Drejtoria e QSUT-së ka vënë në lëvizje prokurorinë për mjekun Edvin Prifti, pasi është ankuar një paciente që ishte trajtuar prej tij. Mësohet se një paciente është ankuar në faqen e Facebookut të QSUT-së, dhe sipas saj Prifti i kishte rekomanduar që ta çonte të afërmin në një spital privat.
“QSUT në datën 10 shkurt ka marrë dijeni përmes një profili në Facebook, për një audio në të cilën dëgjohet biseda e dy personave, sipas personit të identifikuar si Anna Ademi, një prej tyre ëhstë profesor Edvin Prifti, shef i shërbimit të Kardokirurgjisë pranë QSUT. Profesori flet me një familjar pacienti, ku e orientonte ti drejtohej një strukture mjekësore, private”, thuhet në shkresën që QSUT i ka nisur prokurorisë, që është siguruar nga “Faxweb.al”.
QSUT kërkon nga Prokuroria një hetim të thelluar, pasi sipas tyre shtetasja në fjalë pavarësisht kërkesës së tyre nuk është paraqitur në ambientet e spitalit për të bërë denoncimin.
“Përshëndetje, tu drejtova ty pasi u informova se je sekretarja e drejtorit. Audio është e vërtetë ku shprehet qartë dhe pastër mendimi që ka shefi i shërbimit për vendin ku punoin dhe sesi i çon pacientët nga shtetit në privat. Siç i kam thënë edhe gazetarëve dua të ruaj anonimatin.
Doja tiu vija në dijeni pasi të palarat e tij po dalin. Unë jam dikush që besoj në mjekësi dhe nuk dua që për një dru të kalbur të paragjykohen edhe mjekë të tjerë që punojnë ndërshmërisht në QSUT. Kërkoj ndohmën tuaj dhe ndërhyrjen e insitutcionit ndaj individit që ka bërë shkeljen në djalë. Për çdo informacion jam i hapur për tiu ndihmuar dhe për tjua sevirur”, thuhet në sms që i është dërguar QSUT.
Ndërkohë që në prokurori ka mbërritur dhe një kallëzim më herët nga vetë mjeku Prifti i cili pretendon se është kërcënuar me jetë nga një person. Tashmë mbetet për tu parë nëse çështjet e ngritura nga QSUT, një akuzë për mjekim të pakujdesshëm, dhe akuza për korrupsion dhe pastrim parash do të bëhen bashkë nga ana e Prokurorisë.
Mjeku Prifti ndodhet nën masën e arrestit me burg, me një vendim që dha të shtunën GJKKO, të cilin e paralajmëroi kreu i qeverisë Edi Rama. Në një deklaratë për mediat, Rama i parapriu arrestimit të kardiologut, për të cilin tha se ishte një shembull i keq për mjekët.
Burimi: Faxweb