Agim Demrozi, presidenti i klubit të Egnatias ka folur për suksesin e rrogozhinasve në Superkupë. Ai ka sqaruar si e ka gjetur e si është skuadra, pra etapat në të cilat ka kaluar. Demrozi ka dhënë 2 premtime, një “bombë” në merkato dhe fytyrën e vërtetë të Egnatias, që të dyja në janar.
“Të gjithë trofetë shijojnë. Faleminderit. Ekipin e shoh mirë, nga janari do të shikoni Egnatian e vërtetë. Po është premtim. Si çdo punë që fillon ka vështirësitë e veta. Me punë arrihet suksesi.
Vitin e parë patëm vështirësi se ishte viti ynë i parë në Superiore. Më pas konsoliduam ekipin e me radhë. Unë e mora Egnatian kur ishte në Kategorinë e Parë.
Kur e mora Egnatian, nuk kishte asgjë, as fushë e as stadium.
Ngritëm fushën stërvitore e para, e më pas stadiumin e tani akademinë. Këtë vit kemi krijuar dhe 3 skuadra femrash. Kemi ekipe elitare. Unë surprizat gjithmonë i kam bërë në janar”, u shpreh Agim Demrozi.
LEXO ME SHUME: Egnatia nuk e diskuton Kukësin, fiton Superkupën dhe bën tris titujsh në një sezon (video)
Egnatia është shpallur fituese e Superkupës së Shqipërisë për herë të parë në historinë e saj, teksa ka mundur ekipin e Kukësit në finale. Rrogozhinasit, ashtu siç pritej kanë dominuar përballe verlindorëve që vinin nga Kategoria e Parë, duke krijuar më shumë lojë e raste. Goli i shpejtë i Ujkës në pjesën e parë ua bëri më të thjeshtë ndeshjen, por u desh të priteshin minutat e fundit të sfidës që të mbyllej diskutimi me golin e Bakajokos që vulosi suksesin 2-0.