Dejvid Kapllani do të vijojë karrierën në Itali. Eksperti i merkatos, Giannlucca Di Marzio, bën me dije se futbollisti ka arritur akordin për t’u transferuar te skuadra e Avecanos që militon në Serinë D dhe momentalisht mban vendin e 11-të në renditje.
23-vjeçari Dejvid Kapllani së fundmi ishte pjesë e Kastriotit në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në të kaluarën ka veshur edhe fanellën e Teutës dhe Erzenit në elitën e futbollit shqiptar si dhe të Fushë Kosovës. Në ditët në vijim pritet të vijë edhe zyrtarizimi te skuadra italiane. Kapllani ka luajtur këtë sezon me Kastriotin 15 ndeshje, duke shënuar 3 gola. Nga këto 15 ndeshje, sulmuesi e ka nisur nga stoli.
LEXO ME SHUME: Kastrioti njeh vetëm largime! Në dyshim edhe qëndrimi i trajnerit Ramadan Ndreu
Kastrioti, në përfundim të sezonit 2023-2024, u rendit në vendin e 7-të me 40 pikë. Paraqitja e skuadrës ka qenë nën nivelin mesatar, madje në disa ndeshje ka zhgënjyer. Në 5-6 javët e fundit, ekipi mori pikët e nevojshme që i siguruan qëndrimin në Kategorinë e Parë. Ekipi e nisi kampionatin me mjaft futbollistë të rinj, por disa prej tyre nuk dhanë atë që pritej. Jo pak ndikoi në paraqitjen e skuadrës edhe mungesa e stadiumit në qytetin e Krujës, që prej më se pesë vitesh ndodhet jashtë funksionit.