Thonë se ngrënia e çokollatës ofron të njëjtën shije dhe eksperiencë si të rënit në dashuri e nëse është kështu, me recetën e mëposhtme, përgatituni të dorëzoni zemrën tuaj njëherë e mirë.
Bëhet fjalë për një ëmbëlsirë të dendur me çokollatë, kakao, biskota e shumë gjëra të tjera të mira.
E veçanta e kësaj ëmbëlsire është se nuk kërkon pjekje.
Ëmbëlsira Prej Çokollate Që Gatuhet Pa Pjekje
Përbërësit:
Shtresa e parë:
200 gramë biskota
100 gramë feta vaferi
150 gramë gjalpë të shkrirë
1 lugë gjelle krem kakao
150 ml qumësht me çokollatë
Shtresa e dytë:
2 copa pandispanje të gatshme
10 lugë gjelle qumësht me çokollatë
Për mbushjen:
500 ml pana për ëmbëlsira
300 gramë çokollatë për gatim
3 lugë gjelle krem çokollate.
Lajthi të pjekura e të shtypura për sipërfaqen e ëmbëlsirës
Përgatitja:
Së pari përgatisni kremin e mbushjes që kërkon kohë jo vetëm për tu ftohur por edhe për tu trashur.
Ngroheni panën për ëmbëlsira, shtoni kremin e kakaos dhe çokollatën dhe përziejini mirë me lugë druri derisa të shkrihen dhe të njëtrajtësohen me njëra tjetrën.
Masa nuk duhet të valojë. Para se kjo të ndodhë hiqeni enën nga zjarri dhe futeni në ngrirje.
Më pas bëni shtresën e parë të ëmbëlsirës .
Shtypini biskotat dhe grijini vaferët.
Shtoni qumësht, gjalpin e shkrirë dhe kremin e kakaos. Përziejini mirë dhe masën hidheni në një enë ëmbëlsirash rrumbullake.
Shtypeni mirë dhe sigurohuni që ajo të përhapet mirë në të gjithë enën.
Nëse masa për mbushje është ftohur dhe trashur mjaftueshëm, përdorni një pjesë të saj për të lyer shtresën e biskotave.
Më pas shtoni një pandispanjë të gatshme dhe sipër saj pesë lugë gjelle qumësht çokollate.
Pas kësaj hidhni sërish një pjesë të mbushjes së ftohur dhe shtresën tjetër të pandispanjës.
Përsëriteni procedurën e mësipërme dhe lëreni ëmbëlsirën të ftohet në frigorifer.
Kur ajo të jetë ftohur mirë, spërkateni me pak shurup çokollate dhe lajthitë e pjekura jo vetëm për një paraqitje që të tundon por edhe për një shije fantastike shpërblyese për të gjitha shqisat.