Lajmet e fundit | Klikoje.al

Category: Receta

Kategoria Receta ka për qëllim të ndaj me ju receta, gatime nga me te ndryshmet. Tradicionale dhe europiane, të ëmbla dhe të kripura. Ne ju japim ide për vaktet tuaja!

  • Ja si të përgatisni lazanja me spinaq – Kombinimi me shijen më të mirë!

    Ja si të përgatisni lazanja me spinaq – Kombinimi me shijen më të mirë!

    Lazanja është një ndër ato gatime që shumë lehtë mund të fitojë zemrën e të gjithë atyre që e provojnë.

    Kombinimet e saj mund t’i gjeni nga më të ndryshmet, me ose pa mish, por e rëndësishme është që shija e mrekullueshme mbetet gjithnjë aty.

    Për këtë dhe shumë arsye të tjera, tavat e lazanjës janë perfekte për të kaluar vakte të ngrohta duke kënaqur të gjithë familjen.

    Në recetën e sotme gjeni të shpjeguar një ndër kombinimet më të mrekullueshme e të shëndetëshme të lazanjës.

    Atë me spinaq, djathë dhe erëza të ndryshme.

    Lazanja me spinaq më siguri do të kthehet në një ushqim të preferuar po aq shpejt sa ajo tradicionalja me mish e salcë.

    Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë dhe të mrekullueshme të përgatitjes së kësaj recete të veçantë.

    Përbërësit

    • 1 kuti me makarona për lazanja
    • 50 gr djathë kaçkavall i grirë
    • 450 gr salcë domatesh
    • 1 kg spinaq
    • 750 gr gjizë pa kripë
    • 1 qepë e madhe
    • 3 thelbi hudhër
    • 1 lugë gjelle rigon
    • 1 vezë e madhe
    • kripë
    • piper i zi
    • vaj ulliri

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete filloni duke ngrohur furrën në temperaturën 180 gradë C.

    Ndërkohë vini  në zjarr një tenxhere të mbushur me ujë dhe kripë dhe kur uji të fillojë të ziejë, fusni petët e lazanjas dhe lërini për disa minuta.

    Veproni njësoj si me zierjen e makaronave normale, por mos i lini petët tuaja të zbuten plotësisht.

    Më pas nxirrini nga uji thajini pak, duke i vendosur në një letër dhe vazhdoni me përgatitjen.

    Hiqni tenxheren dhe vendosni në zjarr një tigan duke i shtuar dhe pak vaj ulliri.

    Më pas shtoni qepën e grirë hollë, hudhrën e grirë, pak kripë, piper të zi të bluar dhe rigon.

    Përzieni mirë dhe më pas shtoni spinaqin e pastruar mirë dhe të prerë në fije të holla.

    Lëreni tiganin në zjarr mesatar, duke përzier përbërësit herë pas here, ndërkohë në një enë të thellë hidhni të gjithë gjizën pa kripë.

    Po aty shtoni vezën dhe djathin kaçkavall të grirë, me pak kripë dhe piper.

    Kur spinaqi të jetë gati hiqeni nga zjarri dhe lëreni mënjanë.

    Ndërkohë zgjidhni një tavë mesatare pjekje dhe shtroni 4-5 petët e para të lazanjas, duke i mbivendosur pak tek njëra tjetra.

    Shtoni sipër tyre 1-2 lugë gjelle me salcë domatesh e më pas një shtresë me spinaq dhe një shtresë me gjizë.

    Bëni kujdes që këto shtresa të jenë të gjitha të përhapura në mënyrë të barabartë nëpër të gjithë petët tuaja të lazanjave.

    Më pas vendosni sërish një shtresë me petë për lazanja rreth 4-5 prej tyre, hidhni pak salcë domatesh, spinaq dhe gjizë.

    Bëjeni këtë derisa të mbarojnë të gjithë petët e makaronave dhe përbërësit e tjerë.

    Në fund spërkateni me pak salcë sipër dëshirës dhe pak djathë kaçkavall të grirë.

    Për Pjekjen

    Mbulojeni tavën me letër pjekje ,në mënyrë që të krijojë një hapësirë hermetike në tavë dhe aromat të mos dalin jashtë.

    Futeni tavën tuaj të piqet në temperaturë 180 gradë për rreth 45 minuta.

    Më pas hiqni letrën që vendosët sipër dhe lëreni të piqet edhe për 15 minuta të tjera.

    Kur të jetë pjekur dhe salca të jetë mpiksur mirë lart, hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohet për 10 minuta.

    Lëreni  të ftohet në temperaturë ambienti e më pas mund ta prisni dhe ta shërbeni sipas dëshirës tuaj.

  • Biskota të buta me mollë – Shije dhe aromë e mrekullueshme!

    Biskota të buta me mollë – Shije dhe aromë e mrekullueshme!

    Ndër ëmbëlsirat më të lehta në shije dhe përgatitje pa dyshim që janë biskotat.

    I gjeni kudo, në çdo libër recetash me kombinime nga më të ndryshmet për të kënaqur secilin.

    Mund t’i konsumoni në çdo vakt nga mëngjesi deri në darkë dhe janë perfekte për tu ngrënë si nga fëmijët e deri tek të moshuarit.

    Kështu që përgatitja e tyre në shtëpi është thuajse e domosdoshme për të gjithë familjen.

    Në këtë recetë ju tregojmë se si të përgatisni biskotat më të buta fare lehtë në fare pak kohë.

    Hiqni dorë nga ato të dyqaneve dhe përgatisni një version më të shëndetshëm dhe sipas shijeve tuaja.

    Përbërësit

    • 350 gr miell
    • 100 gr sheqer
    • 100 gr gjalpë
    • 2 vezë
    • 2 mollë
    • 1 pako fryrës për ëmbëlsira (16 gr)
    • sheqer pluhur
    • kanellë pluhur

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete filloni me përzierjen e vezëve me anë të një rrahësi elektrik.

    Shtoni më pas sheqerin dhe gjithnjë duke përzier, hidhni edhe gjalpin e butë në temperaturë ambienti.

    Bëjeni këtë derisa i gjithë sheqeri të ketë shkrirë dhe të gjithë përbërësit të keni një masë të njëtrajtshme.

    Më pas shtoni miellin pak nga pak dhe përzieni me anë të një luge, derisa të arrini një masë brumi kremoze dhe pa kokrra.

    Ndërkohë qëroni dhe prisni mollët në katrorë të vegjël dhe hidhini tek brumi i biskotave.

    Më pas zgjidhni një tavë mesatare dhe shtrojeni me letër pjekje.

    Tek tava, hidhni me kujdes një lugë me brumë në mënyrë që të formoni një biskotë.

    Brumi duhet të jetë i trashë në mënyrë që të mos të hapet, bëjeni këtë proces me të gjithë brumin që ju ndodhet në enë.

    Vendosini të gjitha biskotat tuaja me pak hapësirë nga njëra tjetra pa u shqetësuar për formën e tyre të çrregullt, pasi është karakteristike për këto biskota.

    Futeni tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë C dhe lëreni të piqet për 20 minuta.

    Kur biskotat të kenë marrë ngjyrë të artë nxirrini nga furra dhe vendosini në një pjatë të pastër.

    Hidhini sipër pak sheqer pluhur dhe kanellë dhe mund t’i konsumoni në çdo kohë të ditës.

  • Pesto spinaqi në vetëm 5 minuta!

    Pesto spinaqi në vetëm 5 minuta!

    Nëse ju ka ndodhur që t’ju ketë tepruar një sasi spinaqi me të cilin nuk dinit ç’të bënit, ne ju mësojmë një recetë fantastike dhe të shpejtë për të mos e çuar dëm spinaqin.

    Vetëm në 5 minuta ju do të keni një salcë tepër të shëndetshme, me të cilën mund të lyeni bukën, ta përhapni në makarona apo të shoqëroni çdo ushqim që dëshironi.

    Ndiqni më poshtë hapat që sugjerojmë për ju.

    Përbërësit

    • 225gr spinaq
    • 94 gr shqeme
    • 2 thelpinj hudhra
    • 55 gr djathë parmixhano të grirë
    • 2 limonë
    • rreth 1 lugë çaji kripë
    • rreth 1/2 lugë çaji piper
    • 1/2 filxhan vaj ulliri

    Përgatitja

    Në një mikser shtoni vajin e ullirit dhe spinaqin, përpunojini derisa përbërësit të bashkohen.

    Shtoni shqemat, thelpinjtë e hudhrës, lëngun e shtrydhur nga dy limonët dhe lëkurën e grirë të një limoni.

    Hidhni kripën, piperin dhe djathin parmixhano dhe përziejini sërisht.

    Shijojeni salcën për të kontrolluar sasinë e kripës.

    Shtoni kripë, piper, lëng limoni ose lëkurë limoni sipas dëshirës.

    Përziejini derisa të gjithë përbërësit të bashkohen mirë.

    Ruajeni në frigorifer deri në 3 javë.

  • Tullumba me çokollatë – Shije e re dhe e pasuruar!

    Tullumba me çokollatë – Shije e re dhe e pasuruar!

    Tullumbat janë një nga recetat më të preferuara të traditës e cila mbetet e njejtë dhe e shijshme prej vitesh.

    Mund ta gjeni thuajse në çdo pastiçeri të vendit për shkak të popullaritetit dhe shijes së mirë.

    Këtë recetë që me siguri e keni provuar sot jua sugjerojmë me një shije të re e të pasuruar.

    Tullumbat me çokollatë janë një nga mënyrat e reja të përgatitjes së kësaj recete.

    Përgatitja

    Për brumin

    110 ml ujë

    35 gr gjalpë

    120 gr miell

    2 lugë kakao

    3 vezë

    5 gr kripë

    Për shurupin

    500 gr sheqer

    400 ml ujë

    2 lugë me lëng limoni

    vaj për skuqje

    Përgatitja

    Për të përgatitur këtë recetë merrni një tenxhere të madhe dhe në të hidhni ujin, kripën, sheqerin dhe gjalpin e prerë në copa.

    Përzieni derisa masa të ziejë dhe hiqeni nga zjarri.

    Më pas hidhni miellin e situr dhe kakaon, duke e përzjerë shpejt dhe pa ndërprerje derisa masa të trashet.

    Vendoseni sërish tenxheren në zjarr të ngadaltë dhe përzieni sërish.

    Kur ta keni gati hiqeni nga zjarri dhe vendoseni në një enë qelqi duke e lënë të ftohet.

     Më pas shtoni vezët një nga një duke përzier derisa masa të jetë sërish homogjene.

    Kujdesuni që brumin që krijuar ta përzienis shpejt dhe pa ndërprerje derisa masa të jetë kremoze dhe e trashë.

    Në rast se keni në kuzhinë “xhep” pastiçeri me formë të dhëmbëzuar hidhni masën e përgatitur aty për të nxjerrë tullumbat.

    Në rast se nuk e keni këtë mjet pastiçerie, atëherë lyeni dy lugë gjelle  me pak vaj dhe formoni toptha të vegjël.

    Në vijim, hidhni në një tigan vajin që të nxehet dhe hidhni brumin përmes formës së dhëmbësuar në vajin e nxehtë por bëni kujdes që zjarri të jetë i ulët.

    Pasi ti keni skuqur të gjitha, shtrojini në një tavë dhe hidhuni sipër sherbetin e ftohtë. Lërini në sherbet për 5 minuta e më pas vendosini në një pjatancë për t’i servirur.

    Për përgatitjen e sherbetit, hidhni sheqerin dhe ujin në tenxhere dhe lërini të zjejnë për 10 minuta në zjarr derisa të nisë të vlojë. Shtoni lëng limoni dhe lëreni të ftohet.

    Sipas dëshirës sipër tullumbave mund t’u hidhni lëkurë të grirë limoni ose portokalli.

  • Patëllxhanë me vezë – Bashkimi perfekt për shijen dhe shëndetin!

    Patëllxhanë me vezë – Bashkimi perfekt për shijen dhe shëndetin!

    Çdo gatim me patëllxhanë të magjeps me shijen e tij fantastike. Gjithashtu janë dhe shumë të pasura me vlera ushqyese.

    Më poshtë ju sugjerojmë përgatitjen e patëllxhanëve me vezë, një recetë ideale për shijen dhe plot për shëndetin.

     Përgatitja e Patëllxhanëve me Vezë

     Përbërësit  

    (Sasia e përbërësve përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuani. Më poshtë përbërësit janë për 4-5 persona)

    • 4-5 patëllxhanë mesatarë
    • 2-3 kokrra vezë
    • 2-3 lugë miell
    • 1 filxhan kafeje me qumësht
    • Dy feta bukë të thekur të grira në rende
    • Kripë
    • Piper
    • Vaj ulliri

    Përgatitja

     Si fillim parangrohni furrën e sobës në 200 gradë.

     Më pas, pastroni me ujë të rrjedhshëm, thajini nga uji me një pecetë kuzhine dhe prijini në feta jo më të trasha se 1 cm.

    Vendosini të gjitha në tavë ku keni shtruar letër pjekjeje, hidhuni pak kripë dhe futini të zbuten në furrën e parangrohur për 10 minuta.

    Më pas largojini nga furra dhe lërini të ftohen.

    Nga ana tjetër, në një tas rrihni vezët me pak kripë dhe piper dhe shtojini një filxhan kafeje me qumësht.

    Kur fetat e zbutura të patëllxhanëve të jenë ftohur, vendosni një tigan me vaj ulliri në zjarr,  merrni disa nga fetat e patëllxhanëve, kalojini në miell, më pas zhytini në tasin e vezëve të rrahura me qumësht, dhe më pas kalojini në bukën e thekur të grirë.

    Skuqini mirë nga të dyja anët.

    Vijoni kështu derisa të përfundoni të gjitha fetat e patëllxhanëve.

    Kur shërbehet, sipas preferencës spërkaten me majdanoz të grirë hollë ose me pak djathë të bardhë apo kaçkavall të grirë.

    Ky gatim është fantastik për një vakt të shëndetshëm ushqimi si në mëngjes, drekë apo darkë.

    Këtë recetë mund ta përgatisni edhe me kungulleshka.

  • Si të përgatisni kekun me mollë pa gjalpë – Ja këshillat e duhura

    Si të përgatisni kekun me mollë pa gjalpë – Ja këshillat e duhura

    Mund të ju ketë ndodhur shpesh që kur doni të përgatisni një recetë nuk i keni të gjithë përbërësit.

    Ai që mungon më tepër pas një dite të gjatë duke gatuar mund të themi se është gjalpi duke qenë se përdoret kudo.

    Por për çdo problem ka një zgjidhje në kuzhinë, në mënyrë që të mos mbesni asnjëherë pa gatuar një nga ëmbëlsirat më të mira me fruta, në këtë artikull ju tregojmë si të përgatisni kekun me mollë e pa gjalpë.

    Gjithashtu kjo mund të jetë një zgjidhje më e shëndetëshme për të gjithë ata që duan të kufizojnë yndyrnat e tepërta.

    Përbërësit

    • 650 gr mollë
    • 120 gr miell
    • 2 vezë
    • 100 ml qumësht
    • 50 sheqer
    • 30 ml vaj
    • 16 gr maja për ëmbëlsira
    • 1 lëkurë limoni e grirë

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete prisni mollët në feta të holla.

    Ndërkohë në një enë të thellë hidhni vezët dhe përziejini me një rrahës elektrik duke i shtuar pak nga pak edhe sheqerin.

    Kur veza të jetë fryrë dhe sheqeri të jetë shkrirë, shtoni edhe lëkurën e grirë të një limoni.

    Gjithnjë duke përzier hidhni po këtu miellin bashkë me majanë për ëmbëlsira.

    Në fund shtoni pak nga pak vajin dhe qumështin dhe vazhdoni me përzierjen derisa të përfitoni një masë kremoze e homogjene brumi.

    Zgjidhni një tavë me diametër 20 cm, lyejeni me pak vaj dhe sipër spërkasni pak miell.

    Hidhni gjysmën e brumit duke e tundur herë pas here në mënyrë që të dalin të gjitha flluskat e ajrit që mund të ketë brumi dhe në mes shtoni disa feta mollë.

    Sipas dëshirës këtë sasi mollësh mund ta prisni edhe në kubikë e ti hiqni lëkurën.

    Më pas hidhni pjesën tjetër të brumit duke vepruar njësoj dhe vendosini sipër pjesën më të madhe të mollëve që i pretë në feta më parë.

    Vendosini ato në formën e një luleje sipër njëra tjetrës derisa të mos keni më.

    Ngjeshini ato me një lugë në fund hidhni pak sheqer sipër.

    Futeni kekun tuaj të piqet në furrë të parangrohur në temperturën 180 gradë për 40 minuta.

    Kur keku të ketë marrë ngjyrë të artë dhe të jetë pjekur brenda mund ta shërbeni të ngrohtë ose ta ruani të mbuluar në mënyrë të të qëndrojë i butë.

  • Biskota pa vezë dhe pa gjalpë – Të buta nga brenda dhe krokante nga jashtë

    Biskota pa vezë dhe pa gjalpë – Të buta nga brenda dhe krokante nga jashtë

    Biskotat zakonisht përgatiten me vezë dhe gjalpë, duke qenë se janë dhe përbërësit kryesor të recetave.

    Ju tregojmë sot një tjetër mënyrë si të mund të përgatisni këto ëmbëlsira perfekte pa këto dy produkte kryesore.

    Tek kjo recetë rolin kryesor e luan qumështi, i cili i jep një butësi biskotave duke i kthyer në të preferuarat e të gjithë pjesëtarëve të familjes.

    Janë fantastike për t’u shoqëruar me kafe në mëngjes, apo me qumësht për fëmijët.

    Përbërësit për 40 biskota

    • 150ml qumësht
    • 120ml vaj misri ose luledielli
    • 120g sheqer
    • Lëkura e një limoni
    • 1 pako me vanilje pluhur
    • 8g fryrës ëmbëlsirash
    • 450g miell

    Përgatitja

    Për të përgatitur këto biskota perfekte pa gjalpë dhe vezë, nisni me përzierjen e qumështit, vajit dhe sheqerit në një tas.

    Më pas shtoni edhe lëkurën e grirë të një limoni, pakon me vanilje dhe atë të fryrësit për ëmbëlsira.

    Pasi të keni kryer të gjitha këto hapa, shtoni ngadalë miellin.

    Brumin punojeni me duar derisa t’ju duhet ta kaloni në tavolinë.

    Punojeni mirë derisa brumi i biskotave të jetë i butë dhe elastik.

    Ndërkohë pasi të keni mbaruar me brumin, në një tas hidhni pak sheqer, i cili do të shërbejë për të spërkatur sipërfaqen e biskotave.

    Ndani brumin dhe me duar formoni një shirit në formën e cilindrit diku tek 2cm të gjerë.

    Kur të keni formuar cilindrin e parë nisni të prisni me thikë pjesë të vogla nga brumi.

    Gjatësia e biskotave të jetë diku tek katër centimetra, kështu ato nuk do të thahen brenda.

    Pasi t’i keni prerë, ju sugjerojmë që t’i kaloni tek tasi me sheqer duke i krijuar një shtresë të hollë në sipërfaqe.

    Vendosini biskotat në një tavë të shtruar me letër pjekjeje me hapësirë nga njëra tjetra.

    Piqini në furrë me 180 gradë për 20 minuta.

    Kur biskotat të jenë ftohur lërini të ftohen plotësisht dhe më pas mund t’i shërbeni apo t’i vendosni në një enë me kapak për t’i ruajtur deri në 7-8 ditë.

  • Mënyra e shijshme e përgatitjes së karameleve Zana në shtëpi!

    Mënyra e shijshme e përgatitjes së karameleve Zana në shtëpi!

    Dikur ishin ëmbëlsirat më magjepsëse për fëmijë e të rritur. Por ashu si dikur edhe sot, karamelet Zana mbeten të veçanta dhe me shije të mrekullueshme duke tërhequr nepsin e kujtdo.

    Ju sjellim më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së këtyre karameleve unike krejt lehtë në shtëpi.

    Përgatitja e Karameleve Zana Në Shtëpi

    Përbërësit

    • Gjysmë gote me ujë
    • 400 g sheqer
    • Gjysmë luge çaji me vanilje
    • 1 kuti me qumësht të kondesuar (qumësht panda)
    • 300 g mjaltë (jo i ngurtë ose i fortë)
    • 12 lugë gjelle me gjalpë të zbutur
    • 1 lugë çaji me kripë

    Përgatitja

    Në një tas të madh, bashkoni ujin, sheqerin, vaniljen dhe përzjejeni masën derisa ajo të jetë homogjene.

    Kokrrizat e sheqerit duhet të jentë tretur para se të shtoni mjaltin, qumështin panda dhe gjalpin.

    Kalojeni përbërjen në një tenxhere dhe vendoseni në zjarr të ngadaltë.

    Ju këshillojmë që të tregoni kujdes dhe të përzjeni gjatë gjithë kohës me një tel kuzhine. Kështu masa nuk do të ngjitet në fundin e tenxheres.

    Masa do të fillojë të trashet dhe të marrë një ngjyrë të artë.

    Tenxheren duhet ta lini në zjarr derisa masa të ketë valuar.

    Për të kuptuar që përzjerja është gati, merrni një tas të vogël me ujë të ftohtë.

    Merrni me një lugë pak nga masa e formuar dhe futeni në tasin me ujin e ftohtë. Pasi të jetë ftohur shtypeni me dorë, karameli duhet të jetë i plotë por jo i fortë.

    Ngjyra do të jetë ajo tipikja e karameleve të dashura që jemi mësuar.

    Hiqeni nga zjarri dhe vazhdoni ta përzjeni dhe për 5 minuta të tjera. Kështu do të lejoni që nxehtësia e tenxheres të mos vazhdojë të ndikojë tek fortësia e karamelit.

    Në një tavë vendosni një letër kuzhine, ajo do të mundësojë lehtësi për heqjen e karamelit, kur ai të jetë ngurtësuar.

    Masën që përgatitët hidheni në tavë dhe hapeni me një lugë në mënyrë që të krijohet një shtresë e barabartë në trashësi.

    Lëreni që të ftohet në temperaturë ambjenti përreth 2 orë.

    Më pas hiqeni karamelin nga tava duke kapur anët e letrës së kuzhinës.

    Me një thike priteni në format karakteristike katrore të karameleve Zana.

    Mjafton t’i vendosni të gjitha në një pjatë dhe t’i shijoni me familjen dhe të afërmit.

    Për t’i ruajtur, ju sugjerojmë që t’i mbështillni me qese kuzhine. Në këtë formë do të qëndrojnë për dy ditë.

  • Ja si të përgatisni paçavuren – Ëmbëlsirën magjepsëse të amvisave korçare

    Ja si të përgatisni paçavuren – Ëmbëlsirën magjepsëse të amvisave korçare

    Paçavurja është një ëmbëlsirë fantastike që të mahnit me shijen e saj. Është një specialitet karakteristik i amvisave të Korçës.

    Sot, kjo ëmbëlsirë është shndërruar në më të preferuarat e turistëve të huaj që mbeten të magjepsur prej shijes së saj, teksa e provojnë në tavernat e ndryshme korçare.

    Quhet Paçavure për shkak të mënyrës së përgatitjes së saj, kjo pasi petat vendosen rrëmujshëm gjatë përgatitjes.

    Është pikërisht mënyra e përgatitjes gjithë sekreti i kësaj ëmbëlsire fantastike, e cila nuk kërkon shumë kohë dhe as mund për t’u realizuar.

    Më poshtë do të mësoni përgatitjen e Paçavures sipas recetës së amvisave korçare.

    Përgatitja e Ëmbëlsirës Paçavure në Shtëpi

    Përbërësit

    • 1 pako me peta ëmbësirash të gatshëm (i gjeni në supermarkete)
    • 6 kokrra vezë
    • 1 filxhan çaji me arra të thërrmuara
    • 1 filxhan çaji me vaj ulliri
    • Pak gjalpë i freskët
    • 1 filxhan çaji me kos
    • 1 filxhan çaji me sheqer
    • 1 lugë kafeje me sodë buke
    • 2 pako krem karamel (i gjeni në supermarket)

     Për sherbetin

    • 800-1 kg sheqer
    • 1 l ujë

    Përgatitja  

    Petat e ëmbëlsirës i mbledhim rrëmujshëm dhe të rrudhosura i vendosim në një tepsi të lyer me pak gjalpë dhe i vendosim të piqen në furrë.

    I lëmë në furrë për pak minuta derisa fillojnë të thahen.

    Ndërkohë, në një tas hidhni vezët, sheqerin, vajin e ullirit, kosin, sodën e bukës dhe krem karamelin.

    Përziejini mirë të gjitha bashkë dhe më pas të gjithë masën hidheni mbi petët e thara në furrë. Sipër spërkatini me arrat e thërrmuara dhe futeni të piqet përreth 20-25 minuta.

    Ndërkohë, përgatisni sherbetin duke zierë sheqerin me ujin derisa të jetë gati në formën e shurupit pak të trashë.

    Pasi ta hiqni ëmbëlsirën nga furra lëreni të ftohet dhe sherbetin hidhjani sipër të nxehtë.

    Priteni në forma katrore apo rombi dhe Paçavurja është gati për t’u servirur.

  • Krepa me kungulleshka dhe gjizë – Një recetë e lehtë dhe plot shije!

    Krepa me kungulleshka dhe gjizë – Një recetë e lehtë dhe plot shije!

    Krepat janë një nga recetat më thjeshta dhe popullore të cilat mund t’i shijoni në çdo kohë.

    Zakonisht përgatiten kur doni një gatim të shpejtë e një vakt të lehtë, duke u shoqëruar me ndonjë salcë po ashtu të thjeshtë.

    Në këtë recetë ju tregojmë se si t’i ktheni ato lehtë në një vakt të plotë, për të shtruar mëngjeset, drekat apo darkat tuaja.

    Të mbushura me kungulleshka dhe gjizë, zbuloni në vijim recetën interesante e mjaft të shijshme.

    Përbërësit

    • 3 vezë
    • 350 ml qumësht
    • 200 gr miell
    • 500 gr kunulleshka
    • 250 gjizë pa kripë
    • 80 gr djathë kaçkavall i grirë
    • 1 thelbi hudhër
    • Mente e freskët
    • Kripë
    • Piper
    • Vaj

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete ju këshillojmë të grini hollë kungulleshkat.

    Të gjithë rrathët e hollë, vendosini në një tigan për t’u skuqur me pak vaj ulliri, kripë dhe një thelbi hudhër.

    Kur tigani të nisë të ngrohet, shtoni gjysmë gote më ujë dhe lërini të gatuhen për 15-20 minuta, derisa të zbuten.

    Më pas vazhdoni duke përgatitur brumin për krepat, në një enë shtoni vezët bashkë me qumështin dhe përziejini me anë të një rrahësei ose piruni.

    Pak nga pak nisni të shtoni miellin dhe pak kripë, duke përzier në mënyrë që të mos krijohen kokrriza.

    Pasi të jetë formuar brumi i trashë, lëreni të pushojë për 15 minuta.

    Ndërkohë shtoni në një enë gjizën pa kripë, kungulleshkat e skuqura, djathin kaçkavall të grirë dhe përzieni të gjithë masën derisa të jetë homogjene.

    Në një tigan të pastër, filloni të krijoni krepat.

    Merrni brumin me anë të një garuzhde dhe përhapeni nëpër të gjithë tiganin në formën e një pete.

    Formoni të gjithë petët e krepave dhe mbushini me masën homogjene që sapo përgatitët.

    Më pas palosini krepat në formë trekëndore dhe vendosini në një tavë në mënyrë që të qëndrojnë të mbyllura.

    Shtoni pak vaj ulliri dhe djathë kaçkavall të grirë dhe futini që të piqen në temperaturën 190 gradë për 20 minuta.

    Kur të kenë marrë ngjyrë të artë dhe djathi të jetë shkrirë, hiqni nga furra dhe më pas mund t’i shërbeni.