Dinamo dhe Bernard Berisha kanë mbyllur bashkëpunimin mes tyre pas vetëm një sezoni. Futbollisti ka konfirmuar largimin përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se tashmë është lojtar i lirë dhe i gatshëm për një aventurë të re në karrierën e tij.
Gjatë qëndrimit te skuadra kryeqytetase, ai nuk arriti të fitonte një rol të qëndrueshëm në formacion, ndërsa emri i tij u lidh shpesh me mosmarrëveshje për minutazhin dhe raportet me stafin teknik.
Në mesazhin e lamtumirës, sulmuesi falënderoi drejtuesit, trajnerët, bashkëlojtarët dhe tifozët për mbështetjen e dhënë, duke i uruar Dinamos suksese në vazhdim. Ai gjithashtu bëri të ditur se shumë shpejt do të zbulojë destinacionin e ri të karrierës së tij.
POSTIMI I BERISHËS
Pas marrëveshjes me klubin Dinamo, nga sot jam lojtar i lirë. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Presidentin e klubit, stafin,, bashkëlojtarët dhe të gjithë tifozët e Dinamos për mbështetjen dhe respektin gjatë kësaj periudhe. Ishte një nder të isha pjesë e këtij klubi dhe ju jam falënderues për çdo moment të përbashkët. I uroj Dinamos shumë suksese në vazhdim, si në kampionat ashtu edhe në çdo sfidë që e pret në të ardhmen. Ndërsa për mua fillon një kapitull i ri. Shumë shpejt do t’ju njoftoj edhe me skuadrën time të ardhshme. Faleminderit për gjithçka!
Dinamo bën me dije se ka mbyllur bashkëpunimim me futbollistin Rustem Hoxha. Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi dinamovit e falënderojnë Hoxhën për kontributin e dhënë me fanellën blu gjatë 3 sezoneve, ku ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit.