Teuta pritet të pësojë ndryshim rrënjësor. Për këtë janë projektuar disa afrime dhe mësohet se klubi durrsak ka menduar rikthimin e Rustem Hoxhës. 34-vjeçari është pranë firmës me durrsakët, pas dy vitesh të kaluara te Dinamo.
Hoxha u kthye në lider për dinamovitët duke mbajtur edhe shirtin e kapitenit. Te Teuta ndërkohë do ta kishte një rikthim. Pikërisht aty ku nisi karrierën pritet të japë kontributin e tij në vazhdim. Dinamo vijon të përgatitet për Europën. Rrugëtimi i kryeqytetasve do të nisë nga turi i dytë i Conference League.
ZYRTARIZIMI I TRAJNERIT TE RI
Teuta tashmë e ka marrë vendimin, Enkeleid Dobi do të jetë trajneri për sezonin e ri në Superiore. Prej ditësh, klubi durrsak ishte i dyzuar mes tij dhe Ledian Memushajt, por tashmë gjithçka është vendosur. Ish-trajneri i Kukësit do të zyrtarizohet ditën e shtunë.
Dobi ka drejtuar më parë Gornik Polkouice, deri në shtator 2024, ndërsa më parë ka qenë trajner te Kukësi dhe Widzew Lodz. Me vendlindje në Durrës, ai është një trajner që ka profilin e duhur për një skuadër që do të pretendojë.
Synimet mbeten po ato të viteve të fundit, renditja në 4 vendet e para. Është përcaktuar edhe axhenda e fazës, ndërsa për momentin deri në mes të korrikut do t’i kryejnë seancat në Durrës e më pas do të zhvendosen diku tjetër, ku do të grumbullohen për 17 ditë.