Pogradeci e ka shpallur objektivin për sezonin e ri, që ditën e parë kur zbritën në fushë dhe nisi përgatitjet. Paraqitja në pjesën e dytë të sezonit të shkuar do të konsiderohet si një eksperiencë dhe udhëzues, që Pogradeci ta sigurojë ngjitjen në elitë në përfundim të edicionit 2025-2026. Për të arritur këtë mision, pritet që liqenorët të kryejnë një merkato cilësore, duke i përforcuar të gjitha repartet.
Liqenorët kanë zyrtarizuar së fundmi dy përforcime me profil ndërkombëtar, të cilat pritet të sjellin cilësi dhe eksperiencë në skuadrën liqenore.
Bëhet fjalë për mesfushorin brazilian Willian Henrique dos Santos dhe sulmuesin e ri nga Venezuela, Santiago Alfonso Rodriguez Pacheco.
Vlen të theksohet fakti se braziliani Willian është 26 vjeç, ndërsa sulmuesi nga Venezuela, Santiago është vetëm 20-vjeç.
LARGIMET TE POGRADECI
Pas Shkulakut, Berberit, Ivanit, Kasmollarit dhe Beçkës, i larguari i radhës nga liqenorët është Festim Alidema.
Sulmuesi shqiptar i Kosovës, rezultoi si një nga goditjet e Pogradecit gjatë sezonit të fundit në Kategorinë e Parë. Edhe pse u bashkua me vonesë me liqenorët, 27-vjeçari e tregoi veten duke rezultuar vendimtar në disa ndeshje, madje edhe në fazën “play off”.
Por tashmë bashkëpunimi mes palëve nuk do të vazhdojë dhe ndeshja finale me Tiranën, ku synohej ngjitja në Superiore, rezulton të jetë e fundit për sulmuesin anësor nga Gjilani. Lajmi është konfirmuar nga vetë Alidema nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.