Presidenti amerikan, Donald Trump ditën e djeshme është nxjerrë papritu nga salla e konferencës së shtypit së Shtëpisë së Bardhë teksa po mbante një fjalim, pasi jashtë Shtëpisë së Bardhë kishet të shtëna me armë zjarri.
Ndërkohë mësohet nga mediat e huaja, se Presidenti Trump u kthye në sallë pas disa minutash, ndërsa u shpreh se një person ishte goditur me armë zjarri nga forcat e rendit dhe është dërguar në spital. Më tej ai shtoi se nga informacionet që kishte marrë, i dyshuari kishte qenë i armatosur.
“Pati të shtëna jashtë Shtëpisë së Bardhë. Duket se (situata) është krejtësisht nën kontroll. Por pati një goditje me armë dhe dikush është dërguar në spital. Nuk e di se si është ai person.”- tha Trump.
Sa i përket kësaj situate, korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman shkruante në Twitter, se gazetarët qëndruan në sallën e konferencës për shtyp, ndërsa Shtëpia e Bardhë u vendos nën masa të larta sigurie.
“Ju u befasuat dhe unë gjithashtu u befasova”, u tha presidenti gazetarëve, kur u rikthye para gazetarëve, ndërsa bëri me dije se ishte dërguar në Zyrën Ovale, pasi e nxorrën nga salla e shtypit.
“Dua të falenderoj Shërbimin Sekret. Janë të mrekullueshëm. Ndoshta të shtënat nuk kishin të bënin aspak me mua.”- tha më tej Trump.
Ndërsa nga mediat vendase raportohet se shërbimi sekret ka mësuar se kishte pasur të shtëna me armë zjarri pranë Shtëpisë së Bardhë vetëm pak minuta pasi kishte nisur konferenca për shtyp.
Burimi: CBSnews