TIRANA NË ALARM! Merkatoja e bllokuar, akademia shpëton bardheblutë para Egnatias (LISTA)

by KLIKOJE.AL

Tirana e nis sezonin e ri në një situatë aspak të zakonshme. Bardheblutë do të zbresin në fushë përballë kampionëve të Egnatias, por trajneri Dean Klafuriç do të ketë në dispozicion një grup të reduktuar prej vetëm 16 lojtarësh.

Arsyeja? Afrimet e merkatos së verës ende nuk janë federuar, për shkak të bllokimit të merkatos së Tiranës. Në këto kushte, akademia bëhet shpëtimi i bardhebluve dhe Klafuriç detyrohet t’u besojë edhe lojtarëve të rinj për një nga sfidat më të vështira të startit të kampionatit.

Situata është e pazakontë për një klub me peshën dhe historinë e Tiranës. Në një sezon që shënon edicionin e 88-të të Abissnet Superiores, bardheblutë e nisin aventurën me një skuadër të cunguar dhe pa mundësinë për të aktivizuar një pjesë të rëndësishme të afrimeve të verës.

Ky nuk është rasti i parë i një skuadre që përballet me probleme të tilla në start. Edhe Skënderbeu u shfaq në një situatë të ngjashme, por korçarët arritën të zhvillonin një paraqitje dinjitoze përballë Vllaznisë. Për Tiranën, megjithatë, situata është edhe më e ndjeshme, duke pasur parasysh pritshmëritë dhe objektivat e klubit.

Përballë do të jetë Egnatia, kampionia në fuqi, e cila vjen gjithashtu pas një angazhimi të rëndësishëm në Europë. Rrogozhinasit vetëm pak ditë më parë barazuan ndaj Lillestrøm në ndeshjen e play-off-it të Ligës së Europës, por tashmë duhet të kthejnë vëmendjen te kampionati.

Lista e lojtarëve të gatshëm deri tani është:

Visar Bekaj, Klajdi Kuka, Luçiano Vera, Basilio Ndong, Serxho Vogli, Ermal Meta, Fredi Alvarez, Patrik Mysloviç, Redon Xhixha, Etien Tare, Serxho Prendi, Olti Qerimaj, Aimar Bami, Rejan Cali, Kleo Lika dhe Mateo Maci.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.