Dinamo dhe Pafos ndahen në barazim 1-1 në “Elbasan Arena”, në sfidën e parë të play-off-it të Ligës së Konferencës. Një prezantim dinjitoz i dinamoviteve, që luftuan deri në fund përballë skuadrës qipriote, ndërsa gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin.
Pafos pati mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh që në pjesën e parë, por David Luiz shpërdoroi një 11-metërsh, duke mos mposhtur portierin e Dinamos.
Në pjesën e dytë, dinamovitët u shfaqën më kërkues dhe në minutën e 78-të gjetën golin e avantazhit. Fadairo dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën në “Elbasan Arena”.
Por epërsia e Dinamos zgjati vetëm pesë minuta. Në minutën e 83-të, Lele u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke rikthyer baraspeshën.
Në fund, 1-1, një rezultat që i lë të gjitha të hapura. Dinamo zhvilloi një paraqitje dinjitoze përballë Pafos, ndërsa fati i kualifikimit do të vendoset në Qipro, në ndeshjen e kthimit.