Vllaznia ka mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin me Edi Martinin dhe tashmë në Shkodër bëhet gati një kapitull i ri në stol. Klubi kuqeblu njoftoi për përfundimin e bashkëpunimit me teknikun, duke e falënderuar për punën, angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës në drejtimin e skuadrës.
Largimi i Martinit tashmë është zyrtar, ndërsa vëmendja është e gjitha te emri që pritet ta pasojë.
Bëhet fjalë për Çaba Laslon, me klubin shkodran që ka arritur akordin me trajnerin hungarez 62-vjeçar. Nëse nuk ka ndryshime të fundit, Laslo pritet të prezantohet zyrtarisht gjatë kësaj fundjave dhe të nisë aventurën e tij të re në futbollin shqiptar.
Tekniku hungarez sjell me vete një eksperiencë të gjatë në futbollin europian dhe ndërkombëtar. Gjatë karrierës së tij ka drejtuar skuadra si Ferencvaroshi, MTK Budapesti dhe Harts, ndërsa ka qenë gjithashtu në stolin e përfaqësueseve të Lituanisë dhe Ugandës.
Tashmë, pas përfundimit të kapitullit me Edi Martinin, Vllaznia është gati të hapë një tjetër faqe me Çaba Laslon. Prezantimi i tij në fundjavë pritet të zyrtarizojë nisjen e një epoke të re në stolin kuqeblu.