Trajneri i Tiranës, Orges Shehi foli para mediave në konferencën për shtyp përpara sfidës me Dinamo Batumin, nesër në orën 20:00 në Air Albania.
Dinamo Batumi
Kundërshtari ka disi avantazh më shumë se ne pasi ka ndeshje në këmbë, luajti Superkupën para disa ditësh. Shpresoj të jemi në ritëm. Kur ka shumë ndryshime do të ishte më mirë të kishim më shumë kohë. Ne do të futemi në fushë me idenë që jemi të barabartë. Përshtypje për kundërshtarët kemi pasi kemi parë ndeshjet e fundit të tyre. Një opinion e kemi, meriton respekt por nuk i them ku janë pikat e dobta apo të forta.
Doka, Hoxhallari dhe përshtatja e lojtarëve të rinj
“Doka dhe Hoxhallari? Hoxhallari ka qenë pikë kyçe e jona. Kam dy vite e gjysmë këtu dhe ai ka rëndësinë e vet në skuadër, jam me idenë që “flamujt” e skuadrës të mbeten gjatë aty. Është më e lehtë për të sepse njeh ambientin. Ashtu edhe Doka, klubi meriton komplimente që përmbush kërkesat e tyre. Janë lojtarë që tifozeria i do. Të dy janë më të gatshëm se lojtarët që sapo vijnë, sepse këta rikthehen. Kam lojtarë me eksperiencë.Përshtatja? Sezonin e shkuar mbetëm me vetëm një lojtar për pozicion, tani e kemi ndryshuar. Për mua më mirë ai që e nis nga stoli, sepse ka mundësi të ndryshojë ndeshjen. Kemi konkurrencë, por klima është e mirë në ekip dhe nuk ka qejfmbetje”, deklaroi trajneri.
Tirana e dënuar të kualifikohet?
Nuk na ka dënuar njeri, dënimet janë për ata që bëjnë faj. Ne do të dalim në fushë të japim maksimumin, të dalim nga kjo betejë të marrim atë që japim. Çdo rezultat që jep fusha e lojës ne do ta respektojmë.