Teuta ka marrë një fitore të rëndësishme me përmbysje ndaj Tiranës, duke triumfuar me rezultatin 3-1 në “Niko Dovana”, në sfidën e vlefshme për javën e dytë të Abissnet Superiores.
Tirana e nis më mirë takimin dhe kalon në avantazh në minutën e 13-të. Pas një penalltie të akorduar në favor të kryeqytetasve, është Kish që tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe i jep Tiranës avantazhin 1-0.
Teuta reagon në pjesën e dytë dhe në minutën e 66-të gjen golin e barazimit. Toli ekzekuton një goditje nga këndi dhe Zhongo godet saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke rikthyer baraspeshën në “Niko Dovana”.
Durrsakët vazhdojnë të insistojnë dhe në minutën e 79-të realizojnë përmbysjen. Boçi merr topin në krahun e majtë, shmang një kundërshtar dhe me një goditje të saktë mposht Bekajn, duke kaluar Teutën në avantazh, 2-1.
Por festa e vendasve nuk ndalet këtu. Në minutën e 85-të, Anthony Umejiego shfaqet në zonë dhe me një goditje me kokë dërgon topin për herë të tretë në rrjetën e Tiranës, duke vulosur fitoren 3-1 të Teutës.
Një përmbysje spektakolare e skuadrës durrsake, e cila merr tre pikët e para të sezonit dhe ngjitet në kuotën e 4 pikëve pas dy javësh. Në krahun tjetër, Tirana pëson humbjen e dytë radhazi dhe mbetet pa pikë në këtë start të kampionatit.