keni përgatitur bananet dhe përbërësit e tjerë, trazojini mirë derisa të bashkohen plotësisht.

    Në një tavë për pjeke, përhapni gjalpin dhe më pas vendosni në të masën e përgatitur.

    Vendoseni tavën në telin më të ulët të furrës dhe lëreni të piqet për rreth 50 minuta. Për të parë nëse është pjekur plotësisht, provoni të shponi sipërfaqen e kekut me një kruajtëse dhëmbësh. Nëse ajo del e pastër tregon që buka është gati, nëse jo atëhere lëreni të piqet edhe pak.

    Kur të jetë gati, lëreni kekun të ftohet për 5 minuta.

    Ju mund ta konsumoni atë të ngrohtë ose në temperaturë dhome.

    Këshillë

    Ju mund t’i shtoni këtij keku shumë përbërës të tjerë, në mënyrë që ai të bëhet edhe më i shëndetshëm.

    Për këtë mjafton të shtoni në recetën e më sipërme edhe këto përbërës:

    1 filxhan boronicë, të freskët ose të ngrirë

    1⁄4 filxhan are kokosi të copëtuar

    2 lugë gjalpë të butë kikiriku

  • Bukë e butë me kos dhe djathë – Receta me shije perfekte!

    Bukë e butë me kos dhe djathë – Receta me shije perfekte!

    Buka e përgatitur në shtëpi nuk ka të krahasuar me asgjë tjetër.

    Në këtë mënyrë jeni ju që kontrolloni cilësinë e përbërësve me të cilët përgatitet ajo.

    Receta e sotme nuk tregon hapat e përgatitjes së bukës klasike, por të një lloji tjetër që premton shumë shije.

    Nga njëra anë kosi i jep butësinë perfekte si tulit por dhe kores së bukës, e ndërsa dy llojet e djathit i japin shijen dhe aromën marramendëse.

    Lexoni të gjitha hapat që ju duhen dhe përgatiteni që sot këtë recetë të mrekullueshme.

    Përbërësit

    • 3 gota uji miell i situr
    • 150 g gjalpë i shkrirë (për një recetë sa më të shëndetshme mund të përdorni vaj ulliri)
    • 1 gotë uji me djathë të bardhë
    • 1 gotë uji me djathë kaçkavall
    • 2 vezë
    • 3-4 lugë gjelle salcë kosi
    • 3-4 lugë gjelle kos
    • 1 lugë çaji sodë buke
    • 1 lugë çaji kripë
    • 1 lugë çaji fryrës

    Përgatitja

    Si fillim ndizni furrën në 200 gradë.

    Ndërkohë merrni një formë keku dhe lyejeni me pak vaj ulliri.

    Në një tas përzieni miellin, sodën e bukës, kripën dhe fryrësin me ndihmën e një piruni.

    Ndërsa në një tas tjetër rrihni vezët, kosin, salcën e kosit.

    Ju sugjerojmë që të përdorni telin e kuzhinës për të patur një rezultat sa më të mirë.

    Do ta shihni që masa e krijuar është kremoze dhe e plotë.

    Këtë salcë hidheni në mes të miellit bashkë me gjalpin e shkrirë dhe nisni ta punoni që përbërësit të lidhen.

    Tani është koha që të shtoni dy llojet e djathit, që i japin dhe shijen e veçantë kësaj recete.

    Përzjejeni mirë derisa të keni formuar një brumë të hollë afërsisht si të kekut klasik.

    Ju sugjerojmë që ta kaloni tek forma e kekut që lyet në fillim me gjalpë dhe përhapeni mirë me një spatul.

    Futeni për ta pjekur për 50-55 minuta, ose derisa sipërfaqja e thikës me të cilën shponi bukën të dalë e pastër.

    Kur të jetë pjekur, lëreni të ftohet për 10 minuta para se ta ndani me të dashurit tuaj.

  • 6 sekrete si të pergatisni gjithmonë makarona Al Dente!

    6 sekrete si të pergatisni gjithmonë makarona Al Dente!

    Makaronat janë një pjatë klasike në shumë kuzhina të ndryshme në të gjithë botën, dhe një nga elementët më të rëndësishëm të tyre është tekstura pas gatimit. Një nga këshillat e para që do t’ju jepet teksa i gatuani ato është të jenë “Al Dente”. Një makaronë al dente quhet kur ka një konsistencë të përsosur: është i gatuar, por akoma ka fortësinë e brumit të pa bërë dhe nuk është e qullët ose e yndyrshme.

    Për të arritur këtë cilësi perfekte të makaronave ka disa sekrete që duhet të ndiqni. Këtu janë disa prej tyre:

    1. Përzgjedhja e makaronave të cilësisë së lartë: Filloni me përzgjedhjen e makaronave të cilësisë së lartë. Përdorni makarona të freskëta ose të thata të prodhuesve të njohur. Makaronat e mira janë baza e një pjate të shijshme makaronash al dente.
    2. Sasia e ujit: Për të arritur një makaronë perfekte al dente, është e rëndësishme të përdorni një sasi të mjaftueshme uji në tenxhere. Rekomandohet të përdorni rreth 4 litra ujë për secilën 450-500 gram makarona. Sasia e mjaftueshme e ujit ndihmon makaronat të gatuhen më njëjtësisht dhe parandalon ngjitjen e tyre.
    3. Kripë: Shtoni pak kripë në ujë kur të filloni të nxirrni makaronat nga zierja. Kjo do të ndihmojë në shijen e makaronave dhe do t’i japë atyre një shije të butë, por jo të qullët.
    4. Nxirrni makaronat në kohë nga tenxherja: Respektoni kohën e përcaktuar në paketën e makarona për të vendosur kur do t’i nxirrni ato nga uji. Megjithatë, është më mirë t’i testoni makaronat për të parë nëse janë gati. Provoni një makaronë të vogël rreth 1-2 minuta para kohës së përfundimit të përcaktuar në paketë. Makaronat duhet të jenë të buta në qendër, por të kenë një strukturë të fortë në skaje.
    5. Nxirrni shpejt dhe ftohini: Pasi të nxirreni makaronat nga uji, ftoni ato menjëherë nën ujë të ftohtë të rrjedhshëm për të ndaluar gatimin e tyre. Kjo ndihmon në mbajtjen e tyre të konsistencës al dente.
    6. Përziejini me kujdes: Pas ftohjes së makaronave, përziejini ato me një salcë ose perime të tjera që dëshironi. Përzierja duhet të bëhet me kujdes, për t’u siguruar që makaronat mos ngjitën bashkë dhe që mbajnë teksturën e tyre.

    Si përfundim, për të përgatitur makarona gjithmonë al dente, është e rëndësishme të kushtoni vëmendje të veçantë përzgjedhjes së makaronave, përdorimit të sasisë së duhur të ujit, kohës së gatimit, dhe procesit të ftohjes. Me këto sekrete, ju do të gatuani gjithnjë makarona të shijshme.

  • Krem i lehtë me biskota – Receta e ëmbël dhe e shpejtë

    Krem i lehtë me biskota – Receta e ëmbël dhe e shpejtë

    Kjo mund të jetë ëmbëlsira më e lehtë për t’u përgatitur, e cila mund t’iu shpëtojë kur duhet të gjeni një zgjidhje të shpejtë.

    Në ndryshim nga kremi klasik i zupave, kremi i përgatitur me qumësht dhe pana është akoma edhe më i butë.

    Duke e shndërruar ëmbëlsirën tuaj të preferuar, në një shije krejtësisht të re.

    Klikoje.al ju tregon sekretin që ruan kjo recetë e thjeshtë dhe mahnitëse.

    Përbërësit

    • 250 ml qumësht
    • 25g miell
    • 75 g sheqer
    • 180 ml pana
    • 20g sheqer pluhur
    • 3 të verdha vezësh
    • 1 paketë me vanilje
    • 1 pako biskota të gatshme të thjeshta

    Përgatitja e kremit

    Vendosni qumështin për t’u ngrohur dhe hidhni në tenxhere edhe vaniljen.

    Ndërkohë në një tas të madh rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin derisa të shkrihen kokrrizat e tij.

    Shtoni aty edhe miellin dhe përsëri përzjejeni që të mos krijohen kokrriza.

    Hidhni qumështin e ngrohur tek tasi me përzierjen dhe rriheni me telin e kuzhinës.

    Kalojeni përzierjen në tenxhere dhe vendoseni në zjarr duke e përzierë derisa të mpikset.

    Kur kremi të jetë mpiksur kalojeni  në një tas në mënyrë që të ftohet.

    Ju këshillojmë që të prisni derisa kremi të jetë ftohur plotësisht përpara se të vazhdoni.

    Ndërkohë në një tas tjetër rrihni panën me sheqerin pluhur.

    Përzjejini të dy llojet e kremrave derisa të përfitoni një masë homogjene dhe të plotë.

    Përgatitja e ëmbëlsirave

    Merrni disa tasa të vegjël apo gota dhe në fund hidhni pak nga kremi i përgatitur.

    Më pas shtoni një shtresë me biskota të thërrmuara.

    Përsërisni këta hapa derisa në fund të keni përfunduar me një shtresë kremi.

    Nëse dëshironi biskotat e thërrmuara mund t’i përzieni me lëkurën e grirë të një portokalli për një shije akoma dhe më të freskët.

    Futni në frigorifer për 20-30 minuta para se t’i servirni.

    Duke qenë se përgatitet në tasa apo gota, secili prej familjarëve do të ketë një sasi perfekte për të shijuar.

  • Tortë e shkrifët me kos – E ëmbël dhe plot shije!

    Tortë e shkrifët me kos – E ëmbël dhe plot shije!

    Ëmbëlsirat janë një nga shoqërueset më të shijshme të vakteve tuaja.

    Kur përgatiten në shtëpi marrin një kuptim krejt tjetër, pasi janë përgatitur me dashuri. 

    E shkrifët, me aromën e freskët të limonit dhe disa përbërës sekret i japin kësaj torte një butësi mahnitëse.

    Ndiqni me kujdes hapat e shpjeguar më poshtë dhe provojeni këtë ëmbëlsi unike.

    Përbërësit:

    • 2 të verdha veze
    • 70 gr sheqer
    • 70 gr gjalpë
    • 1 lugë çaji lëkurë limoni
    • 200 gr miell
    • kripë
    • 1 lugë çaji maja
    • Vaj
    • Për mbushjen:
    • 2 të bardha vezësh
    • 60 gr sheqer
    • 400 gr kos
    • 3 lugë miell
    • Ekstrakt vanilje

    Përgatitja:

    Rrihni fillimisht të verdhat e vezëve së bashku me sheqerin. Ndërkohë shkrini gjalpin dhe kur të jetë gati hidheni tek përzierja e vezëve.

    Pasi t’i përzieni mirë e mirë përbërësit, shtoni rreth 1lugë çaji lëkurë limoni, miellin, kripë për shije dhe majanë.

    Përziejini përbërësi sa të formoni një masë brumi homogjene dhe më pas ndajeni në dy pjesë.

    Ndërkohë lyeni me vaj një tavë torte me hapje, shtroni në bazën e saj një letër kuzhine të prerë në formë të rrumbullakët.

    Gjithashtu prisni një shirit për anët e lëvizshme të tavës dhe mbasi ta montoni enën rregulloni edhe letrat e pjekjes në mënyrën e duhur.

    Tani shtroni në tavë njërin nga topat e brumit, tjetrin mbështilleni me një qese kuzhine dhe lërëni në frigorifer.

    Rrihni të bardhat e vezëve dhe shtoni më pas sheqerin derisa të formohet një masë e butë kremoze.

    Më pas në një enë bashkoni kosin, miellin dhe vaniljen. Përziejini sa përbërësit të bashkohen dhe këtë masë kalojeni tek kremi me vezë dhe sheqer.

    Përziejeni përsësi përbërjen dhe trasferojeni në tavën e pjekjes të shtruar me brumë.

    Merrni masën e brumit nga frigorifer dhe grijeni me një rende sipër tavës.

    Piqeni në 200 gradë për 25-30 minuta.

  • Musaka me patate të ziera – Receta e thjeshtë me shije të mrekullueshme!

    Musaka me patate të ziera – Receta e thjeshtë me shije të mrekullueshme!

    Nëse doni një alternativë ndryshe për recetën tuaj të drekës. Provoni të përgatisni recetën e musakasë me patate të ziera.

    Një recetë me shije të mrekulleshme e sjellë nga amvisa Suela Katanja.

    PËRBËRËSIT 

    • 600 gr mish i grirë
    • 1 kg patate të reja
    • 2 vezë
    • 2 qepë
    • vaj, kripë, piper

    PËRGATITJA

    Qepët e prera imët i fërgoni me pak yndyrë, më pas shtoni mishin e grirë dhe i fërgoni edhe 10-15 minuta, në fund shtoni piper të kuq dhe të zi, sipas dëshirës.

    Në një tjetër enë ziejm patatet e pastruara mirë, kur të jenë gati i qërojmë dhe i presim me rradhë.

    Në tepsi ose tavë renditini me rradhë një rend patate dhe një rend mish derisa të kryhet e tërë sasia.

    Futeni në furrë të nxehtë, ngadalsojeni temperaturën dhe pas 20-30 minuta para se të jetë kryer pjekja tundni dy vezë me pak qumësht dhe ja hidhni sipër. Tepsinë e mbani në furrë edhe rreth 5 minuta.

  • Kungulleshka me vezë për mëngjes – Shije e lehtë dhe shëndet i mirë!

    Kungulleshka me vezë për mëngjes – Shije e lehtë dhe shëndet i mirë!

    Omleta është gjithmonë zgjedhja e duhur për një mëngjes të shëndetshëm.

    Në ka një gatim që qendron në krye të recetave për një mëngjes të shijshëm, plot vlera ushqyese e të shëndetshme pa asnjë dyshim ato janë omletat.

    Të kombinuara me perime të ndryshme, të miksuara apo thjeshtë me një prej tyre, spinaq a brokoli, lulelakër a patate, omletat, përbërësi kryesor i të cilave janë vezët përbëjnë një mënyrë ideale për të nisur ditën shëndetshëm.

    Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë, për të nisur ditën mbarë me energji.

    Recetat e këtij gatimi të thjeshtë janë të shumëllojshme.

    Përbërësit

    • 500 gr kungulleshka
    • 6 vezë
    • 80 gr djathë i bardhë i thërrmuar
    • 2 lugë gjelle me majdanoz të grirë
    • 2 lugë gjelle vaj ulliri
    • Kripë
    • Piper i zi

    Përgatitja

    Pasi t’i keni larë me ujë të bollshëm kungulleshkat, ju sugjerojmë t’i prisni në feta sa më të holla.

    Më pas vendosini në një letër kuzhine, në mënyrë që të përthithet lagështira që ato kanë.

    Në një tas përzieni vezët, djathin e thërrmuar dhe majdanozin. Më pas i shtoni kripën dhe piperin sipas dëshirës.

    Vendosni tiganin në zjarr të lartë, dhe hidhni aty vajin e ullirit.

    Si fillim shtoni fetat e kungulleshkave, dhe kthejini herë pas here që të marrin një ngjyrë neutrale.

    Ky proces mund të zgjasë rreth 6-8 minuta në varësi të trashësisë së fetave të kungulleshkave.

    Kur kungulleshkat të jenë gati, hidhni përzierjen e vezëve.

    Sigurohuni që përzierja të përhapet në të gjithë sipërfaqen e tiganit dhe të kenë mbuluar kungulleshkat.

    Lëreni në zjarr deri sa veza të ketë filluar mpiksjen.

    Në këtë moment, ulni temperaturën e nxehtësisë dhe të mbuloni tiganin me një kapak për 10 minuta.

    Hiqeni nga zjarri tiganin dhe kthejeni me kujdes në një pjatë.

    Kjo omletë është e përshtatshme për katër persona.

  • Mesnik me trahana – Receta e veçantë e byrekut me mish pule

    Mesnik me trahana – Receta e veçantë e byrekut me mish pule

    Mesnikun tradicional e përgatisim me mishin e pulës së detit, por tanimë ai mund të bëhet edhe me mish pule.

    Sot ju sjellim një recetë krejt të veçantë e cila ia vlen që të provohet me patjetër.

    Kombinimi që nuk iu ka shkuar në mendje se mund të japë një rezultat kaq fantastik në shije.

    Mbusheni shtëpinë tuaj me aromën e mrekullueshme të këtij mesniku duke ndjekur hapat e treguar.

    Përbërësit

    Për brumin

    • 500 g miell
    • 3 lugë gjelle vaj ulliri
    • 1 lugë çaji kripë
    • 250-300 ml ujë të vakët

    Për mbushjen

    • 2 kofsha pule bashkë me pjesën e trashë të tulit
    • 3 lugë gjelle vaj ulliri
    • 2 qepë
    • 200g djathë të bardhë
    • 1 gotë uji me trahana
    • Kripë
    • Piper i zi
    • 3 gota lëng nga mishi i pulës
    • 3 vezë

    Përgatitja

    Si fillim vendosni për të zierë mishin e pulës me 5 gota uji. Lëreni në zjarr mesatar derisa të ziejë.

    Kur të shihni që uji krijon bulëza në sipërfaqe hidhni kripën dhe lëreni në zjarr të ulët derisa të jetë gati mishi.

    Më pas hiqni thelat e mishit dhe lëngun lëreni të ftohet në një tas qelqi.

    Kur pula të jetë ftohur pak, largoni lëkurën dhe kockat, e ndërsa mishin priteni apo ndajeni me dorë në copa të vogla.

    Ndërkohë vendosni një tigan në zjarr ku të hidhni vaj ulliri.

    Pasi të keni qëruar dhe grirë sa më imët qepën, skuqeni lehtë derisa ngjyra e saj të bëhet pothuaj transparente.

    Kalojini copat e mishit dhe qepën e skuqur në një tas të madh, po aty hidhni trahananë, djathin e thërrmuar, kripë e piper.

    Përziejini mirë dhe lërini të mbuluara me qese kuzhine ndërkohë që përgatisni brumin.

    Hidhni miellin, vajin e ullirit dhe kripën në një tas të madh dhe shtoni ngadalë ujin e vakët duke e punuar brumin.

    Kur brumi të jetë gati, sipërfaqja e tij duhet të jetë e lëmuar dhe e butë.

    Pas 30 minutash që ta keni lënë të pushojë brumin, ndajeni atë në katër kuleçë.

    Hapini ato në petë me madhësi pak më të madhe se tepsia që keni përzgjedhur.

    Lyejeni tavën me vaj ulliri dhe shtroni petën e parë.

    Spërkateni atë përsëri me vaj dhe shtroni edhe petën e dytë.

    Tani hidhni mbushjen dhe hapeni mirë me ndihmën e një luge apo spatula.

    Vazhdoni edhe me dy petat e tjera.

    Palosni anët e petave në mënyrë që mbushja të mos derdhet dhe priteni byrekun në katrorë.

    Në një tas rrihni vezët me lëngun e mishit derisa të krijojnë një masë të njëtrajtshme.

    Këtë masë në formën e salcës hidheni mbi byrekun tuaj.

    Lëreni 30 minuta në mënyrë që petat dhe trahanaja të përthithë lëngun dhe më pas futeni për ta pjekur.

    Furrën duhet ta keni ngrohur në 190 gradë dhe byreku është gati kur sipërfaqja e tij ka marrë një ngjyrë të artë të ndezur.

  • Gjizë e pjekur me limon dhe qepë të njoma – Përgatitet shumë lehtë!

    Gjizë e pjekur me limon dhe qepë të njoma – Përgatitet shumë lehtë!

    Antipastat përbëjnë paralojën e një vakti të rëndësishëm.

    Një antipastë e mirë dhe e shijshme përmirëson humorin dhe nxit ekzaltimin për pjatat e tjera të vaktit.

    Funksioni i një antipaste është jo vetëm të nxisë urinë por edhe kënaqë shqisat dhe t’i parapërgatisë ato për kënaqësi të mëtejshme gjatë ushqyerjes.

    Recetat e antipastave janë të larmishme, të pasura dhe intriguese.

    Një prej tyre është ajo me gjizë të pjekur me barishtet e qepëve dhe limon.

    Kjo pjatë e ngrohtë përgatitet shumë lehtë.

    Mjaftojnë pesë minuta për të përgatitur gjizën me barishtet e qepëve dhe për ta vendosur në furrë.

    Në disa raste, në përgatitjen e gjizës përfshihet edhe veza e cila i jep antipastës një fryrje të lehtë dhe paraqitje të sfungjertë, por sipas dëshirës atë edhe mund ta shmangni.

    Në këtë recetë, do të mësoni si ta përgatisni antipastën vetëm me hudhër, barishte, limon dhe gjizë.

    Përbërësit:

    • 2 filxhanë me gjizë
    • 1 limon i shtrydhur
    • Lëkura e grirë hollë e një limoni
    • 2 thelbinj hudhre të grirë hollë
    • Gjysëm filxhani me barishte qepe të prera hollë.
    • Piper i zi pluhur
    • Vaj ulliri ekstra i virgjër
    • Feta buke të thekura

    Përgatitja:

    Ndizeni furrën në 190 °C.

    Merrni një tepsi të vogël ose enë qelqi për pjekjeje dhe lyejeni me pak yndyrë.

    Në një enë tjetër, përzieni gjizën, lëngun e limonit dhe lëkurën e tij, hudhrën, barishtet, kripë dhe shumë piper.

    Pasi ta keni përzier mirë, hidheni në enën e pjekjes dhe spërkateni me vaj ulliri.

    Sipas dëshirës ju mund ta fusni në frigorifer dhe ta piqni të nesërmen.

    Në të kundërt, futeni enën në furrë dhe piqeni për 15-20 minuta.

    Pasi të nxirrni nga furra, gjizën e pjekur mund ta spërkasni me vaj ulliri sërish.

    Këtë antipastë të ngrohtë duhet ta servirni menjëherë pas daljes nga furra.

    Ajo shoqërohet me bukë të thekur e krokante ose biskota të kripura.

  • Bollgur me kungulleshka për një vakt të shëndetshëm dhe plot shije!

    Bollgur me kungulleshka për një vakt të shëndetshëm dhe plot shije!

    Drithi i bullgurit mund të mos jetë zgjedhja e parë e një amvise për gatimin e një vakti të shëndetshëm e plot shije.

    Megjithatë, falë vlerave të jashtëzakonshme, bullguri ka potencial të bëhet një drith i rëndësishëm.

    Bullguri është një drith që prodhohet nga disa lloje gruri.

    Ai përmirëson tretjen, stimulon rritjen dhe zhvillimin, qarkullimin e gjakut, gjumin, parandalon sëmundjet kronike dhe mbron sistemin imunitar.

    Bullguri është pjesë e gatimeve tradicionale të Lindjes së Mesme, Indisë ose Evropës, por atë mund ta gjeni lehtësisht edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

    Ai gatuhet shumë shpejt, dhe si rrjedhojë është nga ato ushqime tek të cilat mund t’i varësh shpresat, jo vetëm për të shuar urine, por edhe për të kënaqur shijen. Bullguri është i pasur me hekur, magnez, kalium, zink, niacinë, bakër, fosfori, mangan, fibër dhe proteinë dietike.

    Në të gjenden pak kalori dhe yndyrna, gjë që e bën këtë produkt të rëndësishëm për njerëzit që duan të humbasin peshë. Të gjithë përbërësit e bullgurit i japin organizmit një mburojë të mirëfilltë ndaj sëmundjeve.

    Bullgur Me Kungulleshka Për Një Vakt Të Shëndetshëm Dhe Plot Shije

    Për përgatitjen e kësaj pjate ju nevojiten:

    • 1 filxhan e gjysmë çaji me bulgur
    • 1 qepë mesatare e grirë hollë
    • Një lugë e gjysmë gjelle salcë domate të trashë
    • 3 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër
    • 1 lugë çaji qimnon
    • Gjysëm luge çaji spec të kuq pluhur
    • Gjysmë luge çaji trumzë ose rigon të thtë
    • Një majë luge çaji piper të zi
    • Një majë luge çaji spec të kuq djegës
    • 2 filxhanë e gjysmë ujë të nxehtë
    • Treçerek luge çaji lëkura limoni të grirë hollë
    • 4 filxhanë çaji kungulleshka të prera në copa
    • 2 lugë çaji kripë.
    • Domate qershizë sipas preferencës

    Përgatitja:

    Shpëlajeni bullguri 2-3 herë me ujë të bollshëm dhe më pas lëreni në një enë të mbushur me ujë për 10 minuta.

    Vendosni një tenxhere në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.

    Kaurdisni qepën për disa minuta deri sa të zbutet.

    Kullojeni bullgurin dhe lëreni mënjanë

    Shtoni salcën e domates tek qepët e karamelizuara dhe kaurdiseni për një minutë.

    Më pas shtoni erëzat dhe bullgurin e kulluar.

    Përzejini me lugë druri dhe hidhni ujin e nxehtë, kripën dhe lëkurat e imëta të limonit.

    Ziejini për pesë minuta dhe më pas uleni temperaturën.

    Lëreni bullgurin të ziejë në temperaturë të ulët për 25 minuta me kapak të mbyllur.

    Në një tigan hidhni pak yndyrë dhe skuqni kungulleshkat duke i spërkatur me kripë dhe piper.

    Pak përpara heqjes nga zjarri, tek kungulleshkat hidhni pak hudhër për aromë.

    Kur të jeni gati për servirje, hidheni bullgurin në pjatë dhe sipër tij hidhni kungulleshkat e karamelizuara, domate qershi dhe pak lëng limoni.

    Përziejeni mirë dhe më pas shtoni lëngun e ngrohtë të mishit të pulës apo viçit.

    Përziejeni mirë dhe lëreni të marrë një valë të plotë.

    Kur kjo të ndodhë, uleni zjarrin dhe mbulojeni tenxheren me kapak.

    Lëreni bullgurin të ziejë për 15 deri në 20 minuta ose deri sa ai të jetë i butë dhe të mos kërcasë në gojë.

    Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak.

    Bullguri serviret i ngrohtë dhe është shoqërues i shkëlqyer i mishit të skarës, mishit të pulës ose çfarëdo gjelle tjetër me mish.