Barazim i bardhë në “Arena Egnatia”, kualifikimi për në Europa League zhvendoset në Norvegji

by KLIKOJE.AL

Egnatia dhe Lillestrom ndahen në paqe në “Arena Egnatia”, me sfidën e parë të Play-Offit të Europa League që përfundon në barazim pa gola. Rrogozhinasit nuk arritën të marrin avantazhin e dëshiruar në shtëpi, por ruajtën portën të paprekur dhe tashmë gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Norvegji javën e ardhshme.

Takimi nisi me një moment alarmi për vendasit. Në minutën e 5-të, Lillestrom gjeti rrjetën me Gabrielsen, i cili pas një goditjeje dënimi goditi saktë me kokë dhe mposhti Dajsinanin. Megjithatë, festa norvegjeze zgjati pak, pasi ndërhyrja e VAR-it anuloi golin për pozicion jashtë loje.

Egnatia reagoi dhe gradualisht nisi të afrohej më shumë drejt portës kundërshtare. Në minutën e 25-të, Adjesa provoi nga krahu i majtë pas një rivënie anësore, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri i Lillestrom.Pesë minuta më vonë, sërish Adjesa ishte protagonist. Sulmuesi krijoi hapësirë në të majtë dhe tentoi me një devijim që përfundoi në duart e portierit norvegjez.

Rrogozhinasit patën një tjetër mundësi të mirë në minutën e 40-të, kur Albaneze mori përsipër një aksion nga krahu i djathtë dhe goditi drejt portës, por topi përfundoi mbi traversë.

Një rezultat që e lë gjithçka të hapur. Egnatia nuk mori fitoren që do ta kishte afruar ndjeshëm me kualifikimin, por as nuk pësoi gol në shtëpi. Tashmë vëmendja zhvendoset në Norvegji, ku javën e ardhshme do të luhet ndeshja e kthimit dhe do të përcaktohet skuadra që do të vazhdojë rrugëtimin në Europa League.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.