Skënderbeu është në hall para ndeshjes së radhës me Partizanin. Në seancën e fundit stërvitore është dëmtuar sulmuesi Ardit Nikaj, i cili ka lënë fushën pas një përplasjeje në lojë. Dëmtimi i shkodranit ka sjellë jo pak ankth në kampin bardhekuq, duke parë që forca e përplasjes ka qenë e madhe dhe dëmtimi në pamje të parë është dukur serioz.
Gjithçka ka ndodhur në mbyllje të seancës stërvitore, kur trajneri Ivan Gvozdenovic ka provuar rreshtimin për ndeshjen e radhës në transfertë. Edhe pse nuk konfirmohet asgjë nga ana e klubit bardhekuq dhe nga stafi mjekësor, shanset janë të mëdha që sulmuesi të ketë mbyllur sezonin.
Në këtë situatë, trajnerit dhe stafit të tij u duhet të gjejnë alternativën për zëvendësimin e Nikajt për tri ndeshjet e mbetura të kampionatit, duke filluar nga ajo e së shtunës në kryeqytet kundër Partizanit. Lajmi i mirë për korçarët mund të quhet bashkimi i Juri Merlim me grupin. Mesfushori brazilian, i dëmtuar në ndeshjen ndaj Erzenit, ku ka lënë fushë me barelë, sot pritet të kryejë stërvitje me lojtarët e tjerë dhe të jetë gati për trajnerin Gvozdenovic.