UEFA ka përcaktuar trupën e arbitrave që do të drejtojë një prej sfidave më të rëndësishme të këtij turneu. Në krye të ndeshjes do të jetë irlandezi Robert Hennessy, i cili do të ketë në krah Dermot Broughton dhe Emmett Dignan, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Aron O’Daud.
Për sistemin VAR, UEFA ka zgjedhur një tjetër kombësi. Përgjegjës për VAR-in do të jetë skocezi Kevin Clancy, ndërsa në rolin e AVAR do të jetë Xhon Biton. Por për tifozët shqiptarë, emri i Robert Hennessy sjell menjëherë në kujtesë një episod të veçantë.
Irlandezi e ka bërë debutimin e tij në arenën e rëndësishme ndërkombëtare pikërisht në Shqipëri. Në verën e vitit 2017, Hennessy drejtoi në Korçë sfidën mes Skënderbeut dhe Sant Julià, ndeshje që përfundoi me fitoren 1-0 të skuadrës korçare. Ajo fitore ishte hapi i parë i një fushate që do të rezultonte mjaft e suksesshme për ekipin e drejtuar nga Ilir Daja, i cili më pas arriti deri te faza e grupeve të Ligës së Europës.
Tashmë, në një tjetër moment të rëndësishëm, Hennessy rikthehet në qendër të vëmendjes, këtë herë për të drejtuar një sfidë që mund të ketë peshë të madhe në përcaktimin e kreut të grupit.