Tirana e mbylli me humbje vitin 2024, 1-3 në Laç, për javën e 19-të të Abissnet Superiore. Kur janë luajtur më tepër se gjysma e ndeshjeve të sezonit të rregullt, skuadra bardheblu mban vendin e tetë në renditje dhe, bashkë me Skënderbeun, është skuadra më e rrezikuar për të rënë në Kategorinë e Parë. Tirana ka poshtë saj Bylisin, me pikë të barabarta, por ecuria e ballshiotëve është më e mirë, me tetë pikë në javët e fundit, karshi tri të bardhebluve.
Drejtuesit tani po punojnë në merkaton hyrëse dhe dalëse, trajneri Gugash Magani kërkon të përforcojë skuadrën për të dalë nga momenti i keq. Klikoje Sport mëson se Tirana pritet të shesë Mahamadou Dembele në Austri. Ekipi që ka shfaqur interes për francezin është Altach, me ofertën prej 200 mijë euro. Një shumë që ka tunduar presidentin Refik Halili për t’u privuar nga shërbimet e mbrojtësit francez.
Në të shkuarën Dembele ka qenë pjesë e Salzburgut dhe Liefiering dhe nuk është çudi që dhe vetë mbrojtësi ka kërkuar një transferim në vendin austriak. Ndërkohë, një tjetër lajm surprizë është fakti se Tirana është e hapur të rikthejë në skuadër Ardit Hilën, mesfushori ka mbyllur aventurën me Elbasanin dhe një transferim me parametra zero është mirëpritur nga trajneri Magani.
GOLAT E SHËNUAR
Tirana ka shënuar 20 gola, mesatarisht 1.05 gola për ndeshje. 19 nga golat e Tiranës janë shënuar nga shtatë lojtarë, midis të cilëve shënuesit më të mirë janë Jarmouni dhe Ndreca me nga pesë gola, ndjekur nga Ismajlji me 3, Prenga e Bajroviç me 2, Dembele e Kola me një, ndërsa në një rast për Tiranën ka shënuar autogol Juriç i Vllaznisë.