Sfida mes Elbasanit dhe Egnatias, e vlefshme për javën e parë të “Final Four”, po rezulton një përballje me ritëm të lartë dhe emocione, ku miqtë nga Rrogozhina kanë marrë një fitore të pastër me rezultatin 0-4. Egnatia ka befasuar që në pjesën e parë, shënoi tre herë duke shfrytëzuar në maksimum rastet e krijuara. Protagonist absolut është Bakajoko, i cili realizoi dopietë në momentet më delikate të sfidës, fillimisht në minutën e 45-të dhe më pas në shtesën e pjesës së parë (45+1’), duke i dhënë një goditje të rëndë Elbasanit.
Vetëm pak çaste më vonë, në minutën 45+3’, Fernando thelloi diferencën, duke çuar shifrat në 0-3 dhe duke “ngrirë” vendasit para pushimit. Një pjesë e parë thuajse perfekte për Egnatia-n, që tregon qartë ambiciet për titull. Në fund realizoi edhe Aleksi nga pika e bardhë e penalltisë. Nga ana tjetër, Elbasani është shfaqur i paqartë në prapavijë dhe jo konkret në sulm, duke e pasur të vështirë të reagojë përballë një kundërshtari kaq cinik.