Në Tiranë, qeveria shqiptare nënshkroi sot një kontratë me kompaninë turke Baykar, për blerjen prej saj të 6 dronëve ushtarakë Bayraktar. Firmosja u bë gjatë një ceremonia të veçantë në prani të kryeministrit Edi Rama, ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, si dhe përfaqësuesve të kompanisë turke, përfshirë, drejtuesin e saj ekzekutiv Lütfü Haluk Bayraktar.
Vlera e kontratës nuk është bërë e ditur nga autoritetet, por gjatë një interviste të para disa kohëve kryeministri Rama kishte deklaruar se “për qëllimet që kemi dhe për shërbimin që do të na bëjnë janë absolutisht me çmim të arsyeshëm”.
Autoritetet shpjeguan se kontratao përfshin dhe trajnimet e personelit shqiptar, si dhe paketën e mirëmbajtjes së dronëve, Bayraktar, të cilët u bënë veçanërisht të famshëm, nga efikasiteti i tyre, në rezistencën që Ukraina po i bën agresionit rus ndaj saj.
Për këtë arsye kërkesa nga shtete të ndryshme për t’u pajisur me këto lloj dronësh ka ardhur në rritje. Kësaj situate ju referua dhe kryeministri Rama kur falenderoi në mënyrë të veçantë presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, me të cilin prej vitesh ai ka ushqyer një marrëdhënie të ngushtë.
“Presidenti Erdogan ka qenë thelbësor në këtë proces sepse të gjithë ne e dimë që kur vjen fjala për mjetet pa pilot, “bajraktar” apo dronët siç njihen sot, nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave, por ka të bëjë dhe me faktin që të jesh i aftë që të kalosh edhe të hysh, të kalosh e të shtysh në radhë sepse radha është shumë e gjatë dhe nga ana tjetër është fakti i të qenit nga ana e duhur”, u shpreh zoti Rama duke nënvizuar faktin se të dy vendet janë anëtare të Nato-s.