Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: shba

  • Amerika goditet nga një stuhi bore/ Në disa vende shpallet gjendje e jashtëzakonshme

    Amerika goditet nga një stuhi bore/ Në disa vende shpallet gjendje e jashtëzakonshme

    Një stuhi e fortë bore po lëviz drejt veri-lindjes së SHBA-së, përfshirë Nju Jorkun, pas Uashingtonit të mbuluar nga bora.

    Sipas medieve të huaja, shërbimet e motit kanë lëshuar paralajmërime për stuhinë nga shteti i Virxhinias në Maine, vendbanim për dhjetëra miliona njerëz dhe njofton se trashësia e borës do të jetë 45 deri në 60 centimetra në New York-un jugor, verilindje të New Jersey-it dhe pjesë të Connecticut.

    Guvernatori i New Jersey, Philip Murphy shpalli një gjendje të jashtëzakonshme para se të vinte stuhia, duke lejuar autoritetet të mbyllnin rrugët, të evakuoheshin dhe të përdornin pajisjet e nevojshme për të mbrojtur publikun.

    Në Filadelfia, gjithashtu u dha një paralajmërim për borën, ndërtesat qeveritare u mbyllën dhe vendasit u urdhëruan të hiqnin automjetet nga rrugët në mënyrë që pastruesit të mund të punonin pa pengesa.

    Sipas shërbimeve të meteorologjisë, stuhia goditi Kaliforninë javën e kaluar, me borë dhe shi të madh, pas së cilës ajo po lëviz drejt Midwest.

    Stuhia do të vazhdojë në rajon gjatë javës, e ndjekur nga “një përzierje e akullit dhe shiut të akullt”.

    Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u takua me këshilltarët për të diskutuar një numër temash, që nga stuhia e ardhshme, te vaksinat kundër Covid-19 dhe për ndihmën ekonomike.

    Burimi: Telegrafi

  • Një javë si president/ Biden më popullor sesa për katër vjet Trump

    Një javë si president/ Biden më popullor sesa për katër vjet Trump

    Një javë pasi hyri në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden gëzon popullaritetin e 54 për qind të të anketuarve, një nivel që paraardhësi, Donald Trump nuk e arriti në të gjithë mandatin katërvjeçar, sipas një sondazhi të botuar të mërkurën.

    Biden mbështetet nga 54 për qind e të anketuarve, 30 për qind janë kundër dhe 16 për qind janë të pavendosur.

    Sondazhi i Universiteti i Monmouth u krye nga 21 deri më 24 janar me 809 persona.

    Sipas një sondazhi të Gallup, presidenti republikan gëzoi mbështetjen e vetëm 34 për qind të të anketuarve në fund të mandatit, i cili është historikisht numri më i ulët, pasi ai filloi mandatin e tij me mbështetjen e 45 për qind të të anketuarve, e cila u rrit në 49 për qind në fillim të vitit 2020.

    Sondazhe të tjera tregojnë se Joe Biden gëzon mbështetje edhe më të madhe në ditët e para të mandatit të tij: 56 për qind sipas Morning Consult dhe 63 për qind sipas një sondazhi të kryer nga Hill-HarrisX. 

    Burimi: Telegrafi

  • Politika pengon “paqen” ekonomike Kosovë-Serbi

    Politika pengon “paqen” ekonomike Kosovë-Serbi

    Marrëveshja Kosovë-Serbi e nënshkruar në Uashington synon, që përmes ekonomisë të arrihet paqja, por është politika problemi kryesor për biznesin. A mund t’i zgjidhë mini-Shengeni këto probleme?

    Prodhimet nga Serbia shtohen dhe janë dominuese në tregun e Kosovës prej dekadash. Serbia shet shumë më shumë se sa Kosova, por të dhënat e muajve të fundit, tregojnë për një rritje të produkteve kosovare në tregun serb. “Disbalanca është 1 me 10”, thotë Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës kur përshkruan shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Varësinë ndaj produkteve serbe, kosovarët nuk kanë mundur ta heqin as pas luftës së vitit 1999. “Sa është tërhequr ushtria serbe, ka filluar tregtia”, kujton Rukiqi. Prodhimet nga Serbia ende dominojnë tregun kosovar. 

    Të hiqen barrierat për prodhuesit e Kosovës që eksportojnë në Serbi

    “Është e vërtetë që ne nuk i kemi disa prodhime dhe na ka leverdisur të përdorim ato serbe, arsyeja ka qenë çmimi…”, thekson kryetari Rukiqi, një nga ekspertët e rinj të Prishtinës, që një pjesë të studimeve i ka kryer në Bruksel. Fokusi i tij kryesor, thotë të jetë, heqja e barrierave për prodhuesit e Kosovës që eksportojnë në Serbi apo e përdorin Serbinë si vend tranzit. 

    Arsyet janë të ndryshme, por kryesorja është deklarimi i adresës së prodhuesve, pasi me ligjet e Kosovës në ambalazh duhet vendosur adresa me emrin kushtetutes – Republika e Kosovës. Këtë emërtim, nuk e pranon Republika e Serbisë bashkë me shumicën e dokumentave të tjera. Kështu, disbalanca e shkëmbimeve tregtare është mjaft e thellë.  

    Rreth 500 milionë euro mallra “Made in Serbia” kanë hyrë çdo vit në Kosovë deri para taksës së qeverisë në Prishtinë prej 100 përqind, gati dy vite më parë.  

    Serbia shfrytëzoi mungesën e politikave ekonomike të Kosovës

    “Një disbalancë e tillë është bërë në mënyrë artificiale. Kosova pas luftës nuk ka pasur politika ekonomike dhe këtë Serbia e ka shfrytëzuar mjeshtërisht”, vlerëson Rukiqi. Kjo ndryshoi paksa pas taksës dhe Serbia e ka humbur një pjesë të tregut.  “Ne nuk mund të flasim për suksesin e një bashkëpunimi përderisa nuk kemi një rritje të pranisë së prodhimeve të Kosovës në tregun e Serbisë”, thotë Rukiqi në intervistë për DW.  

    Nga zyra e tij në Prishtinë, Rrukiqi thotë, se “prodhimet kosovare kanë probleme të mëdha pasi Serbia e pranon vetëm një dokument dhe ai është i prejardhjes, por për çdo gjë tjetër është e komplikuar”.  Nga ana tjetër “prodhimet serbe nuk kanë asnjë pengesë të hyjnë në Kosovë”, shton Rukiqi.  

    Pesë muaj pas heqjes së taksës nga Kosova, dhe arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, Rukiqi shkoi në Beograd për t’u takuar homologun e tij, Marko Çadezh, kryetarin e Dhomës Ekonomike të Serbisë, asociacionit më të madh ekonomik në Serbi. Së bashku në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, në shtator të vitit të kaluar, ata firmosën themelimin e ekipeve të përbashkëta të sipërmarrësve në mënyrë që të përgatiten për projekte.   

    Ekonomitë e dy vendeve shumë të lidhura

    Më komod në pozitën e tij, është Marko Çadezh, një ekspert i shkolluar në Frankfurt, në zyrën e tij në Beograd. Dhoma që ai drejton përbëhet nga biznese që eksportojnë miliona euro mallra në Kosovë.  

    Ai i ka parasysh pengesat për bizneset në Dhomën që drejton Rrukiqi. Ai thotë se problemet ndaj kompanive dhe prodhimeve të Kosovës janë reale dhe se e ngadalësojnë tregtinë. “Ekonomitë tona janë shumë të lidhura. Në kohën e taksës ka pasur kompani nga Kosova që lënden e parë e blejnë në Serbi, por eksportojnë në vende të tjera prodhimet e tyre dhe nuk kanë qenë më konkurrent”, sqaron Çadezh, duke shtuar se “ekonomitë tona janë të lidhura si enët e gjakut”.   

    Serbia vitin e kaluar ka arritur të marrë 2.9 miliardë investime të huaja, ose 62 për qind të të gjitha investimeve të huaja që kanë arritur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mendohet se do të përbënin përfundimisht projektin e mini-Shengenit.

    Marko Çadezh është pro bashkëpunimit pa limite në ekonomi, jo vetëm Kosovë – Serbi. “Përse duhet ta ndalojmë transportin me tren për shkak se politika nuk ka rënë dakord se e kujt është hekurudha?”, përgjigjet me pyetje Çadezh, kur sqaron se a mund të zgjidhë një pjesë të problemeve projekti i mini-Shengenit ballkanik, në të cilin tashmë janë të dyja vendet.  

     “Politika duhet të merret me problemet politike. Por, unë shoh një potencial pikërisht për Kosovën tek mini-Shengeni pasi mund të zgjidhim shumë shpejt disa probleme që kanë ngelur në nivelin politik”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë në Serbi. 

    Çadezh beson se duhen pranuar të gjitha dokumentat, pasi vendet e rajonit të gjitha procedurat i kanë në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian dhe thotë se nuk ka arsye që ato të mos aprovohen. “Vetëm pas marrëveshjes së Uashingtonit kemi pasur një rritje të disa kompanive nga Kosova që kanë firmosur marrëveshje dhe kanë tregtuar më shumë me Serbinë”, thotë Çadezh, duke shtuar se kjo gjë nuk mjafton: “Investiorët e huaj mendojnë ndryshe për një treg prej 18 milionë banorësh”.

    Presidenti Çadezh, thotë se projektet e ideuara përmes marrëveshjes së Uashingtonit, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane, do të realizohen me garancitë e agjencisë amerikanë për zhvillim (DFC). “Njerëzit janë më të vetëdijshëm dhe mendoj se edhe politikanët duhet t’i ofrojnë diçka votuesve të tyre. Nuk mund t’ua ofroni gjithnjë të shkuarën. Mendoj se po kuptojmë që duhet të ofrojmë dhe realizojmë të ardhmen. Nuk flasim për interesa të vogla ekonomike, por për korniza të qarta se si funksionon ekonomia dhe kapitali”, shton Çadezh i bindur për marrëdhënie më të mira ekonomike me Kosovën dhe rajonin.  

    Këtë e kërkon edhe Berat Rukiqi, presidenti i Odës Ekonomike të Kosovës, i cili thotë se përveç dokumentacionit  është shumë e rëndësishme klima në të cilën zhvillohet një marrëdhënie tregtare. “Disa nga sipërmarrësit tanë kanë provuar të jenë nëpër raftet e marketeve në Serbi me prodhimet e tyre, por nuk janë pritur mirë. Janë sulmuar me propagandë në faqet e para të tabloideve dhe janë akuzuar se janë financues të UÇK-së”, thotë Rukiqi, duke shtuar se “duhet besim dhe një klimë tjetër për progres. Nuk mund të fitoj dikush dhe ne të ndalohemi”.  

    Burimi: DW

  • Inaugurimi i Biden si president/ Masa të pashembullta të sigurisë, zona përreth Kapitolit është kthyer në një “fortesë të blinduar”

    Inaugurimi i Biden si president/ Masa të pashembullta të sigurisë, zona përreth Kapitolit është kthyer në një “fortesë të blinduar”

    Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara thonë se po marrin të gjitha masat paraprake për tu mbrojtur nga një sulm i mundshëm gjatë inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën në shkallët e Kapitolit të SHBA, përfshirë kontrollin e sigurisë nga FBI-ja të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.

    “Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar kryeqytetin”, tha në një deklaratë sekretari në detyrë i Mbrojtjes Christopher Miller.

    Ai tha se trupave po u bëhet trajnim shtesë ndërsa mbërrijnë në Uashington dhe u është thënë se “nëse shohin ose dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ia raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës”.

    Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojnë se Presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e zotit Biden.

    Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.

    Siguria është më në qendër se zakonisht, ndërsa inaugurimi vjen dy javë pasi mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin pasi ai i nxiti ata të marshonin drejt ndërtesës, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfirmuar fitoren e zotit Biden.

    Dy ditë para marrjes së pushtetit, Biden dhe gruaja e tij, Jill Biden, kaluan një pjesë të së hënës duke bërë punë vullnetare në një bankë ushqimore, në qytetin e madh lindor të Filadelfias në Pensilvani.

    Ata e bënë një gjë të tillë në Ditën Kombëtare të Shërbimit që përkujton festën vjetore që nderon udhëheqësin e të drejtave civile, Rev. Martin Luther King Jr.

    Në Uashington, grupet ushtarake dhe muzikore marshuan përpara Shtëpisë së Bardhë, duke bërë prova për paradën inauguruese të zotit Biden, megjithëse aktiviteti është reduktuar ndjeshëm krahasuar me inaugurimet e mëparshme për shkak të numrit në rritje të rasteve të coronavirusit në SHBA.

    Pjesa më e madhe e kremtimit të inaugurimit të zotit Biden do të zhvillohet virtualisht, me grupe dhe banda muzikore që do të interpretojnë nga të 50 shtetet e SHBA-së.

    Ndërsa mbërrijnë në Uashington të martën nga shtëpia e tyre në shtetin lindor të Deluerë, Joe dhe Jill Biden, si edhe zëvendëspresidentja e zgjedhur Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Douglas Emhoff, planifikojnë të ndezin 400 drita pranë memorialit Lincoln, për të nderuar gati 400,000 amerikanët që kanë vdekur në pandeminë e coronavirusit.

    Monumente të tjera në të gjithë SHBA, përfshirë Empire State Building në Nju Jork dhe Space Needle në Seattle, Washington, po ndezin drita në të njëjtën kohë me ngjarjen e Uashingtonit.

    Zona e afërt përreth Kapitolit, ku zoti Biden dhe zonja Harris do të bëjnë betimin, është kthyer praktikisht në një fortesë të blinduar.

    Autoritetet kanë mbyllur gjithashtu Shëtitoren Kombëtare si edhe rrugët dhe disa stacione metroje në qendrën e Uashingtonit.

    Urat që lidhin Virxhinian me Uashingtonin gjithashtu po mbyllen.

    Mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe oficerë të rendit janë vendosur në të gjithë zonën për të marrë masat ndaj ndonjë dhune të mundshme.

    Me gjithë shqetësimet e shtuara të sigurisë, zoti Biden planifikon ta bëjë ceremoninë e inaugurimit në vendin tradicional.

    “Plani ynë dhe pritshmëria jonë është që Presidenti i zgjedhur Biden të vërë dorën në Bibël me familjen e tij jashtë në anën perëndimore të Kapitolit në datën 20”, tha Kate Bedingfield, drejtoresha e ardhshme e komunikimeve e zotit Biden, në një intervistë me emisionin “This Week”, të televizionit ABC të dielën.

    Ajo tha se ekipi i Biden ka “besim të plotë në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe partnerët e tyre të cilët kanë punuar për më shumë se një vit në planifikimin e një inaugurimi të sigurt”.

    Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ose të urojë zotin Biden, megjithëse e pranon se do të ketë një “administratë të re” të mërkurën.

    Trump, duke injoruar 160 vjet të traditës amerikane të një presidenti në largim që merr pjesë në ceremoninë e betimit të pasardhësit të tij për të demonstruar një transferim paqësor të pushtetit, ka njoftuar se ai planifikon të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Por zëvendësi i tij, Mike Pence po planifikon të marrë pjesë.

    Trump po planifikon të largohet nga Uashingtoni të mërkurën në mëngjes me një ceremoni me tapet të kuq ndërsa shkon drejt avionit presidencial Air Force One për të shkuar në rezidencën e tij në Florida.

    Plani i presidentit Trump ka shkaktuar kritika, përfshirë nga një grup prej pesë anëtarësh demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët në një letër të shtunën drejtuar sekretarit në detyrë të mbrojtjes, Miller dhe Kreut të Shtatmadhorisë Mark Milley i kërkoi Pentagonit të mos vënë në dispozicion asnjë nga burimet e mbrojtjes për atë që ata e quajtën “ceremonia përçarëse e ikjes për presidentin në largim”.

    “Veprimi i propozuar është i pamenduar, jokonvencional dhe çka është më e rëndësishmja, e vë sigurinë kombëtare pa nevojë në rrezik duke zhvendosur personelin dhe burimet thelbësore nga mbrojtja e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ku do të përfaqësohen të gjitha institucionet e qeverisë, për të garantuar sigurinë, mbrojtjen dhe transportin e presidentit në largim”, shkruajnë ligjvënësit.

    Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ngriti akuza për herë të dytë për shkarkimin e zotit Trump, këtë radhë për nxitje të rebelimit dhe gjyqi i tij në Senat do të fillojë menjëherë pas inaugurimit të zotit Biden.

    Nëse shpallet fajtor, zoti Trump, presidenti i parë amerikan mbi të cilin ngrihen dy herë akuza për shkarkim, mund të ndalohet të ketë post federal.

    Megjithatë para se të largohet nga detyra, presidenti Trump pritet të bëjë dhjetëra falje dhe shkurtime dënimesh, ndoshta për mbështetësit e tij kryesorë të dënuar për krime ose që përballen me gjykime.

    Persona që kanë dijeni për këtë çështje thanë se zoti Trump u takua të dielën me këshilltarët e tij për të finalizuar një listë me më shumë se 100 falje që t’i bëjë publike përpara se t’i mbarojë mandati.

    Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se zoti Trump ka diskutuar mundësinë e faljes paraprake të tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes, asnjëri prej të cilëve nuk është akuzuar për ndonjë krim, por që tani nuk pritet ta bëjë një gjë të tillë.

    Zonja Bedingfield tha të dielën se zoti Biden po planifikon të paraqesë një vizion “pozitiv, optimist” për vendin në fjalimin e tij inaugurues dhe “të përpiqet të lërë pas përçarjen dhe urrejtjen e katër viteve të fundit” nën zotin Trump.

    “Mendoj se këtë duan amerikanët në të gjithë vendin”, tha zonja Bedingfield. “Ata duan një qeveri që të rikthejë vëmendjen tek ajo që duhet bërë dhe që t’i ndihmojë në jetën e tyre të përditshme”.

    Pasi të marrë detyrën zoti Biden ka në plan të përmbysë shpejt politikat e shumta të zotit Trump.

    Shefi i ardhshëm i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë, Ron Klain, tha të shtunën në mbrëmje se zoti Biden “po e merr presidencën në një moment krize të thellë për vendin tonë. Ne po përballemi me katër kriza paralele dhe të ndërlikuara: kriza e COVID-19-së, kriza ekonomike si rezultat i pandemisë, kriza e klimës dhe një krizë e pabarazisë racore”.

    Burimi: VOA

  • A mundet Donald Trump ta falë veten?!

    A mundet Donald Trump ta falë veten?!

    Teksa po përgatitet që të përfundojë një mandat të trazuar katërvjeçar si president i Shteteve të Bashkuara dhe po përballet me gjykim të mundshëm në Senat, Donald Trump po e shqyrton mundësinë e faljes së vetes, ka thënë një burim që ka njohuri për këtë çështje.

    Mirëpo, janë ngritur pyetje nëse kompetencat e gjera ekzekutive të presidentit, që burojnë nga Kushtetuta amerikane, ia lejojnë atij që të ndërmarrë një vendim të tillë.

    Departamenti amerikan i Drejtësisë më herët ka thënë se Kushtetuta nuk lejon që një president që është ende në zyrë, të akuzohet, por një ish-president nuk gëzon mbrojtje të tillë.

    Këto janë problemet e mundshme kushtetuese që mund të burojnë nëse një president falë veten dhe pse një veprim i tillë nuk do ta mbronte ligjërisht Trumpin, pasi ai të përfundojë mandatin e tij presidencial.

    A është kushtetuese falja e vetes?

    Nuk ka ndonjë përgjigje definitive për këtë pyetje dhe Kushtetuta amerikane nuk e adreson këtë mundësi në mënyrë eksplicite. Asnjë president nuk ka tentuar që ta falë veten më parë, prandaj gjykatat nuk e kanë trajtuar këtë çështje.

    Më 2018, Trump kishte shkruar në Twitter se ai kishte “absolutisht të drejtë” që ta falte veten.

    Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka dashur që të komentojë lidhur me mundësinë që presidenti ta falë veten.

    Shumë studiues thonë se falja e vetvetes do të ishte jokushtetuese sepse shkelë parimet themelore lidhur me atë se askush nuk duhet të gjykatës për çështjen e tij apo të saj.

    Të tjerët argumentojnë se falja e vetvetes është kushtetuese sepse fuqia e faljes është e formuluar gjerësisht në Kushtetutës. Tekstet historike e kanë bërë të qartë se themeluesit e SHBA-së e kanë diskutuar këtë çështje, por vendosën që të mos përfshinin në Kushtetutë kufizime eksplicite të fuqisë së faljes.

    Kushtetuta thotë se presidenti “duhet të ketë fuqi që të japë masa ndëshkuese dhe falje për vepra penale kundër Shteteve të Bashkuara, përveç në rastet kur nis procesi i gjykimit ndaj presidentit”, që njihet me termin “impeachment”. Fjala “falje” nënkupton fuqinë e një presidenti që është e kufizuar për të falur njerëzit e tjerë, thotë profesori i drejtësisë në Universitetin e Misurit, Frank Bowman.

    Herën e fundit, kur Departamenti i Drejtësisë u mor me këtë pyetje ishte më 1974, kur një memorandum u dërgua nga një avokat dhe më pas për këtë pyetje u dha përfundimi se ishte jokushtetuese që presidenti i atëhershëm amerikan, Richard Nixon të falte veten. Nixon dha dorëheqje po atë vit për shkak të skandalit të njohur me emrin Watergate.

    “Sipas rregullit themelor, askush nuk mund të bëhet gjykatës për çështjen e tij, presidenti nuk mund ta falë veten”, kishte thënë avokati i Departamentit amerikan i Drejtësisë.

    Por, në këtë dokument argumentohej se Nixon mund të largohej përkohësisht nga detyra dhe nënpresidenti i tij ta falte atë dhe më pas Nixon të kthehej në Zyrën Ovale. Megjithatë, kjo memo e vitit 1974 nuk ka asnjë autoritet ligjor.

    Faljet presidenciale aplikohen vetëm për krime federale dhe jo për krime shtetërore.

    Por, si do të merren gjykatat me çështjen nëse presidenti falë veten?

    Sipas ligjit amerikan, gjykatat nuk lëshojnë opinione këshilluese. Që një gjykatë të marrë vendim mbi vlefshmërinë e faljes së vetvetes, Departamenti i Drejtësisë do të duhej që ta akuzonte Trumpin për ndonjë krim dhe më pas ai do të mund ta përdorte faljen presidenciale për t’u mbrojtur, thonë ekspertët ligjorë.

    Falja e vetvetes vetëm mund të inkurajojë prokurorët që të nisin procese gjyqësore ndaj Trumpit, pasi një akt i tillë nga president, do të nënkuptonte se ai po fsheh diçka, thotë profesoresha e juridikut, Jessica Levinson e cila ligjëron në Fakultetin Juridik Loyola në Kaliforni.

    Pse Trumpi do ta falte veten?

    Ai mund të përballet me akuza për vepra kriminale për shumë çështje.

    Disa ekspertë ligjorë përmendin telefonatën që Trumpi bëri më 2 janar, ku ai i bëri presion zyrtarit kryesor zgjedhor në Xhorxhia, që “t’i gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj Joe Bidenit. Ata thonë se kjo telefonatë mund të përbëjë shkelje të ligjit federal dhe shtetëror.

    Ligji në shtetin e Xhorxhias kundër “kërkesës për të kryer mashtrime zgjedhore” thotë se është e paligjshme që një person të kërkojë qëllimshëm, të urdhërojë apo të provojë që të bindë një person të përfshihet në mashtrim zgjedhor. Ndërkaq, një ligj tjetër federal thotë se është e paligjshme që të bëhen përpjekje “për të privuar apo mashtruar” njerëzit nga “një proces zgjedhor, i drejtë dhe i paanshëm”.

    Presidenti Trump ka të ngjarë që do të argumentojë se ai thjesht ka shprehur mendimin e tij personal dhe se nuk e ka urdhëruar zyrtarin zgjedhor të Xhorxhias që të ndërhynte në zgjedhje.

    Disa avokatë thonë se Trumpi do të mund të përballet me ligjin për shkak të fjalimit që mbajti para mbështetësve të tij më 6 janar, pak para se protestuesit e dhunshëm të sulmonin ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së Bidenit. Në këtë protestë të dhunshme u vranë pesë persona. Trump mund të mbrohet duke thënë se në fjalimin e tij ai thjesht ka potencuar se fjala e lirë mbrohet me Kushtetutë, thanë disa avokatë të tjerë.

    Trump po ashtu mund të jetë në shënjestër të prokurorëve për shkelje të ligjeve të tjera shtetërore. Prokurori i qarkut të Manhatan, Cyrus Vance tashmë ka nisur një hetim mbi mashtrimet e mundshme me taksa të bizneseve të Trumpit, edhe pse deri më tani nuk është ngritur asnjë aktakuzë. Trump e ka quajtur këtë hetim si proces të motivuar politikisht.

    Precedenti i faljes së një presidenti

    Ka precedentë kur një president është falur. Nixon fitoi “falje të plotë dhe të pakushtëzuar” nga pasardhësi i tij, Gerald Ford.

    Kjo falje presidenciale e pastroi Nixonin “nga çdo krim që ai mund të ketë kryer ndaj Shteteve të Bashkuara në kohën kur ishte president”.

    Gjykata Supreme e SHBA-së asnjëherë nuk është marrë me çështjen nëse një falje e plotë është e ligjshme. Disa studiues kanë argumentuar se themeluesit e SHBA-së kanë dashur që falja presidenciale të jetë specifike dhe se ata kanë nënkuptuar se ka një kufizim për këtë çështje.

    A mund të ketë falje paraprake?

    Falja presidenciale nuk mund të bëhet për veprimet që mund të ndodhin në të ardhmen, por falja mund të jetë paraprake në kuptimin që mund të mbulojë veprime që ende nuk kanë rezultuar në procese ligjore.

    Falja e Nixonit është një shembull për këtë dhe ka edhe shembuj të tjerë. Më 1977, presidenti Jimmy Carter paraprakisht fali mijëra persona që nuk i ishin përgjigjur thirrjes për të marrë pjesë në Luftën e Vietnamit.

    Burimi: Panorama.al

  • “Unë jam e mpirë. Jam shkatërruar”/ Kush ishte gruaja që u qëllua dhe u vra nga policia gjatë sulmit në Kongres. Flasin familjarët

    “Unë jam e mpirë. Jam shkatërruar”/ Kush ishte gruaja që u qëllua dhe u vra nga policia gjatë sulmit në Kongres. Flasin familjarët

    Protesta e dhunshme e mbështetësve të Donald Trump la katër të vdekur ditën e mërkurë, kur ata sulmuan Kongresin amerikan, ndërsa aty pritej certifikimi i Joe Biden si presidenti i SHBA.

    Mediat amerikane shkruajnë se një nga viktimat, gruaja që u qëllua dhe u vra nga policia, ishte një veterane e Forcave Ajrore të SHBA-së.

    Sipas Skynews, Ashli Babbitt mendohet të jetë qëlluar pasi hyri në ndërtesë së bashku me protestuesit e tjerë.

    35-vjeçarja shërbeu përgjatë 14 viteve në Forcën Ajrore dhe ishte nga San Diego, tha burri i saj Aaron për KUSI TV.

    Bashkëshorti i saj u shpreh gjithashtu se Ashli ishte një mbështetëse e zjarrtë e Presidentit Trump.

    “Unë jam e mpirë. Jam shkatërruar. Askush nuk e njoftoi djalin tim dhe ne e morëm vesh lajmin në TV,” i tha vjehrra e saj, Robin Babbitt New York Post.

    “Ashli ishte besnike, por edhe jashtëzakonisht e apasionuar për atë në të cilën ajo besonte. Ajo e donte këtë vend dhe ndjehej e nderuar që kishte shërbyer në Forcat tona të Armatosura”, tha kunati i saj.

    ***

    Policia e Uashingtonit tha se katër njerëz kanë vdekur gjatë sulmit në ndërtesën e Kongresit. Përveç një gruaje të qëlluar nga policia, tre të tjerë vdiqën si rezultat i “urgjencave mjekësore”. Deri më tani, më shumë se 52 persona janë arrestuar – 47 prej tyre për shkelje të rregullave të izolimit.

    Burimi: Panorama.al

  • Kongresi certifikon rezultatet/ Joe Biden, president i SHBA-së

    Kongresi certifikon rezultatet/ Joe Biden, president i SHBA-së

    Joe Biden është konfirmuar si president i ri i SHBA-së.

    Sipas The Guardian, ka qenë senatorja Amy Klobuchar ajo që dha lajmin.

    “Joe Biden dhe Kamala Harris do të jenë presidenti dhe zëvendëspresidenti, sipas fletëve të votimit që na janë dhënë”.

    Pas kësaj, ka shpërthyer një duartrokitje në Kongres.

    Pence më pas ka thënë se Biden “ka marrë 306 vota” dhe Trump “ka marrë 232 vota”.

    “Njoftimi i gjendjes së votave nga presidenti i senatit do të konsiderohet si i mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit dhe zëvendëspresidentit”, ka thënë Pence.

    Certifikimi vjen pasi protestuesit pro-Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit në SHBA të mërkurën herët.

    Seanca e përbashkët e Kongresit, e cila normalisht është një hap ceremonial, u ndërpre për disa orë kur protestuesit sulmuan ndërtesën.

    Burimi: Telegrafi

  • SHBA-ja miraton vaksinën e Pfizer dhe BioNTech për përdorim emergjent

    SHBA-ja miraton vaksinën e Pfizer dhe BioNTech për përdorim emergjent

    Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) e ka miratuar përdorimin emergjent të vaksinës Pfizer dhe BioNTech në SHBA.

    Sipas BBC, përcjell Telegrafi, agjencia tha se autorizimi ishte një “moment historik” mes pandemisë, e cila iu mori jetën 295 mijë njerëzve në SHBA.

    Vaksina e Pfizer e cila ofron mbrojtje deri në 95 për qind kundër coronavirusit, u konsideruar e sigurt dhe efektive nga FDA-ja.

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se vaksinimet e para “do të fillojnë më pak se 24 orë”.

    “Sot vendi ynë ka arritur një mrekulli mjekësore”, tha Trump.

    “Ne kemi shpërndarë një vaksinë të sigurt dhe efektive në vetëm nëntë muaj”, shtoi ai.

    Ndryshe Britania e Madhe e cila ditë më parë miratoi po ashtu vaksinën Pfizer, ka filluar me vaksinimet e para nga e marta.

    Burimi: Telegrafi

  • Thirrja e fortë e Joe Biden: “Nëse nuk veprojmë tani, e ardhmja…”

    Thirrja e fortë e Joe Biden: “Nëse nuk veprojmë tani, e ardhmja…”

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se raporti mbi papunësinë në SHBA tregon se rimëkëmbja ekonomike është duke ngecur dhe i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë Projektligjin për ndihmë pas krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

    “Nëse nuk veprojmë tani, e ardhmja do të jetë shumë e zymtë”, tha Biden.

    “Amerikanët kanë nevojë për ndihmë dhe ajo ndihmë iu duhet tani”, shtoi ai.

    Pasi qeveria raportoi më 4 dhjetor për shkallën e papunësisë në muajin nëntor, Biden u tha gazetarëve se ai mbështet një pako prej 908 miliardë dollarësh për COVID-19 që po shqyrtohet në Kongres.

    Ai tha se sapo të marrë detyrën do të kërkojë nga Kongresi që të miratojë më shumë pako të ndihmës, duke shtuar se pakoja që po shqyrtohet tashmë është “vetëm fillimi”, shkruan rel.

    Biden dëshiron që demokratët dhe republikanët në Kongres të miratojnë pako më të mëdha të ndihmës sepse “ata do të përballen me një nevojë të paparë” për këtë gjë, tha ai.

    Momentumi po ndërtohet në Kongres lidhur me këtë projektligj, që mundëson ndihmë financiare për bizneset, të papunët, shkollat dhe për kujdesin shëndetësor.

    Ky projektligj është projektligji i dytë i ndihmës, pasi pakoja e parë u miratua në muajin mars.

    Burimi: Panorama.al

  • Donald Trump thotë se “koha do ta tregojë” kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së

    Donald Trump thotë se “koha do ta tregojë” kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së

    Donald Trump dukej se linte të kuptojë për herë të parë se ai mund të mos mbetet më në Shtëpinë e Bardhë, pasi ai foli publikisht për herë të parë që kur Joe Biden u shpall fitues në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.

    Duke përjashtuar një bllokim kombëtar të coronavirusit nën mandatin e tij, ai u duk se pranoi se vendimi mund të mos ishte i tij edhe për një kohë të gjatë, shkruan Euronews.

    “Kjo administratë nuk do të shkojë me ndonjë bllokim”, i tha Trump një auditori në Shtëpinë e Bardhë, në deklarimet e tij të para publike që nga e shtuna.

    “Shpresojmë se çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kush e di, cila administratë do të jetë unë mendoj se koha do ta tregojë, por unë mund t’ju them se kjo administratë nuk do të shkojë në një bllokim”.

    Ndryshe, Trump në mënyrë të përsëritur ka postuar në Twitter duke thënë se ka pasur mashtrim në zgjedhje, pavarësisht nga asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tij.

    Kështu, presidenti në largim deri më tani ka refuzuar të pranojë zgjedhjet dhe sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, ndërkohë, tha se Trump “nuk është akoma në atë pikë” kur bëhet fjalë për të pranuar fitoren e Biden.

    Madje disa ekspertë janë të shqetësuar se Trump po e pengon administratën e ardhshme Biden nga një tranzicion i qetë në qeveri.

    Burimi: Telegrafi