Florin Bratu e nisi aventurën zyrtare në stolin e Partizanit me një barazim pa gola. Të kuqtë u ndalën në shifrat 0-0 përballë Teutës në javën e parë të Abissnet Superiores, në një sfidë ku skuadra kryeqytetase luajti me një lojtar më pak për më shumë se 50 minuta.
Ajo që bie më shumë në sy është zgjedhja taktike e trajnerit rumun. Edhe pse 4-2-3-1 është skema e tij e preferuar, ndaj Teutës Bratu zgjodhi një 4-4-2. Një vendim që duket se ndikoi drejtpërdrejt te disa prej lojtarëve më cilësorë të skuadrës.
Në fokus janë sidomos Seku Sidibe dhe Rouen Hjumen, dy futbollistë që konsiderohen ndër pikat më të forta të Partizanit. Klubi arriti t’i mbajë në ekip, pavarësisht zërave fillestarë për largimin e tyre, por në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit ata nuk arritën të shfaqnin potencialin e tyre të plotë.
Në pjesën e parë, të dy patën vështirësi të dukshme. Arsyeja lidhet edhe me pozicionet ku u vendosën në skemën 4-4-2, duke u detyruar të luanin më shumë në krahët e mesfushës.
Hjumen është një numër 10 klasik, një lojtar që jep më të mirën kur ka liri për të organizuar dhe krijuar në zonën pas sulmuesve. Sidibe, nga ana tjetër, është një sulmues krahu, veçanërisht i rrezikshëm në të djathtë.
Debutimi ndaj Teutës ishte për t’u harruar për të dy. Hjumen u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 44-t, ndërsa Sidibe u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, duke i lënë vend mesfushorit Jata.
Nëse Bratu vendos të vijojë me të njëjtën skemë, atëherë dilema bëhet edhe më e madhe. Lojtarë si Seku Sidibe, David Fadairo dhe Altin Aliu rrezikojnë të mos shfrytëzohen në pozicionet e tyre natyrale, ndërsa Hjumen dhe Kazim Ogunleje mund të penalizohen nëse nuk marrin hapësirën që kërkon një numër 10.
Barazimi me Teutën i dha Partizanit pikën e parë të sezonit, por njëkohësisht i la Bratut edhe një detyrë të rëndësishme: të gjejë skemën që i lejon lojtarët më të talentuar të skuadrës të shprehin maksimumin e tyre.