Një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje në futbollin shqiptar pritet të jetë transferimi i Ardit Krymit te Tirana. Burime pranë palëve bëjnë me dije se mesfushori 28-vjeçar është shumë pranë arritjes së marrëveshjes me bardheblutë, ndërsa aktualisht po diskutohen detajet e fundit të kontratës.
Krymi pritet të mbyllë kështu një kapitull të gjatë dhe të rëndësishëm me Vllazninë, skuadër me të cilën ka zhvilluar plot359 ndeshje zyrtare, duke u kthyer në një nga futbollistët më të identifikuar me fanellën kuqeblu gjatë viteve të fundit. Për shumë sezone ai ka qenë një titullar i padiskutueshëm dhe një nga liderët e ekipit shkodran.
Nëse transferimi finalizohet, Ardit Krymi do të veshë për herë të parë në karrierën e tij në Shqipëri një fanellë tjetër përveç asaj të Vllaznisë. Një lëvizje që pritet të shkaktojë reagime të shumta te tifozët shkodranë, duke pasur parasysh rëndësinë që ka pasur mesfushori në skuadër.
Edhe pse kontrata e Krymit me Vllazninë ishte e vlefshme deri në vitin 2027, zhvillimet dhe problematikat e krijuara pas përfundimit të sezonit kanë bërë që futbollisti të mendojë seriozisht për një aventurë të re. Kjo situatë ka shtyrë palët drejt ndarjes, me Tiranën që ka lëvizur shpejt për të siguruar shërbimet e tij.