Tefik Osmani prej kohësh përflitet se do të rimarrë sërish detyrën te Tirana si drejtor sportiv. Deri më tani palët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, pasi në orët e fundit është Pogradeci që kërkon të firmosë me drejtuesin korçar.Ish-mbrojtësi korçar e ka treguar veten si drejtor në vitet e fundit te Tirana dhe Vllaznia. Me përvojën e tij dhe njohjet, ai mund të bëjë që Pogradeci i sezonit 2025-2026 të jetë një kandidat potencial në Kategorinë e Parë.
Mbetet të shikohet se si do të zhvillohet kjo lëvizje në kampin pogradecar, ku që para përfundimit të edicionit të fundit drejtuesit shpallën si objektiv, ngjitjen e Pogradecit në Superiore. Sezoni 2025-2026 në Kategorinë e Parë pritet të jetë “flakë”, për vetë emrat që marrin pjesë në kampionat dhe pritet një “luftë” e fortë sportive për të siguruar dy vendet e para, pozicione të cilat të sigurojnë rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.
Pogradeci i kaloi shumë pranë realizimit të ëndrrës së sezonit të fundit, ngjitje në Kategorinë Superiore. Liqenorët e nisin edicionin e fundit si debutues, pasi vinin ka Kategoria e Dytë në të Parën. Kështu që misioni fillestar ishte sigurimi i mbijetesës, por me ndryshimet që pësoi Pogradeci në merkaton e janarit, ku frenat e klubit i mori presidenti Armand Lilo, liqenorët e shtuan “oreksin”.
Me pak fat dhe eksperiencë në finalen e “play off”-it me Tiranën, pogradecarët mund siguronin që këtë verë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Gjithsesi, ky edicion do të shërbejë si përvojë dhe vazhdim i projektit të Pogradecit, që Superioren ta finalizojë në fund të sezonit të ardhshëm.