Trajneri i Dinamos, Ilir Daja ka folur pas përfundimit të sfidës së Superiores, në ‘Loro Boriçi’. Tekniku i dinamovitëve është parë i gëzuar dhe i lumtur pas asaj fitoreje bindëse 3-2 kundër Vllaznisë. Përveç rezultatit, tek dinamovitët bind edhe loja, ku sulmi nuk u ndal për asnjë moment dhe ishte në ‘harmoni’.
“Luajmë në Shkodër, nuk duhet harruar. Në një ambient kaq të mirë të dominosh Vllazninë për 85 minuta, nuk është pak. Duhet vlerësuar kundërshtari që u hodh në sulm në fund.
Na zbriti me këmbë në tokë. Me 3 gola ishim të qetë, por duhet të kishim mbyllur llogaritë më herët. Futbolli është i paparashikueshëm. Ne duhet të rrisim pritshmëritë tona çdo ditë dhe çdo javë.
Po i themi disa të vërteta tani. Tek Dinamo ka investim serioz. Presidenti është korrekt. Kur është e bardhë, është e bardhë duhet thënë. Korrekt në aspektet financiare. Ngelet për t’u parë se çfarë do të bëjmë në vazhdim. Por, tek Dinamo krijohet një super ambient për të punuar. Do rri me këmbë në tokë.
Në 9 minuta bashkë me shtesat ndejtëm në ankth. Goli na uli me këmbë në tokë. Duhet motivim maksimal në çdo moment. Rivaliteti do të rritet kur të rikthehet Muzhek dhe Bregu, apo të tjerë lojtarë që mungojnë.
Ne trajnerët jemi sistem pasqyrë. I japim lojtarit çfarë na jep.
Padiskutim që fola me skuadrën pas ndeshjes. E mblodha veten dhe i urova çunat për fitoren. Duhet të jemi të përqendruar gjatë të gjithë ndeshjes. Bravo ju qoftë i thashë për 85 minuta.”, u shpreh Daja.