Lëvizjet te Tirana nuk kanë përfunduar vetëm me pankinën. Pas emërimit të trajnerit të ri boshnjak, Dean Klafurić, klubi bardheblu ka pësuar ndryshime edhe në stafin teknik.
Pas tre sezonesh në krye të përgatitjes atletike, Xhuljan Reci ka mbyllur bashkëpunimin me Tiranën. Largimi i tij vjen si pasojë e riorganizimit të stafit, pasi Klafurić ka zgjedhur të punojë me bashkëpunëtorët e tij, të cilët i ka sjellë së bashku me ardhjen në kryeqytet.
Përmes një mesazhi publik, Reci falënderoi klubin, futbollistët, drejtuesit, stafet teknike dhe tifozët për tre vitet e bashkëpunimit, duke e cilësuar periudhën te Tirana si një nder dhe privilegj.
Përgatitësi atletik ishte pjesë e bardhebluve në një periudhë me ulje-ngritje, duke punuar me disa trajnerë dhe duke kontribuar në përgatitjen fizike të skuadrës përgjatë tre sezoneve.
Ndërkohë, me afrimin e Klafurić, Tirana ka nisur një kapitull të ri, ku përveç ndryshimeve në merkaton e lojtarëve, po ndërtohet edhe një staf teknik i ri sipas filozofisë së trajnerit boshnjak.