Arbitri bullgar Georgi Kabakov është caktuar të drejtojë ndeshjen e Egnatias ndaj Shamrock Rovers, por emri i tij vjen me një të kaluar të afërt që ka ngritur jo pak pikëpyetje.
Në vitin 2025, Kabakov ishte pjesë e ekipit të VAR-it në sfidën Slavia Sofia-Lokomotiv Sofia, në një episod ku një lojtar i Slavia-s preku topin me dorë, madje dy herë, përpara se aksioni të përfundonte me gol. Goli u lejua dhe vendimi shkaktoi polemika të mëdha në futbollin bullgar. Më pas, Federata Bullgare e Futbollit e pezulloi Kabakovin për një periudhë të pacaktuar.
Tashmë, arbitri 40-vjeçar rikthehet në një ndeshje europiane dhe këtë herë do të jetë në qendër të vëmendjes së shqiptarëve.Georgi Kabakov ka stemën e FIFA-s që prej vitit 2013 dhe ka eksperiencë edhe në Champions League, por pikërisht ai episod me dorë mbetet një nga momentet më të bujshme të karrierës së tij të fundit.
Më 13 gusht, ai do të jetë arbitri i Egnatia-Shamrock Rovers, në një sfidë ku rrogozhinasit kërkojnë përmbysjen pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë.