Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohet për dhunë në familje. Policia thotë se të riut i është sekuestruar edhe një kallashnikov me 22 fishekë.
Sipas policisë, 30-vjeçari ushtronte në mënyrë të vazhdueshme dhunë ndaj gruas së tij.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Asdreni”, një 30-vjeçar kishte konflikt me bashkëshorten dhe mbante armë zjarri në ambientet e banesës së tyre, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës në familje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, me një krehër me 22 fishekë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. E., 30 vjeç dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.