Ditën e sotme, kryeprokurori i Përgjithshëm, Oslian Çela në një takim me prokurorët ka ngritur alarmin se krimi i organizuar kontrollon qytetin e Elbasanit. Çela kërkoi më shumë bashkëpunim me institucionet e tjera ligjbatuese, ndërsa i inkurajoi ata për hetim të pavarur.
Fill pas këtij deklarimi drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi ka organizuar një takim, i cili ka zgjatur disa orë me zyrtarë të Policisë, në Drejtorinë vendore të policisë së këtij qyteti.
Të pranishëm kanë qenë oficerë dhe drejtues të sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Elbasan ku në fokus të diskutimeve kanë qenë ngjarjet e fundit kriminale në këtë qark.
Sot kryeprokurorit Olsian Çela theksoi se nuk mund të tolerohet që një qytet të kthehet në skenë krimi dhe të kthehet në një model të Sicilisë së viteve 70-80.
“Niveli i krimit është në rritje. Kemi të bëjmë me krimin e rëndë, me krimin e organizuar. Në Elbasan po vihen re shenja të qartë të kontriollit të krimit të organizuar.
Këto janë shenja të qarta të krimit të organizuar dhe këto kërkojnë një përgjigje ekzemplare nga ana e strukturave të shtetit.
Një qytet nuk mund të tolerohet të kthehet në një skenë krimi. Këto janë ngjarje që janë vetëm maja e ajsbergut me atë që çfarë ndodh në Elbasan. As Elbasani dhe asnjë qytet tjetër nuk mund të kthehet në kontroll të grupeve kriminalë. Asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë se shtetit.
Niveli i bashkëpunimit duhet të ngrihet në nivele të tjera. Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme. Shqipëria dhe aq më tepër Elbasani nuk mund të kthehet në një model të Sicilisë së viteve 70-80. Askush nuk duhet të ndihet i vetëm përballë krimit. Duhet të kërkoni mbështetjen e të gjitha strukturave”, tha Çela.