Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për futbollistët shqiptarë që janë rritur dhe zhvilluar në diasporë, duke i ftuar që në zgjedhjen e tyre të përfaqësueses të mos e përjashtojnë Kosovën apo Shqipërinë.
Në një intervistë për “albinfo.ch”, Ademi ka folur për përpjekjet e FFK-së për të bindur talentet shqiptare që t’i bashkohen Kosovës, ndërsa ka theksuar se dy kombëtaret duhet të shihen si një pasuri e përbashkët dhe jo si rivalë.
Kreu i futbollit kosovar u ka bërë thirrje futbollistëve që të zgjedhin përfaqësuesen ku ndihen më të lidhur emocionalisht, duke mos e fshehur dëshirën që talentet shqiptare t’i bashkohen Kosovës.
“Çdo shqiptar duhet të luajë aty ku i rreh zemra. Natyrisht, ne dëshirojmë që futbollistët ta zgjedhin Kosovën, por nëse nuk vijnë te ne, le të luajnë për Shqipërinë”, është shprehur Ademi.
Ai ka theksuar se ekzistenca e dy kombëtareve shqiptare është një mundësi e madhe për futbollistët e rinj dhe se nuk duhet të ketë rivalitet negativ mes tyre.
“Kemi dy kombëtare dhe shumë talente. Nuk ka arsye që këtë ta shohim si rivalitet negativ. Përkundrazi, është një pasuri e përbashkët”, ka deklaruar ai.
Ademi ka përmendur edhe futbollistët që janë rritur në Zvicër dhe Gjermani, duke nënvizuar rëndësinë që ata të kenë mundësi dhe perspektivë për të përfaqësuar Kosovën apo Shqipërinë.
“Futbollistët që rriten në Zvicër apo Gjermani kanë mundësi të përfaqësojnë edhe vendet ku janë zhvilluar. Por është e rëndësishme që talentet shqiptare të kenë perspektivë edhe te Kosova dhe Shqipëria”, ka thënë presidenti i FFK-së.
Ndërkohë, Kosova është e përqendruar edhe te sfida e radhës në Ligën e Kombeve, ku përballë Irlandës do të kërkojë një rezultat pozitiv për të siguruar objektivat e saj në këtë garë.