Skënderbeu vijon të jetë aktiv në merkaton e verës, ndërsa trajneri Julian Ahmataj po formëson skuadrën për sezonin e ri. Klubi korçar ka arritur marrëveshjen me mesfushorin Enur Totre, i cili pritet të zyrtarizohet shumë shpejt si përforcimi më i ri i bardhekuqve.
29-vjeçari nga Tetova ishte pa skuadër pas përfundimit të aventurës së tij te Gjilani dhe tashmë është gati të rikthehet në Superiore, aty ku më parë ka fituar titullin kampion me Tiranën.
Totre sjell me vete një eksperiencë të pasur te Skënderbeu, pasi gjatë karrierës ka fituar pesë trofe. Me Shkëndijën e Tetovës është shpallur tri herë kampion i Maqedonisë së Veriut (2017/18, 2018/19 dhe 2020/21), ndërsa ka fituar edhe Kupën e Maqedonisë në sezonin 2015/16. Në Shqipëri, ai u shpall kampion me Tiranën në edicionin 2021/22.
Në arenën ndërkombëtare, Totre ka regjistruar dy paraqitje me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut dhe shtatë ndeshje me përfaqësuesen U-21. Gjatë karrierës ai ka veshur gjithashtu fanellat e Vorskla Poltavës në Ukrainë, Sakaryasporit në Turqi dhe Gjilanit në Kosovë.
