Jurgen Goxha, mbrojtësi i Besës ka folur në prag të takimit. Flamurtari-Besa është kryendeshja e javës së 22-të, takim i cili do të luhet nesër në orën 13:30 në stadiumin e Vlorës. Përtej gabimeve të Besës, Flamurtari dhe kavajasit janë dy ekipet që kanë zhvilluar një kampionat të fortë dhe cilësor. Dy ekipet janë përballur deri tani dy herë në këtë sezon.
Në fazën e parë në kampionat barazuan në Rrogozhinë, ndërsa në Kupë, kavajasit u kualifikuan në Vlorë. Diferenca mes dy klubeve qëndron te ndeshjet në shtëpi, ku vlonjatët përjashto sfidën hapëse me Burrelin, të tjerat i kanë fituar. Ndërsa Besa ka lënë së paku 12 pikë në shtëpi. Për këto arsye, mbrojtësi Jurgen Goxha e vlerëson si një finale, por i druhet sulmit të vlonjatëve. Sipas Goxhës, prapavija kavajase do ketë shumë punë në Vlorë.
NDESHJA- Nëse nuk do kishim gabuar në shtëpi, në Vlorë do të shkonim më të qetë, ndërsa tani e gjithë ngarkesa psikologjike bie mbi kurrizin tonë. Në fund të fundit vendësit luajnë për dy rezultate, ndërsa ne na intereson vetëm fitorja. Sikur të mos mjaftonte ky “avantazh” i Flamurtarit, vijnë edhe dëmtimet në momentin tonë më delikat. Për vetë rëndësinë që ka ndeshja për të dyja ekipet, besoj se ngarkesa kryesore bie mbi prapavijën tonë.
MBROJTJA-Kuptohet, mbron i gjithë ekipi, por ‘biletat’ në qendër të prapavijës i pres unë dhe Abdulai bashkë me portierin Mehidri. Me këtë nuk dua të them se Besa do të mbrohet me 11 veta, por jam koshient se Flamurtari ka sulmues të mirë po ashtu edhe mesfushorë që godasin. Ne si e ekip e pranojmë faktin se Flamurtari të lejon të luash futboll dhe këtu buron edhe besimi im, pasi Besa ka lojtarë cilësor.
KUNDËRSHTARI-Duhet të tregohemi altruistë dhe cinik në rastet që do të krijojmë. Ndeshja me Kukësin është rasti ku duhet të mësojmë. Dominuam për 80 minuta, por goli erdhi në fund. Flamurtari është tjetër kualitet dhe, nëse e fal, qoftë edhe në një rast goli, ke ndëshkuar veten. Ne nuk shkojmë drejt Vlorës me frikë, por me një vlerësim real për Flamurtarin. Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta përballojmë dhe të marrim atë që duam”, përfundoi mbrojtësi Jurgen Goxha.