Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: shba

  • Ndryshojnë rregullat për vizat amerikane/ Zbuloni kur hyn në fuqi ligji i ri dhe pasojat tek ata që jetojnë në SHBA

    Ndryshojnë rregullat për vizat amerikane/ Zbuloni kur hyn në fuqi ligji i ri dhe pasojat tek ata që jetojnë në SHBA

    Administrata Trump ka propozuar të eliminojë “kohëzgjatjen e statusit” për vizat për studentët ndërkombëtarë, vizitorët e programeve të shkëmbimit dhe ata që punojnë në mediat ndërkombëtare.

    Zyrtarët shpresojnë të vendosin data fikse të përfundimit, në vend që të lejojnë që vizat të jenë të vlefshme për aq kohë sa u duhen atyre për të marrë diplomën ose për të përfunduar një projekt kërkimor.

    Aktualisht, një mbajtës i një vize F-1 mund të qëndrojë në vend derisa studenti të përfundojë një program studimi ose nëse studenti vazhdon të plotësojë kërkesat e programit.

    Rregullorja e propozuar, prej 256 faqesh, e publikuar të enjten nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (DHS), do të përcaktonte datat e skadimit 4-vjeçar dhe do të ofronte dy vite për ata që marrin trajnim gjuhësor, me hapësira të kufizuara për të aplikuar për një zgjatje.

    Si përcaktohet aktualisht “kohëzgjatja e statusit”?

    “Kohëzgjatja e statusit” do të thotë që në vend të një afati të caktuar, një studenti ndërkombëtar i lejohet të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa i duhet për të marrë diplomën, për sa kohë që regjistrohet me kohë të plotë në kurset mësimore dhe nuk shkel ligjin e emigracionit, për shembull duke punuar në mënyrë të paligjshme.

    Kush preket nga udhëzimi i propozuar?

    Rregulli do të ndikonte në mbajtësit e vizave në kategoritë F, J dhe I të cilët lejohen të jetojnë përkohësisht në SH.B.A. për të fituar një diplomë të arsimit të lartë, individë me aftësi unike, të cilët janë të aprovuar të marrin pjesë në programe shkëmbimi vizitorësh të bazuar në punë dhe studim, si dhe gazetarë të huaj.

    Sipas DHS, shtetasit nga vendet e lidhura me norma të larta të shkeljes së afatit të qëndrimit të vizave – më shumë se 10% – pritet të kenë një periudhë të kufizuar qëndrimi fikse dy-vjeçare.

    Vendasit ose shtetasit e vendeve në Listën e Sponsorëve të Terrorizmit të Departamentit të Shtetit gjithashtu do të kufizohen në 2 vjet qëndrimi në SH.B.A.

    Çfarë thotë DHS?

    DHS (Departamenti i Sigurisë Kombëtare) tha se politika aktuale e kohëzgjatjes së statusit dhe “rritja e konsiderueshme” e numrit të studentëve me viza F, vizitorëve të shkëmbimit me viza J, dhe përfaqësues të mediave të huaja me viza I, paraqesin “një sfidë për aftësinë e Departamentit për të monitoruar dhe mbikëqyrur në mënyrë efikase këto kategori të jo-emigrantëve”.

    DHS shton se, “Departamenti në përputhje me rrethanat është i shqetësuar për integritetin e programeve dhe një potencial për rritje të rrezikut për sigurinë kombëtare”.

    Botimi në internet “Inside Higher Ed” raporton një rënie prej 15 përqind të regjistrimit të përgjithshëm të studentëve në vitin akademik 2020-2021, duke përfshirë një rënie prej 25% të regjistrimit të studentëve ndërkombëtarë. Gjetjet mund të nënkuptojnë një humbje prej 23 miliardë dollarësh në të ardhura për ekonominë amerikane.

    Sarah Spreitzer, drejtoreshë e marrëdhënieve me qeverinë për Këshillin Amerikan të Arsimit, tha se ekziston një “prirje në rënie” në regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë gjatë pesë viteve të fundit pas rritjes së një dekade të regjistrimeve ndërkombëtare të studentëve në vend.

    “Shumë nga gjërat për të cilat DHS flet në lidhje me vizat studentore, [të tilla si] studentët, ndryshimi i nivelit arsimor, koha e tyre për t’u diplomuar – shumë nga informacionet po gjurmohen tashmë përmes sistemit SEVIS”, tha zonja Spreitzer

    SEVIS është Sistemi Informativ i Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit.

    “Institucionet tona po i regjistrojnë të gjitha ato informacione në DHS tashmë përmes atij sistemi, i cili u krijua pas 11 Shtatorit (2001). Dhe kështu është e paqartë se si kjo do t’i japë DHS-së edhe më shumë informacion sesa ata tashmë kanë”, tha ajo.

    Çfarë ndodh me ata që janë tashmë në vend?

    Stephen Yale-Loehr, një profesor i praktikës së emigracionit në Universitetin Cornell, tha se rregulli i propozuar thotë se studentët ndërkombëtarë aktualisht në Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të qëndrojnë sipas rregullave të mëparshme, duke mos kaluar 4 vjet nga data efektive e rregullores përfundimtare.

    Zoti Yale-Loehr gjithashtu tha se rregullorja mund të ndalojë zgjatjet për studentët ndërkombëtarë nëse agjensia e emigracionit vendos që një mbajtës i vizave nuk po bën përparim drejt diplomës së tyre.

    “Rregulli i propozuar do të kërkonte që shumica e studentëve ndërkombëtarë të mbaronin studimet e tyre në katër vjet, në vend që të zgjasë sa ç’kërkon normalisht. Për shembull, shumë studentëve të doktoraturës zakonisht u duhen më shumë se katër vjet për të marrë diplomën e tyre”, tha zoti Yale-Loehr.

    Cilat janë arsyet për një zgjatje?

    Rregulli i ri thotë se aplikimet për zgjatjen e vizave mund të aprovohen “nëse koha shtesë e nevojshme është për shkak të një arsyeje akademike bindëse, sëmundjes së dokumentuar mjekësore ose gjendjes mjekësore, ose rrethanave që ishin përtej kontrollit të studentit”.

    Kur hyn në fuqi rregulli?

    Rregulli është në fazën e propozimit dhe ai nuk do të hyjë në fuqi menjëherë. Publiku do të ketë 30 ditë kohë për të komentuar.

    Pas kësaj, agjencia e emigracionit do të duhet të rishikojë të gjitha komentet, të hartojë një rregull përfundimtar dhe ta dërgojë atë në Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit për shqyrtim përpara se një rregull përfundimtar të mund të hyjë në fuqi.

    Duke pasur parasysh të gjitha ato hapa, ekspertët e arsimit thanë se ata nuk presin që një rregullore përfundimtare të hyjë në fuqi para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe ndoshta jo para se presidenti të inaugurohet në janar.

    Megjithatë, ekspertët e shohin atë si një dekurajim për studentët ndërkombëtarë dhe të tjerët.

    “Kjo do të ketë një ndikim të përgjithshëm tronditës dhe të vazhdueshëm për studentët e rinj që po mendojnë të vijnë në SH.B.A. për të studiuar, të cilët mund të kenë zgjedhjen për të studiuar në një nga vendet tona konkurente si Kanadaja, ose Mbretëria e Bashkuar, ose Australia ose Zelanda e Re”, shtoi zonja Spreitzer.

    Burimi: VOA

  • Tejkalon 31 milionë numri i rasteve me COVID-19 në mbarë botën

    Tejkalon 31 milionë numri i rasteve me COVID-19 në mbarë botën

    Numri i rasteve që janë infektuar me virusin COVID-19 në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 31 milionë.

    Sipas të dhënave të Worldometer, deri më tani janë regjistruar gjithsej 31 milionë e 026 mijë e 569 raste me COVID-19.

    Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Shtetet e Bashkuara me gjithsej 6,969,917 raste deri më tani.

    Pas SHBA-së, në dhjetë vendet e para me më shumë raste janë India më 5,405,252 raste, Brazili më 4,528,347, Rusia më 1,103,399, Peru më 762,865, Kolumbia më 758,398, Meksika më 694,121, Afrika e Jugut më 659,656, Spanja më 659,334 dhe Argjentina më 622,934.

    Në Kosovë aktualisht janë identifikuar 15,002 raste me COVID-19.

    Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, COVID-19 u përhap në mbarë botën.

    Deri më tani jetën e kanë humbur jetën 962,087 persona. Ndërkohë, 22,623,873 njerëz janë shëruar nga virusi, ndërsa ende vazhdojnë trajtimin 7,440,609 raste aktive.

  • Mbi 940 mijë viktima dhe mbi 30 milionë të infektuar nga koronavirusi/ Rritje shifrash në Evropë, ja vendet më të goditura

    Mbi 940 mijë viktima dhe mbi 30 milionë të infektuar nga koronavirusi/ Rritje shifrash në Evropë, ja vendet më të goditura

    Mbi 30 milionë njerëz janë infektuar me koronavirusin e ri në nivel global, ka njoftuar Universiteti Johns Hopkins me seli në Shtetet e Bashkuara.

    Më shumë se 940,000 kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë në Kinë, në fund të vitit të kaluar.

    Vendet më të goditura janë SHBA-ja, India dhe Brazili, por ka një rritje të numrit të të infektuarve në të gjithë Evropën.

    Shumë vende tani po përgatiten për një valë të dytë të pandemisë, ndërsa dimri po afrohet.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria po konsideron marrjen e masave të mëtejshme në të gjithë Anglinë, duke përfshirë një periudhë të shkurtër izolimi, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

    Jashtë Evropës, Izraeli ka vendosur një bllokim të dytë mbarëkombëtar – vendi i parë i zhvilluar që e bën këtë.

    Afrika ka regjistruar më shumë se një milion raste të konfirmuara, megjithëse nuk dihet përmasat e vërteta të pandemisë në këtë kontinent. Shkalla e testimit raportohet të jetë e ulët, gjë që mund të shtrembërojë shifrat zyrtare.

  • SHBA: Mbi 500 mijë fëmijë të prekur me COVID-19

    SHBA: Mbi 500 mijë fëmijë të prekur me COVID-19

    Në SHBA deri në fillim të shtatorit infeksioni i coronavirusit është konfirmuar tek më shumë se 500 mijë fëmijë.

    Në lajmet e botuara në portalin “The Hill”, thuhet se Akademia Amerikane e Pediatërve dhe Shoqata e spitaleve për fëmijë përpiloi një raport në të cilin theksohet se prej 20 gushtit deri më 3 shtator infeksioni i coronavirusit është konfirmuar tek rreth 70 mijë fëmijë dhe ka ardhur deri tek rritja prej 16 për qind në raport me dy javët e fundit.

    Sipas raportit, deri më 3 shtator janë konfirmuar 513.415 raste të infektimit tek fëmijët.

    Fëmijët përbëjnë më pak se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të të infektuarve ndërsa si pasojë e infektimit kanë vdekur 1.003.

    Në 18 prej 52 shteteve federale nuk është regjistruar asnjë rast vdekjeje tek fëmijët lidhur me COVID-19.

    Në të dhënat e siguruara nga shtetet federale ka dallime në kategorizimin e moshës së fëmijëve, kështu që në disa shtete federale konsiderohen persona nën 18 vjeç ndërsa në të tjerët ata janë nën 14 vjeç.

    Në SHBA janë konfirmuar 6.514.376 raste me COVID-19 ndërsa si pasojë e sëmundjes kanë vdekur 194.034 persona. /tch/

  • “Nuk do të ketë një mbyllje të qeverisë”/ Planet e SHBA, a do ketë paketë tjetër ndihme financiare për pasojat e koronavirusit?

    “Nuk do të ketë një mbyllje të qeverisë”/ Planet e SHBA, a do ketë paketë tjetër ndihme financiare për pasojat e koronavirusit?

    UASHINGTON – Të paktën nuk do të ketë një mbyllje të qeverisë.

    Por ndërsa ligjvënësit kthehen në Uashington për një seancë të shkurtër para zgjedhjeve, shpresat po zbehen për një projekt-ligj tjetër të ndihmës financiare për koronavirusin – ose shumë më tepër.

    Bisedimet mes demokratëve të lartë dhe administratës Trump u ndërprenë muajin e kaluar dhe mbeten pa krye, ndryshe nga uniteti dypartiak në pranverë që çoi në miratimin e paketës prej gati 3 trilionë dollarësh në ligj këtë pranverë të mëkëmbjes nga koronavirusi.

    Pritshmëritë në korrik dhe gusht se do të bihej dakort për një projekt-ligj tjetër dyipartiak në përgjigje të pandemisë, megjithë pengesat në rritje, janë zëvendësuar nga pesimizmi i mirëfilltë. Bisedimet e fundit në lidhje me ndihmën COVID-19 mes lojtarëve kryesorë nuk kanë dhënë rezultat.

    Demokratët duken të sigurt në pozicionin e tyre politik, me Presidentin Donald Trump dhe disa anëtarë të Senatit që mbeten pas në sondazhe.

    Presidenti Trump po kërkon të anashkalojë pandeminë si një çështje fushate dhe republikanët nuk janë të interesuar në një marrëveshje me kushtet e demokratëve – edhe pse nevojat si ndihmat për shkollat gëzojnë një mbështetje të gjerë.

    Trump tha të hënën se demokratët “nuk duan të bëjnë një marrëveshje sepse mendojnë se nëse vendi është sa më keq që të jetë e mundur … kjo është mirë për demokratët”.

    E gjithë kjo rrezikon shanset për një raund tjetër pagesash të drejtpërdrejta prej 1,200 dollarësh të shpërndara nën emrin e Trump-it, rivendosjen e përfitimeve më bujare të papunësisë për ata që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë, rifillimin e një programi popullor të subvencionit të biznesit dhe para për të ndihmuar shkollat të rihapen dhe shtetet dhe qeveritë lokale të shmangin pushimet nga puna. VOA

  • “Kosova është Serbi”! Protestuesi serb provokon gazetarin, momenti kur ai ndërpret intervistën dhe i kthehet live (Video)

    “Kosova është Serbi”! Protestuesi serb provokon gazetarin, momenti kur ai ndërpret intervistën dhe i kthehet live (Video)

    Gjatë ditës së djeshme është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, teksa gjatë raportimit gazetari i RTK-së, Ridvan Berisha është provokuar.

    Siç mund ta shihni edhe në video, protestuesit serbë në SHBA kanë provokuar gazetarin Berisha, duke thirrur “Kosova është Serbi”.

    Reagimi i tij ishte i menjëhershëm, duke iu drejtuar se “Kosova është e pavaruar”.

  • ANALIZA/ Presidenca Trump- Një “aksident” i vogël historik, apo një pikë kthese në politikën botërore?

    ANALIZA/ Presidenca Trump- Një “aksident” i vogël historik, apo një pikë kthese në politikën botërore?

    Nga Joseph S.Nye, Jr

    Ndërsa Shtetet e Bashkuara po hyjnë në fazën kryesore të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2020, teksa asnjë nga kandidatët në konventat respektive të pranimit të kandidaturës nuk ka folur shumë mbi politikën e jashtme, gara midis presidentit Donald Trump dhe sifdantit Xho Bajden do të zhvillohet me sa duket kryesisht në fushëbetejën e çështjeve të brendshme.

    Por në planin afatgjatë, historianët do të pyesin nëse presidenca Trump përfaqësonte një pikë kthese domethënëse mbi rolin e Amerikës në botë, apo ishte thjesht një “aksident” i vogël historik. Në këtë fazë, përgjigjja nuk dihet, pasi ne nuk e dimë nëse Trump do të rizgjidhet si president.

    Libri im “A ka rëndësi morali në politikë?”, vlerëson 14 presidentët amerikanë që nga viti 1945, dhe i jep Trumpit një notë zyrtare ‘të paplotë”, por tani për tani ai renditet në katërshen e fundit. Presidentët e katërshes më të mirë si Frenklin Ruzvelt, i njohën gabimet e izolimit të Amerikës në vitet 1930, ndaj pas vitit 1945 krijuan një rend ndërkombëtar liberal.

    Një pikë kthese ishin vendimet e pas luftës të presidentit Herri Truman, që çuan në aleancat e qëndrueshme që kanë zgjatur deri më sot. SHBA-ja investoi shumë në Planin Marshall në vitin 1948, krijoi NATO-n në vitin 1949, dhe drejtoi një koalicion ushtarak nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara që luftoi në Kore në vitin 1950.

    Në vitin 1960, gjatë administratës së Duajt Ajzenhauer, SHBA-ja nënshkroi një traktat të ri sigurie me Japoninë. Përgjatë dekadave, amerikanët kanë përjetuar përçarje të forta – midis tyre dhe me vendet e tjera – mbi ndërhyrjen ushtarake në vendet në zhvillim si Vietnam dhe Irak.

    Por rendi institucional liberal vazhdoi të gëzonte mbështetje të gjerë deri në zgjedhjet e vitit 2016, kur Trump u bë i kandidati i parë i një partie të madhe që e sulmoi këtë rend. Trump ishte gjithashtu shumë skeptik në lidhje me ndërhyrjet e huaja ushtarake, teksa e ka rritur buxhetin e mbrojtjes, dhe e ka përdorur me masë forcën ushtarake.

    Anti-intervecionizmi i Trump është relativisht i njohur, por vizioni i tij i ngushtë dhe transaksional i interesave të SHBA-së, dhe mosbesimi i tij ndaj aleancave dhe institucioneve shumëpalëshe, nuk pasqyrojnë mendimin e shumicës. Që nga viti 1974, Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale, e ka pyetur publikun nëse Amerika duhet të marrë pjesë aktive apo të qëndrojë jashtë çështjeve botërore.

    Gati një e treta e publikut amerikan ka qenë vazhdimisht izolacioniste, duke arritur kulmin me 41 për qind në vitin 2014. Megjithatë, 64 për qind ishin në favor të përfshirjes aktive në problemet botërore deri në zgjedhjet e vitit 2016, dhe shifra u rrit në një 70 përqind në vitin 2018.

    Zgjedhja e Trump president, dhe apeli i tij populist mbështetej tek zhvendosjet e vendeve të punës nga SHBA jashtë vendit, që u theksuan më shumë nga Recesioni i Madh i vitit 2008, por edhe më shumë për shkak të polarizimit të ndryshimeve kulturore në lidhje me racën, rolin e grave dhe identitetin gjinor.

    Edhe pse nuk fitoi votën e popullit në vitin 2016, Trump e lidhi me sukses pakënaqësinë e të bardhëve me rritjen e dukshmërisë dhe ndikimit të pakicave racore dhe etnike me politikën e jashtme, duke bërë përgjegjëse për pasigurinë ekonomike mosarritjen e pagave marrëveshjet e këqija tregtare dhe emigracionin.

    Por si president, sipas ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton, Trump kishte pak strategji dhe politika e tij e jashtme diktohej kryesisht nga politika e brendshme dhe interesat e tij personale. Pak para se Trump të merrte zyrtarisht detyrën, Martin Ulf i “The Financial Times”, e  përshkroi momentin si “fundin si të një periudhe ekonomike” – atë të globalizimit të udhëhequr nga Perëndimi – ashtu dhe të një epoke gjeopolitike, të ‘momenti unipolar’ të pas Luftës së Ftohtë, dhe të një rendi global të udhëhequr nga SHBA-ja”.

    Në atë rast, Trump mund të dëshmohet si një pikë kthese në historinë amerikane dhe botërore, sidomos nëse rizgjidhet. Sharmi i tij elektoral mund të dominojë në politikën e brendshme, por efekti i tij në politikën botërore mund të jetë transformues.

    Debati aktual mbi Trumpin ringjall një pyetje të vjetër:A janë rezultatet kryesore historike produkt i zgjedhjeve të udhëheqësve politikë, apo ato janë kryesisht rezultat i forcave sociale dhe ekonomike, që janë përtej kontrollit të ndokujt?

    Ndonjëherë, historia i ngjan një lumi të vrullshëm, rrjedha e të cilit formohet nga reshjet dhe topografia, dhe ku udhëheqësit janë thjesht milingona të kapura pas një trungu që pluskon mbi rrymën e lumit. Për mendimit tim, ata janë më shumë praktikantë të raftingut që drejtojnë varkën dhe u shmangen shkëmbinjve, herë pas here duke u përmbysur në lumë, por duke arritur ndonjëherë ta drejtojnë varkën drejt një destinacioni të dëshiruar.

    Për shembull, Ruzvelti nuk ishte në gjendje ta fuste SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore deri në sulmin japonez mbi Pearl Harbor. Por formulimi i tij moral i kërcënimit që vinte nga Hitleri, dhe përgatitjet e tij për t’u përballur me atë kërcënim, ishin thelbësore.

    Pas Luftës së Dytë Botërore, përgjigja e SHBA ndaj ambicieve sovjetike mund të kishte qenë shumë ndryshe nëse presidenti do të kishte qenë Henri Uollas (që u zëvendësua si zv/presidenti nga Ruzvelt pas zgjedhjeve të 1944-ës), dhe jo Truman.

    Pas zgjedhjeve të vitit 1952, një administratë izolacioniste e Robert Taft apo një presidencë agresive si ajo e Dugllas Mekartur mund të kishte prishur konsolidimin relativisht të qetë të strategjisë së kontrollit të Herri Trumanit, që u përforcua nga Azjenhauer.

    Xhon F.Kenedi ishte vendimtar në shmangien e një lufte bërthamore gjatë Krizës Kubane të Raketave, dhe më pas me nënshkrimin e marrëveshjes së parë të kontrollit të armëve bërthamore. Por ai dhe Lindon Xhonson e zhytën vendin në fiaskon e panevojshme të Luftës së Vietnamit.

    Në dekadat e fundit të shekullit XX, forcat ekonomike shkaktuan dobësimin e madh të Bashkimit Sovjetik, dhe veprimet e Mikail Gorbaçovit e përshpejtuan kolapsin e bllokut sovjetik. Por rindërtimi i mbrojtjes amerikane dhe aftësia negociuese e Ronald Reganit, por edhe aftësia e Xhorxh H.W Bush në menaxhimin e krizave, luajtën një rol të rëndësishëm në pasjen e një fundi paqësor të Luftës së Ftohtë, me një Gjermani të ribashkuar në NATO.

    Pra, udhëheqësit dhe aftësitë e tyre kanë rëndësi, dhe kjo do të thotë se Trump nuk mund të shpërfillet lehtë. Më të rëndësishme se sa “cicërimat” e tij në Twitter është dobësimi që ai i ka bërë institucioneve, aleancave dhe fuqisë së butë të Amerikës, të cilën sondazhet tregojnë se ka rënë që nga viti 2016.

    Shkathtësitë makiavelike dhe organizative janë thelbësore për presidentët e suksesshëm amerikanë. Por edhe inteligjenca emocionale, e cila çon në vetë-ndërgjegjësim, vetëkontroll dhe analizë të thellë kontekstuale, nuk është kurrkund e dukshme tek Trumpi.

    Pasardhësi i tij, qoftë në vitin 2021 apo 2025, do të përballet me një botë të ndryshuar, pjesërisht për shkak të personalitetit dhe politikave idiosinkretike të Trumpit. Se sa i madh do të jetë ky ndryshim, kjo do të varet nga fakti nëse Trump është një president me një mandat apo me dy mandate. Ne do të mësojmë pas 3 nëntorit, nëse jemi në një pikë kthese historike apo në fundin e një “aksidenti” historik.

    Shënim: Joseph S. Nye, është profesor në Universitetin e Harvardit, dhe autor i librave “A ka mbaruar shekulli amerikan?”  dhe “A ka rëndësi morali në politikë? Presidentët dhe politika e jashtme nga Ruzvelti tek Trump”.

    “Project Syndicate” – Bota.al

  • SHBA, ekspertët: Njeriu mund të jetë imun ndaj COVID-19 nga 6 në 12 muaj

    SHBA, ekspertët: Njeriu mund të jetë imun ndaj COVID-19 nga 6 në 12 muaj

    Një ish-zyrtar i Administratës së Ushqimit dhe Barnave, doktor Scott Gottleib tha të dielën se personat e prekur nga COVID-19 mund të fitojnë imunitet ndaj virusit që mund të shkojë deri në një vit.

    Duke folur të dielën për rrjetin CBS rreth gjetjeve të reja të Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve zoti Gottleib tha se është e sigurt se trupi i njeriut mund të fitojë imunitet deri në tre muaj pas prekjes nga sëmundja.

    Por ai shtoi se gjasat janë që imuniteti të zgjasë nga gjashtë në 12 muaj, duke variuar nga një person tek tjetri.

    Eksperti kërkoi të bëhet kujdes duke kujtuar se mjekët ende nuk dinë shumë gjera rreth COVID-19.

    Prej shpërthimit të pandemisë në SHBA janë shënuar mbi 170 mijë vdekje ndërsa janë infektuar mbi 5.4 milionë vetë./VOA/

  • Trump për zgjedhjet e nëntorit: “Nuk e di nëse do ta pranoja humbjen në zgjedhjet presidenciale”

    Trump për zgjedhjet e nëntorit: “Nuk e di nëse do ta pranoja humbjen në zgjedhjet presidenciale”

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka refuzuar të thotë nëse do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen në nëntor në SHBA. “Do ta shoh….Më duhet të shoh”, tha Trump në një intervistë me televizionin Fox News. Ai tha se është shumë herët për të dhënë garanci të tillë. Demokrati, Joe Biden, udhëheq ndaj Trumpit me 15 për qind mes votuesve të regjistruar në SHBA dhe mban një epërsi prej 20 pikësh kur bëhet fjalë për besimin të cilin amerikanët e kanë për të trajtuar pandeminë e koronavirusit, thuhet në një sondazh të realizuar nga ABC News/Washington Post të publikuar më 19 korrik. Por, Trump i ka hedhur poshtë rezultatet e disa sondazheve të fundit, të cilat tregojne se po bie popullariteti ndaj tij dhe që Biden po mban një epërsi. Trump i ka cilësuar si të gabuara këto sondazhe. “Para së gjithash, unë nuk po humb sepse ato janë sondazhe të rreme”, tha Trump gjatë intervistës. “Ato ishin false në vitin 2016 dhe tani ata janë edhe më të rreme”, tha ai. Presidenti Trump tha se beson se votuesit republikanë nuk janë të përfaqësuar në sondazhe të tilla. Popullariteti i Trumpit vlerësohet se ka shënuar rënie për shkak të përgjigjes së tij ndaj pandemisë së koronavirusit si dhe pas protestave mbarëkombëtare që shpërthyen pas vdekjes së Georde Floyd në Minneapolis, ndersa arrestohej nga një polic i bardhë.

  • Rritje e frikshme në 40 shtete/ Ekspertët flasin për vdekjet dhe thonë se…

    Rritje e frikshme në 40 shtete/ Ekspertët flasin për vdekjet dhe thonë se…

    Florida raportoi një rritje rekord me më shumë se 15 mijë raste të reja me COVID-19 brenda 24 orësh.

    Njoftimi per shifrat e nje dite me pare vjen ndërsa administrata Trump ka ripërsëritur thirrjet për hapjen e shkollave e ndërsa në Miçigan dhe Mizuri janë planifikuar protesta kundër maskave.

    Sipas një analize të “Reuters” nëse Florida do të ishte një vend më vete, do të renditej në vendin e katërt në botë për nga rastet e reja me koronavirus në një ditë, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Indisë.

    Rritjet ditore në Florida me raste të reja kanë tejkaluar numrin më të lartë të raportimeve ditore të çdo vendi evropian të shënuar gjatë pikut të pandemisë. Ajo ka thyer rekordin e shtetit të Nju Jorkut prej 12.847 rastesh të reja më 10 prill, kur ishte epiqendra e shpërthimit në SHBA.

    Rritja e fundit u raportua një ditë pasi “Walt Disney World” në Orlando u rihap për një numër të kufizuar vizitorësh të cilët u mirëpritën me një mori masash sigurie, përfshirë maskat dhe kontrollin e temperaturës.

    Aktivistët kundër mbatjes së maskave në disa shtete, përfshirë Floridën dhe Miçiganin, kanë organizuar protesta kundër vendimeve të autoriteteve lokale për t’i bërë ato të detyrueshme, duke argumentuar se masat cënojnë lirinë e gjithësecilit.

    Infeksionet me koronavirus kanë pësuar rritje në rreth 40 shtete, sipas një analize të “Reuters”. Në shkallë kombëtare, Shtetet e Bashkuara kanë thyer rekordin botëror duke regjistruar rreth 60 mijë raste të reja në ditë për katër ditë rresht, po sipas “Reuters”.

    Në spitale është rritur numri i të shtruarve në shtete si Arizona, Kalifornia, Florida dhe Teksasi.

    Përballë një ekonomie të dëmtuar dhe ndërsa po afrojnë zgjedhjet e nëntorit Presidenti Donald Trump u ka bërë presion shteteve që të rihapin bizneset dhe shkollat. Sekretarja e Arsimit Betsy DeVos tha të dielën se departamenti i saj nuk kishte ndonjë plan të vetin për të reklamuar për rihapje së sigurt duke shtuar se secili qark apo shtet duhet të hartojë planet e veta, bazuar në nivelet e infeksioneve me koronavirus.

    Ndërkohë në SHBA ashtu sikurse kishin parashikuar ekspertët, rastet e vdekjeve si pasojë e koronavirusit po shënojnë rritje, nxitur kryesisht nga situata në shtetet në jug dhe perëndim të vendit. Lajmi u njoftua nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.

    Prej disa kohësh numri i vdekjeve në ditë nga virusi kishte shënuar rënie dhe po vazhdonte të ishte në shifra të ulta edhe pas shtimit të rasteve të të infektuarve në shtete si Florida dhe Teksasi që u përballën me nivele rekord ditore. Por shkencëtarët kishin paralajmëruar se kjo situatë nuk do të zgjaste.

    Sipas ekspertëve vdekjet nga koronavirusi, zakonisht ndodhin disa javë pasi një person infektohet. Ata parashikuan se shtetet që shënuan rritje të rasteve dhe shtrimeve në spital, do të përballeshin në një moment me një numër në rritje të vdekjeve.

    Kalifornia ka shënuar mesatarisht 91 vdekje në ditë ndërsa Teksasi rreth 66. Florida, Arizona, Ilinois, Nju Xhersi dhe Karolina e Jugut kanë shënuar gjithashtu rritje të konsiderueshme.

    Numri i të infektuarve nga COVID-19 në SHBA ka arritur në mbi 3.2 milionë dhe atyre që kanë humbur jetën në mbi 134 mijë persona që prej përhapjes së virusit. VOA