Dinamo po ndjek me interes zhvillimet në Kazakistan, pasi kundërshtari i saj në turin e parë europian, Astana, mund të mos marrë pjesë fare në kompeticion.
Raportimet e mediave vendase flasin për një krizë të thellë financiare që ka goditur klubin, me borxhe të papaguara dhe largimin e disa prej futbollistëve kryesorë. Madje, u përfol edhe mungesa e fondeve për udhëtimin drejt Shqipërisë.
Por reagimi i Astanës nuk vonoi. Në një deklaratë zyrtare, klubi mohoi kategorikisht zërat për pamundësi financiare për udhëtimin, duke theksuar se të gjitha shpenzimet për transfertën dhe organizimin e ndeshjes janë siguruar.
Sipas klubit, shqetësimi i vetëm lidhet me procesin e monitorimit financiar të UEFA-s. Astana duhet të provojë se ka shlyer detyrimet ndaj lojtarëve dhe stafit, në mënyrë që të marrë dritën jeshile për pjesëmarrje në kupat e Europës.
Në pritje të verifikimit përfundimtar nga UEFA, mbetet e hapur mundësia që Dinamo të përfitojë nga situata, nëse Astana nuk arrin të plotësojë kriteret financiare brenda afateve të përcaktuara.